Kontakti që vendosa më pas me pasardhës së tij, të cilët sot jetojnë dhe punojnë në Itali, ishte një ndihmesë tjetër e madhe në përpilimin e këtij portreti të parë biografik për artistin. Shumë pak të dhëna disponoheshin në fillim të punës për hartim të këtij punimi dhe duhet thënë se për disa vite ky punim është dëshiruar të botohet, por ende nuk ishte pajisur me të dhënat shterruese të tij. Një falenderim këtu shkon edhe për profesorin akademik Vasil S. Tole, i cili në botime të ndryshme të tij ka dhënë kontribut në trajtimin e kësaj figure pak të përmendur, por me vlera të mëdha në krijimin, ruajtjen dhe trashëgimin e kulturës muzikore të zonës së jugut, si dhe për z. Emanuel Tufa, stërnipi i mjeshtrit. Në këto ditë të festimit të ditës së Pavarësisë dhe festës së Flamurit, duhet të njihemi me portretin e virtuozit vlonjat, i cili në ditët e shpalljes së Pavarësisë, luajti muzikë në rrugët dhe sheshet e qytetit heroik dhe ndaj sot dëgjimi i atyre disqeve të gramafonit ka një emocion të veçantë, sepse me atë të atyre këngëve, në një farë mënyre, përjetojmë atmosferën e krijuar në ditët e Pavarësisë apo në kremtim të përvjetorit të parë të ngritjes së flamurit.
Edhe pse njihet me emrin që e pagëzoi populli Bilbil Vlora, mbiemri i vërtetë i tij është Çeno. Lindur në vitin 1883, fatkeqësisht nuk ka dokumente që të mbërrijnë deri në ditët tona e të tregojnë ambientin ku është rritur mjeshtri. Origjina e familjes së tij është nga Përmeti dhe babai i tij u vendos në Vlorë. Orientimin muzikor Bilbili e mori nga ati, Abdyli. Njëkohësisht, përveç Bilbilit, si virtuoz u shqua edhe vëllai i tij Asim Çeno, që interpretonte në violinë, por që u nda nga jeta në moshë të re.
Tregohet se mjeshtri e mori famën në dasmën e një familje bejlerësh në Kaninë. Aty, përveç se ishin ftuar edhe instrumentisë dhe grupe të tjera popullore, ishte prezent edhe Bilbil Vlora me një grup të vogël. Të vjetrit kujtojnë se grupet e sazeve do të interpretonin me rradhë në atë evenimet martesor. Mesa duket temperamenti që ka pasur Bilbili, e bëri atë që të shkelë rregullin dhe të fillojë interpretimin bashkë me grupin në oborrin e shtëpisë, pa pritur rradhën që ishte vendosur.
Kjo bëri përshtypje dhe interpretimi i tij u pëlqye nga të pranishmit, të cilët kënduan deri në agim. Nga kjo ngjarje, grupi i Bilbilit dhe sidomos ai vetë u njoh në mbarë zonën dhe më gjerë si një virtuoz i talentuar. Kohë pas kohe emri i tij u bë i njohur në gjithë jugun e Shqipërisë. Sazet e Bilbil Vlorës renditeshin ndër më të mirat e asaj kohe, krah atyre të familjes së madhe së Asllan Leskovikut dhe pinjollëve të tij Hafize, Ajdin e Selim Leskoviku, Ibrahim Leskoviku, Vangjel e Ferhat Leskoviku, Merko Ibrahim Leskoviku, Mitro Leskoviku, etj., krah sazeve të Korçës me zonjën Qerime Balliu (Baki), Vasil Çezmaxhiu (Cilo Qorri), etj.
Derimë sot, nuk kemi ndonjë dokument që të dëshmojë për një interpretim të përbashkët të Bilbil Vlorës me ndonjë nga sazexhinjtë e tjerë të njohur të jugut. Por, prezenca e Vangjel Leskovikut në zonën e Fierit (sipas informacioneve që nxjerrim nga pllakat e Institutit të Kulturës Popullore dhe fondi arkivor fonografik i autorit) me Abaz Cakranin, na bëjnë të mendojmë hipotezën e interpretimeve të përbashkëta, edhe pse të pa mbërritura derimë sot, prej mos regjistrimit. Nga interpretimet dhe regjistrimet e Abaz Cakranit dhe Vangjel Leskovikut (Vangjeli me gërnetë), janë: “ODEON A 237200 a “Nerenxë” këngë myzeqarçe dhe A 237200 b “O ju male me dëborë” këngë myzeqarçe; “ODEON A237199 a “Me dy javë të prillit” këngë myzeqarçe; A 237199 b “Çu bëre sebep prishe dy shtëpi” këngë myzeqarçe, etj.
Nga të dhënat e pakta që disponojmë, bindemi se Bilbil Çeno ka qenë në qytetin e Vlorës në momentin e ngritjes së flamurit dhe shpalljes së Pavarësisë Kombëtare. Nga kronikat e kohës, kujtime të personave prezentë në këtë ngjarje, mësojmë se qyteti kishte gëzim dhe hare për ngjarjen historike. Bilbil Vlora bashkë me grupin e tij dhe të atin ka luajtur muzikë popullore e kombëtare në ditët e shënuara të Pavarësisë në kryeqytetin e Shqipërisë së asaj kohe. Njëkohësisht, Bilbil Vlora ka qenë pjesëmarrës edhe në festimet e përvjetorit të parë të Pavarësisë, më 1913. Momentet e atyre manifestimeve fatmirësisht derimë sot kanë mbetur të fiksuara në disa pamje, autor i së cilave është korçari Petro Dhimitri Fotografi.
Në të paktën tre fotografi dallohet që pjesëmarrësit janë mbledhur në valle, të veshur përgjithësisht me kostume popullore. Mes këtyre pamjeve të bën përshtypje dhe prezenca krah për krah e përfaqësuesve të feve të ndryshme, të cilët u bënë bashkë në luftën e madhe të pavarësimit të kombit. Gjatë turbullirave të asaj kohe, vështirë se mund të ketë dokument për të faktuar prezencën e sazeve të Çenos në këto ceremoni dhe evenimente të rëndësishme kombëtare, ndaj dhe ne hipotezën tonë e mbështesim në të dhënat që përmendëm ketu. Sidoqoftë, kjo pjesë interesante ka nevojë ende për kërkime më të thelluara, pasi qëllimi ynë është për të dhënë një informacion, që derimë sot nuk është bërë pjesë e kërkimeve të studiuesve tanë. Gazeta “Përlindja e Shqipenës”, shkrunate: “Pas kësaj fjale nisnë këngët kombjare dhe nga ana e popullit të Vlonës dhe të tjerave vise të Shqipëriës vajtne sa përfaqësonjës t’ Ismajl Beu dhe i uruan ditën e lumtur të popullit shqipëtar.” (“Përlindja e Shqipeniës”, e mërkurë 20/3 vjesht’ e III 1913, faqe 2, Kramtimi i festës kombëtare të 15 Nandorit.)
Siç kuptojmë nga gazeta “Përlindja e Shqipeniës”, bashkia e Vlorës në vitin 1913 mendonte që të ngrinte një bandë popullore në Vlorë dhe njoftonte se kishte hedhur në qarkullim një shumë prej 1000 biletash “të cilat po ndahen nëpër atdhetarët që duan të ndihin për këtë qëllim. Të gjithë duhet të ndihin për këtë bandë e cila do të dëfrejë Vlonarët dy herë në javë” (“Përlindja e Shqipeniës”, 4/17 dhjetor 1913, faqe 5, Një bandë popullore në Vlonë). Në përgatitjet për këtë bandë muzikore popullore të qytetit, logjikisht duhet të kenë qenë prezent edhe Abdyl Çeno si dhe i biri Bilbili për të dhënë kontributin në formësimin e saj. Abdyli do të ndërronte jetë në vitin 1923 (sipas: V. Tole “Sazet. Muzika ne saze në Shqipërinë e Jugut”, 1998, faqe 94).
Viti 1922 do të shënonte për herë të parë festën e karnavaleve në Nartë.
Në këtë organizim pjesëmarrës do të ishte edhe Bilbil Vlora bashkë me grupin e tij, grup i cili njihej si sazet e famshme të Vlorës. Grupi i Bilbil Vlorës do të vijonte të ishte prezent në aktivitete të ngjashme edhe në Gjirokastër dhe Korçë, gjithashtu edhe në Nartë. Ndërsa, në vitin 1925 shkoi në Berat, ku dha disa koncerte e prej këtej, me ftesë të fotografit të shquar Kel Marubi dhe me ndërmjetësinë e Shtjefën Gjeçovit dhe Dom Mark Vasës shkoi në Shkodër bashkë më grupin e tij. Viti 1927 do të shënonte një udhëtim mbresëlënës për Bilbil Vlorën dhe grupin e tij. Të ftuar në qytetin e Leçes në Itali, ata do të jepnin aty disa koncerte, duke përcjellë polifoninë labe dhe folklorin e zonës së Vlorës si dhe të Beratit.
Tofik Sheme ka qenë një tjetër instrumentist i njohur gjerësisht për aftësitë e tij në interpretim të lahutës, defit dhe klarinetës. Mësimet e para në këto instrumente muzikore Tofik Sheme, i lindur në Roskovec në vitin 1900, i ka marrë pranë Bilbil Vlorës. Vetë Sheme ka pohuar diçka të tillë dhe jeta e gjatë 83 vjeçare që ka pasur e ka bërë të mundur që ato tregime t’i kenë njohur shumë artistë të tjerë. Ky fakt tregon se Bilbil Vlora gëzonte popullaritet, një emër të mirë si artist dhe ishte i aftë që të mund të përgatiste edhe virtuozë të tjerë, të cilët i dhanë shumë muzikës së zonës së tyre.
Në dhjetor 1930, Bilbil Vlora dhe virtuozë të tjerë të jugut u mblodhën në Gjirokastër, ku ishte vendosur nisma e kompanisë diskografike ODEON për regjistrime të këngëve në disqe gramafoni dhe dy vjet më vonë, sazet e Bilbilit fton përsëri në Shkodër nga Marubi dhe kësaj rradhe grupi regjistron këngë në disqe gramafoni, që sipas të dhënave kanë qenë të destinuara për në tregun e Malit tqë Zi (V. Tole. vepër e cituar, faqe 139).
Viti 1938 shënon martesën e mbretit Ahmet Zogu I me konteshën hyngareze Geraldina Aponi. Në eventin kombëtar të organizuar aso kohe u ftuan për të qenë pjesëmarrës edhe sazet më të mira që ishin në Shqipëri atë kohë. Mes sazeve të Ibrahim Leskovikut, të zonjës Qerime Baki ishin edhe sazet e Bilbil Vlorës dhe Riza Beratit. Ky ishte një vlerësim i madh që iu bë mjeshtrave popullorë, të cilët interpretuan pjesë të folklorit tonë për ditë të tëra përpara përfaqësive vendase dhe të huaja, duke bërë që përveç vëmendjes së madhe dhe interesit të veçantë për ceremoninë e dasmës mbretërore, vëmendja të kthehej edhe nga muzika jonë tradicionale dhe nga veshjet e llojllojshme të zonavë të ndryshme të vendit.
Në vitin 1924 u lind në Vlorë biri i mjeshtrit popullor. Hajdar Bilbili njihej si punëtor i dalluar në atë qytet, por shpejt nën ndikimin e të atit, ai u bë një këngëtar i mirë dhe njëkohësisht një insterpretues në gërnetë. Ai ka drejtuar për disa kohë klubin “Halim Xhelo” në Vlorë. Një nga krijimet më të mira të Hajdar Bilbilit është vallja “Nën hijen e ullinjve”, të cilën e krijoi në vitin 1951. Hajdar Bilbil Vlora ndërroi jetë në Vlorë në vitin 1987 i nderuar dhe respektuar jo vetëm nga artistët e qytetit, por nga mbarë vlonjatët.
Bilbil Vlora me grupin e tij ka lënë një trashëgimi të regjistruar në muzikën popullore, të cilën nuk e ruajmë të plotë derimë sot. Përveç tetë regjistrimeve që kemi në disqe gramafoni, studiuesi Vaso Tole jep një pasqyrë të disqeve që janë regjistuar nga mjeshtri popullor, por që sot janë të munguara nëpër fonoteka. Bilbil Vlora dhe grupi i tij kanë regjistruar pranë shoqërisë diskografike COLUMBIA. Sipas katalogut të botuar në shqip të shoqërisë diskografike ODEON, nuk na del shënimi i ndonjë regjistrimi që ka bërë Bilbil Vlora aty. Ose, ekziston mundësia që regjistrimet e tij të jenë pas botimit në shqip të katalogut të ODEON-it. Sidoqoftë, derimë sot nuk kemi hasur regjistrim të tij nën siglën e kompanisë ODEON.
Nga COLUMBIA, regjistrimet e tij dhe grupit janë:
Disku numër 65272 “Kanga e Selo Musajdè” – Kendu Prej Z. Bylbyl (Vlores)
Disku numër 65310 “O Qemal kur teperzun” – Kendu Prej Z. Bylbyl (Vlores)
Disku numër 37612 “Taksim Myzeqar e” – Z. Bylbyli Vlora, toskrisht
Disku numër 37613 “Veli kalanci Taksim” – Z. Bylbyli Vlora, toskrisht
Disku numër 37691 “Penxheren e Zotnis. Valle për meççe” – Z. Bylbyli, Vlonë
Disku numër 37692 “Alas Taksim” – Shoqnija Z. Bylbyli, Vlonë
Disku numër 37697”Kapitani i Vlonës” – Shoqnija Z. Bylbyli Vlonë
Disku numër 37698 “Kapitani Las” – Z. Bylbyli me shoqni. Vlonë
Disku numër 37705 “Ja thoshte bylbyli” – Shoqnija Z. Riza Bylbyli Berati
Disku numër 37706 “(E qar) lapce” – Z. Bylbyl e Riza Berati
Disku numër 294291 “Valla ne trish” – Z. Bylbyli me shok. Vlonë
Disku numër 294292 “Valle zylesh” – Shoqnija Berat.
Ishte viti 1948 kur mjeshtri ishte i sëmurë dhe dergjur në shtrat. Pasardhësit tregojnë se në momentet e fundit i vjen një telegram që e ftonte bashkë me sazet e tij për të marrë pjesë në një dasmë shqiptare në Stamboll, në një familje të madhe dhe fisnike. Bilbil Vlora dha shpirt duke mbajtur fort telegramin në dorë. E ndjeu veten që nuk mund të udhëtonte dot larg. Me këngë e filloi jetën dhe me të e mbylli…
Me rastin e jubileut të 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, usta Bilbil Çeno Vlora u nderua me titullin “Personalitet i shquar i Qarkut” nga Këshilli i Qarkut të Vlorës dhe njëkohësisht në Vlorë një rrugë mori emrin e tij.
Në fund të këtij punimi, më lejoni që të shpreh mirënjohje dhe falenderim për pasardhësit e mjeshtrit të madh, të cilët u kujdesën së tepërmi për këtë punim si dhe njëkohësisht të falenderojmë z. Arben Brahimaj, i cili në bazë të kujtimeve të familjarëve ndërtoi portretin e Bilbil Vlorës, sepse derimë sot na mungon një pamje fotografike e tij.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Nentor 2015
Redaksia Online
(e.m/shqiptarja.com)