DURRËS- Mbi një vit pas sekuestrimit, 2800 ton mbetjet e rrezikshme të kompanisë Kurum që u kthyen nga Tajlanda ende mbahen në Porto Romano. Ndërsa Prokuroria e Durrësit lëshoi 33 udhërarreste për përgjegjësit, pasi hetimet zbuluan shkelje të legjislacionit mjedisor nga Kurum, kompania “Sokolaj” që bleu mbetjet, por edhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe Dogana e Durrësit, pikëpyetja mbetet se çfarë do të ndodhë me mbetjet e rrezikshme, të cilat u faktuan të tilla edhe nga analizat në Itali. Report Tv ishte edhe në vendin ku janë magazinuar mbetjet e Kurum, për të cilat ende nuk ka një zgjidhje përfundimtare për trajtimin ose asgjësimin e tyre.

Ndërkohë, nga 33 urdhërarrestet që u lëshuan nga Prokuroria e Durrësit, vetëm 20 prej tyre janë ekzekutuar. Operacioni i Policisë së Shtetit për ekzekutimin e masave të sigurisë, nga të cilat 26 arrest me burg dhe 6 arrest shtëpie, u shtri në 3 qytete Tiranë, Elbasan dhe Durrës.

Prokuroria e ka regjistruar procedimin penal për disa akuza, nga "Kondrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” të pastrimi i “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale” që rëndojnë kryesisht ndaj administratorëve të kompanive të përfshira në këtë rrjet, deri te “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore” apo “shpërdorimi i detyrës” për zyrtarët e Doganës dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

7 masa sigurie u lëshuan për përfaqësues për kompanisë Kurum, ndërsa arrest me burg është caktuar për dy administratorët turk, Erdal Demir, turku i Kurum International dhe Yusus Sezai, administratori me prokurorë i kompanisë, të cilët rezultojnë ende në kërkim. 

Burg edhe për pronaren e kompanisë “Sokolaj”, Gjovana Sokolaj, dhe ish administratoren Olizana Pemati. Kompania, më 1 gusht 2023, kishte blerë mbetjet nga Kurum për t’i eksportuar me përshkrimin “oksid hekuri”, eksporti i të cilës është i lejuar pasi nuk konsiderohet i rrezikshëm. Masa sigurie janë lëshuar edhe për zyrtarë të Doganës së Durrësit dhe Agjencisë Kombëtare të Mjedisit. 

Nga analizat e kryera në Itali, rezultoi se mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike dhe me përmbajtje të lartë metalesh të ndryshme, të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar. Elementët përbërës konsiderohen të dëmshme për shëndetin e njeriut dhe mjedisin. Referuar analizave, në dosjen hetimore përshkruhet rreziki i toksicitetit për riprodhimin dhe ekotoksicitet, veçanërisht ndaj ekosistemeve ujore.

PERSONAT E SHPALLUR NË KËRKIM
Erdal Demir, Administratori i “Kurum International” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “transporti i mbetjeve”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” ne 2 raste dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Yusuf Sezai Kurum, 46 vjeç Administrator me prokurë i “Kurum” – “”Menxhimi i mbetjeve”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”
Harun Sarica 42 vjeç, banues në Turqi; Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” – “Menaxhimi i mbetjeve”
Mujo Ilazaj - Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” – “Transporti i mbetjeve”.
Arif Shkalla - Drejtues në kompaninë “Kurum” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Menaxhimi i mbetjeve”, “Falsifikimi i dokumentave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Mbarime Koroci - Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” – “Menaxhimi i mbetjeve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Petrit Qosja - Person fizik në tregtinë e mbetjeve – “Menaxhimi i mbetjeve”.
Xhulio Golgota - Inspektor i Autoritetit Portual Durrës – “Shpërdorimi i detyrës”.
Dritan Seferaj - Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM – “”Shpërdorimi  i detyrës”.
Doni Sokolaj 57 vjeç - Administrator i kompanisë D.o.o Minerals – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Gjovana Sokolaj - Pronare e kompanisë “Sokolaj” – “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” në 4 raste, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Olizana Pemati - Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” - “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara”, “Pastrimi i produkteve të veprimtarisë kriminale”.
Ingo Hesse - administrator i kompanisë EMS APO - “Menaxhimi i mbetjeve”.

lajmi në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:27
Mbetjet e rrezikshme të ‘Kurum’, Policia e Durrësit: Ekzekutuam vetëm 20 masa sigurie, 13 të tjerë ende në kërkim, mes tyre dy administratorët turq

1770195002_kurum.jpg

Policia e Durrësit ka njoftuar zyrtarisht se janë ekzekutuar vetëm 20 masa sigurie nga 33 në total që u lëshuan për mbetjet e rrezikshme të Kurum që u kthyen në 2024-ën nga Tajlanda. Mes personave që janë në kërkim, janë edhe dy administratorët turq të kompanisë, Erdal Demir, turku i Kurum International dhe Yusus Sezai, administratori me prokurorë i kompanisë.

Njoftimi i plotë i Policisë së Durrësit

Finalizohet operacioni policor i koduar “Eko-Toxic”.

Operacioni, nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe me DVP Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit. 

Ekzekutohen 20 masa sigurie, të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për vepra penale në fushën e kontrabandës, menaxhimit të mbetjeve, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprimtarisë kriminale. 

Vijon puna për kapjen e 13 shtetasve të tjerë, të cilët nuk u gjetën në banesa gjatë operacionit.  

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Elbasan, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, finalizoi operacionin e koduar “Eko-Toxic”. 

Në kuadër të operacionit u ekzekutua vendimi i datës 03.02.2026, i Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për ndalimin e shtetasve: 

-F. Ç., 47 vjeç, dhe G. S., 55 vjeç, banues në Durrës, të dy me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim;  

-M. H., 37 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”; 

-J. K., 49 vjeç, I. L., 55 vjeç dhe H. L., 55 vjeç, të tre banues në Durrës, E. V., 59 vjeç, Sh. J., 55 vjeç, të dy banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprimtarinë doganore”, kryer në bashkëpunim; 

-R. B., 41 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim; 

-Sh. H., 39 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të ndaluara ose të kufizuara” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, më shumë se një herë, kryer në bashkëpunim; 

-N. B., 58 vjeç, dhe A. P., 35 vjeç, banues në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive, e bërë tej kufirit të normave të lejuara”, kryer në bashkëpunim; 

-K. A., 35 vjeç, banues në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në burg”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; 

-I. M., 47 vjeçe, banuese në Durrës; M. P., 37 vjeçe; A. D., 46 vjeçe; K. S., 34 vjeçe; B. T., 40 vjeçe dhe E. M., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”; 

-M. Z., 49 vjeçe, banuese në Elbasan, me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë vijon puna për kapjen e shtetasve: 
-E. D., 46 vjeç; Y. K., 46 vjeç dhe H. S., 42 vjeç, banues në Turqi; M. I., 43 vjeç banues në Vlorë; A. Sh., 48 vjeç, banues në Tiranë; M. K., 68 vjeçe, banuese në Tiranë; P. Q., 55 vjeç, banues në Elbasan; Xh. G., 37 vjeç, banues në Durrës; D. S., 43 vjeç, banues në Tiranë; D. S., 57 vjeç, shtetas kroat; Gj. S., 43 vjeçe, banuese në Lushnjë; O. P., 40 vjeçe, banuese në Lushnje; dhe I. H., 61 vjeç, shtetas gjerman.

Shtetasit e mësipërm dyshohen për kryerjen e veprave penale në fushën e menaxhimit dhe kontrabandimit të mbetjeve. 

Vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.

Materialet iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.