28 Nëntori,Valentina Duka:
Flamuri i vërtetë u dogj

28 Nëntori,Valentina Duka: <br />Flamuri i vërtetë u dogj
Shpresat për ta rigjetur Aktin e Shpalljes së Pavarësisë ndoshta mund të jenë më të mëdha se për flamurin". Kështu shprehet historiania e njohur Valentina Duka ndërsa diskutojmë misterin e dy simboleve të vyera të Pavarësisë, të cilat i mungojnë muzeve tona.Po ku na drejtojnë këto shpresa? Duka thotë se ka një variant që dokumenti i Pavarësisë i fotografuar në 1937 nga Lef Nosi dhe I mbajtur për disa vite i fshehur si relikte mund të ketë "ikur" së bashku me një numër të madh dokumentesh në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore. Ndërsa për flamurin e vërtetë të ngritur më 28 Nëntor 1912 nga Ismail Qemali, Valentina
Duka thotë se është djegur në shtëpinë e bejlerëve të njohura të Delvinajve. Ajo shpjegon detajet pse e beson këtë argument
Znj.Duka A ka ndonjë gjurmë për zbardhjen e misterit që mbështjell dy reliktet tona të Pavarësisë, flamurin dhe Deklaratën?

Sigurisht që flamuri dhe Akti i Shpalljes së Pavarësisë janë dy dokumentet më të rëndësishme të asaj dite të madhe të shqiptarëve kur u shpall Pavarësia. Sa i takon flamurit vazhdimisht janë bërë kërkime, janë hedhur hipoteza se kush e zotëroi, kush e çoi në dorën e Ismail Qemalit etj. Historiografia e kohës së monizmit për shumë arsye nuk deshi të përmendte emrin e Eqrem bej Vlorës për faktin se ai ishte pjesëtar i qeverisë kuislinge të Luftës. Për këtë arsye kjo historiografi, flamurin e kësaj dite e lidhi me emrin Marigo Pozios, një zonje të nderuar vlonjate, një aktiviste e të drejtave të grave të qytetit të Vlorës, një qëndistare e talentuar e flamurit shqiptar. Por shumë dokumente nuk na çojnë tek përputhshmëria e flamurit që ka qëndisur ajo me flamurin që valëviti Ismail Qemali në momentin e shpalljes së pavarësisë. Kjo pasi janë dy momente të ndryshme. Gazeta "Dielli" e viteve të pavarësisë shkruan
se ky flamur, që u ngrit në momentin e shpalljes së Pavarësisë u soll nga diaspora
shqiptare e Amerikës. Ka të tjerë që shkruajnë se flamuri u soll nga delegatët që erdhën nga Bukureshti për të marrë pjesë në Kuvendin e Vlorës. Por një gjë është thuajse e pranuar nga të gjithë historianët. Faik Konica në gazetën e tij "Albania" pasi zbuloi te Marin Barleti atë që konsideronte si simbol të shqiptarëve, flamurin e kuq me shqiponjën me dy krerë e bëri atë sigël të gazetës "Albania". Dhe pasi e bëri këtë, shqiptarë të pasur, por edhe pinjollë jo shqiptarë, por që mendonin se kishin lidhje gjaku me Shqipërinë, si Aleandro Kastrioti filluan ta prodhojnë në mënyrë industriale dhe ta përdornin atë si peshqesh për shqiptarët, për miqtë e tyre. Ndërkohë diaspora shqiptare e Amerikës e prodhoi atë në mënyrë industriale për ata vullnetarë që vinin nga diaspora në Shqipëri, dhe që morën pjesë në kryengritjen e viteve 1910, 1911, 1912. Ata në çeta që ishin pranë kryengritjeve e mbanin këtë flamur. Pra ishte po kjo kopje që u nxor nga sigla Albanisë. Një nga këto kopje të prodhuara nga Alehandro Kastrioti iu
dha Eqrem bej Vlorës gjatë një udhëtimi të tij në Paris në 1908. Sipas kujtimeve të tij ky ishte një nga peshqeshet më të bukura që ishin bërë dhe e vendosi në kornizë ta mbante mbi krevatin ku flinte në dhomën e tij. Në momentin e shpalljes së Pavarësisë, ai ishte pjesë e lojës, por që nuk ndodhej në Vlorë, ndodhej në Malësitë e Himarës, në luftën kundër grekëve. Jemi pra në periudhën
e luftës së parë ballkanike. Në momentin e shpalljes së pavarësisë një
nga punëtorët e shtëpisë i thotë miqve të Vlorajve që në shtëpinë e zotërisë të saj, ndodhej ky flamur të cilin ajo mund ta merrte vetëm për momentin sa ta valëvinte e të kthehej prapë si pronësi e Eqrem bej Vlorës. Këtë fragment jep Eqrem bej Vlora në kujtimete tij, të cilat nuk mund të merren 100%
të vërteta. Sidoqoftë nga kërkimet që kemi bërë në arkivat shqiptare jo për këtë çështje, po për çështje që lidhen me marrëdhëniet shqiptaro-
greke në Ministrinë e Punëve të Jashtme në dosjen e Ambasadës shqiptare në Athinë për faktin se Eqrem bej Vlora ishte ministër shqiptar ose ambasador i Shqipërisë në Athinë gjatë asaj kohe, u gjetën disa dokumente
shumë të rëndësishme. Ishte një korrespondencë ku ministri I punëve të Jashtme të asaj kohe bënte me vartësin e tij me Eqrem bej Vlorën për çështjen e flamurit. Vetë mbreti kishte urdhëruar që të gjendet ky flamur për t'u vendosur në muzeun që do të ndërtohej me rastin e 25- vjetorit të Pavarësisë. Kërkimet u bënë në prefekturën e Vlorës nga prefekti. Jam e bindur se kërkimet nuk u bënë që ne historianët sot të gënjejmë ose që ne historianët të japim variantet që jepte Eqrem bej Vlora apo të tjerë. Por kërkimet u bënë me urdhër të mbretit. Pra nuk guxonte kush të mashtronte mbretin dhe as që kishte gjasa në ato vite për këtë gjë. Kë kohën që bëheshin këto kërkime Marigoja ka qenë vetë gjallë dhe prefekti i Vlorës në një letër që i dërgon administratës së mbretit thotë se nga kërkimet që kemi bërë rreth e qark prefekturës, çështjen e flamurit që valëviti Ismail Qemali në momentin e shpalljes së Pavarësisë, të gjithë e lidhin me emrin e Eqrem bej Vlorës. Pastaj kemi korrespondencën e mbretërisë me Rauf Ficon, ministrin e Jashtëm dhe më tej të Raufit me Eqrem bej Vlorën, i cili veç
shpjegimeve që bën në kujtimet e tij jep edhe ato shpjegimet e tjera që për ne shqiptarët janë të dhimbshme sa i përket rëndësisë muzeale që kanë këto simbole, ku ai thotë që ky flamur u dogj bashkë me një grup sendesh të tjera të vlefshme në shtëpinë e bejlerëve të Delvinës, në kohën kur ata u përndoqën nga ushtria vorio-epirote që kishte shpallur Pavarësinë e Epirit. Eqrem bej Vlora këmbëngul në këtë document ku ai jep edhe emrat e mbi 20 dëshmitarëve që t'i pyeste mbretëria, të cilët kishin informacion për këtë gjë. Sipas tij, ky flamur është djegur në shtëpinë e këtij Beu nga Delvina së bashku me të gjithë pasurinë e tij nga vorio-epirotët dhe unë mendoj që ky është varianti pothuajse më i besueshëm për çështjen e flamurit. Në qoftë se do ta marrim 100% të besueshëm
që për mua është i tillë për vete faktin se burimet që na japin informacion
janë burime të dorës së parë, janë burime të prodhuara për mbretin e Shqipërisë, e që nuk guxonte askush ta gënjente. Atëherë kjo na çon në faktin se flamuri që ka valëvitur Ismail Qemali në orën dy, të datës 28 kur u shpall Pavarësia, nuk gjendet më. Të gjithë edhe Eqrem bej Vlora dhe të gjithë kronikanët e tjerë të kohës flamurin tjetër që qëndroi varur në selinë e vlorajve që qeveriste Ismail Qemali e lidhin me emrin e Marigosë e cila qëndisi një flamur të dytë, duke u mbështetur në maketin e këtij flamuri, ky nuk e di, mbase ka gjasa të gjendet.
Por sa i takon flamurit qe u valëvit në momentin e shpalljes së pavarësisë, nëse do ta marrim 100% të besueshëm variantin e mësipërm do të thotë se ai është djegur .

Nëse i referohemi asaj letrës që citni, thuhet se atje në shtëpinë e Delvinajve përfaqësuesit e vorio-epirotëve e përdhosën simbolin tonë. Grekët e bënë më qëllim këtë djegie të simbolit?
Ai thotë që ata dogjën çdo gjë të kësaj familjeje, të cilën e quanin familje patriote shqiptare, e cila ishte kundër shpalljes së shtetit vorio-epirot në jug të Shqipërisë. Kështu që ata nuk u futen në shtëpi për të djegur flamurin. Ata u futën për të djegur sarajet e kësaj familjeje patriotike. Nuk jam e bindur nëse ata ushtarë grekë që ndoshta nuk e kishin pare asnjëherë flamurin e shqiptarëve e dogjën për të përdhosur simbolet apo jo, por një gjë është e sigurt, ata dogjën sarajet e një familje patriotike shqiptare.

Eqrem bej Vlora në momentet e shpalljes së Pavarësisë ishte duke luftuar në Himarë kundër grekëve. Po ky fakt kishte lidhje?
Nuk besoj, sepse ishin dy gjëra që ndoshta nuk mund të lidhen me njëratjetrën. Eqremi ishte duke luftuar por në kohën kur ata dogjën flamurin domethënë sarajet e Delvinjotëve, në Shqipëri kishte ardhur Vidi, ishte qeveria e Vidit kishte kontekst tjetër domethënë. Nuk besoj sepse ata ndoshta nuk e dinin se në shtëpinë e këtyre bejlerëve të kishte edhe relikte të Eqrem bej Vlorës, të cilat ishin larguar nga Vlora, që herët, për t'i mbrojtur nga djegiet që i bënë fshatarët e Shqipërisë së mesme, atyre bejlerëve që ishin me orientim perëndimor. Unë nuk besoj se ata ushtarë greke të urdhëruar nga eprorët e tyre, ta dinin që po digjnin edhe pasurinë e Eqerem bej Vlorës. Ata u futën të shkatërronin gjithçka të kësaj familje bejlerësh, delvinjotësh që ata e quanin si familje patriotike shqiptare që ishte kundër filozofisë së qeverisë së vorio-epirit.

Të kalojmë pak tek Deklarata e Pavarësisë. Çfarë dime për të? Çfarë misteresh e shoqërojnë historinë e saj?
Deklarata e Pavarësisë mund të ketë më shumë mundësi, po themi hipotetikisht, të gjendet. Nuk kemi asnjë informacion se është djegur, shkatërruar. Jemi me idenë që mund të jetë fshehur. Të gjitha gjasat të çojnë tek fshehja e saj, tek një emër shumë i njohur i Shpalljes së Pavarësisë, Lef Nosi, i cili jo vetëm që ishte një patriot i shquar i kësaj kohe, kuisling i Luftës së Dytë Botërore, koleksionist I shquar dhe njohës i burokracisë. Në qoftë se nuk do të ishte Lef Nosi, nuk do të kishim asnjë dokument edhe nga kuvendi, i mbledhjes së Qeverisë së Vlorës, sepse ai i ka mbrojtur, ai ka mbajtur me konsekuencë të gjithë protokollin e Kuvendit të Vlorës Ndërkohë, nga të gjithë dokumentet që disponojmë, nga ata që ai është shprehur vetë, thuhet se ai mori me vete edhe dokumentin që u firmos, po atë moment nga shqiptarët që shpallën pavarësinë. Mund të jetë kjo, dhe dikush thotë e ka fshehur, e ka mbrojtur etj. Por ndoshta në atë moment për shkak të entuziazmit që kishin patriotët shqiptarë, në shpejtësinë me të cilën ata e firmosën, vetëm e vetëm që ta shpallnin një orë e më parë pavarësinë mund të jetë zhdukur, mbase jo qëllimisht por nga pakujdesia e tyre nga mosnjohja e rregullave të themi të
shtetit. Për këtë shkak mund të jetë grisur apo mund të jetë zhdukur. Por mendoj
vetëm nga pakujdesia sepse qëllimi i tyre ishte të shpallnin menjëherë pavarësinë dhe jo të ruanin dokumentet. Në nxitim e sipër disa e firmosën, disa të tjerë nuk e firmosën. Por ka një variant që dokumenti, fotokopja e të cilit tani qarkullon në të gjithë duart e mediave është ekspozuar në vitin 1937 me rastin e 25-vjetorit të Pavarësisë dhe pastaj përsëri është mbajtur i fshehur si relikte. Më tej, mendoj se ka 'ikur' së bashku me një numër të madh dokumentash në Jugosllavi pas Luftës së Dytë Botërore. Sidoqoftë, nuk e di sa i vërtetuar është ky variant.

Në një intervistë të botuar nga"Shqiptarja.com" stërnipi i Ismail Qemalit, Darling Vlora publikoi faktin se ekziston një fotografi e dokumentit të Pavarësisë në një nga botimet e fundit që është e ndryshme nga ajo e Lef Nosit. A na bën kjo të besojmë se dokumenti është fotografuar më vonë?
Nuk kam asnjë informacion dhe nuk besoj mund të merret si i vërtet. Varet nga burimi që e servir sepse në këto momente kur njerëzit janë të ekzaltuar, e dëshirojnë të quhen si të parët që po ekspozojnë këtë dokument mund të ketë dhe shumë materiale, fakte false që mund të hidhen në qarkullim. Por gjithashtu nuk mund të them që ky document që ju po thoni, e që nuk e kam parë mund të jetë 100% i vërtetë, por mund të ketë edhe 1% të vërtetësisë. Unë e besoj Lef Nosin nga fakti se më shumë se kushdo, ai ka mbajtur me fanatizëm çdo gjë që u diskutua në Kuvendin e Vlorës dhe këto janë botuar me rastin e 90- vjetorit të shpalljes së Pavarësisë nga Instituti Historik. Me siguri që ishte njeriu që e qëmtoi këtë dokument. Kështu që variantin e Lef Nosit unë mendoj që mund jetë më i besuari, por duke qenë se lidhet me kujtimet e tij nuk mund të them që është baraz me të vërtetën.

A ka ndonjë arkiv që nuk është i hapur deri më sot ku ne mund të shpresojmë të gjejmë aty diçka?
Nëse besojmë variantin që dokumenti i Pavarësisë është marrë me një sërë dokumentesh të tjera nga jugosllavet pas luftës së dytë botërore atëherë le të shpresojmë sekjo është e vërtet. Unë nuk e besoj dhe nuk kam parë ndonjë dokument zyrtar për të vërtetuar këtë, por në qoftë se i marr të mirëqena komentet që bëjnë koleget e mia, e që kanë më shumë informacion mund të kemi shpresë që mund të ndodhet atje. Do të tregohesha folklorike në qoftë se do të thosha që vërtet ndodhet atje. Mundet që dikutë jetë fshehur në ndonjë familje dhe mundet që kërkimet e vazhdueshme ta zbulojnë, mundet që Lef Nosi ta ketë fshehur në ndonjë bankë si thesar dhe mund të zbulohet, por në fakt mund të zbulohet edhe ndonjë dokument tjetër, i cili mund të mos jetë i barabartë me këtë që thonë, por nuk besoj se mund të gjendet në arkivat e huaja sepse në Kuvendin e Vlorës nuk është ndodhur ndonjë eksponent i huaj, i cili mbajti shënime dhe e mori këtë për ta pasur.

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Në dashuri ju pret një ditë e vështirë për shkak të një situate të komplikuar... horoskopi për ditën e sotme

Në dashuri ju pret një ditë e vështirë për shkak të një situate të komplikuar... horoskopi për ditën e sotme