Një protestë në Torino, e organizuar për të kundërshtuar mbylljen e qendrës sociale Askatasuna, doli jashtë kontrollit të shtunën në mbrëmje dhe u kthye në përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe policisë.
Marshimi kishte nisur pa probleme dhe kishte mbledhur mijëra njerëz nga e gjithë Italia. Por pas rënies së natës, grupe personash të maskuar u shkëputën nga turma dhe tentuan të thyejnë kordonët e policisë në lagjen Vanchiglia.
Në atë moment situata u përshkallëzua. Protestuesit hodhën shishe dhe gurë, përdorën bomba tymuese dhe mjete ndezëse artizanale, dogjën kazanë mbeturinash dhe një automjet të blinduar të policisë. Sipas autoriteteve, në përplasje u përdorën edhe objekte të shkulura nga rruga, si mobilje urbane dhe shtylla ndriçimi.
Policia reagoi me gaz lotsjellës, topa uji dhe ndërhyrje për të shpërndarë turmën. Përplasjet zgjatën më shumë se një orë dhe lanë pas dhjetëra të plagosur.
Si pasojë e dhunës, të paktën 29 efektivë policie u plagosën dhe u dërguan në spital. Një prej tyre u rrethua nga protestuesit dhe u godit rëndë me shkelma, grushte dhe mjete të forta, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pas ngjarjes, qeveria italiane reagoi ashpër. Kryeministrja Georgia Meloni dhe drejtues të tjerë të lartë e dënuan dhunën, duke thënë se nuk bëhej fjalë për protestë paqësore, por për sulm ndaj shtetit dhe forcave të rendit.
Ngjarja ka rihapur debatin në Itali për mënyrën se si menaxhohen protestat dhe për masat e sigurisë, ndërsa policia po vazhdon hetimet për të identifikuar personat përgjegjës për dhunën.
Komente









