Me trungje të djegur, dhe e zhveshur nga bimësia. Kjo është pamja e kodrës që shtrihet mbi qytetin e Laçit drejt kishës së Shna Ndoit.

Pamjet janë bilanci ndër vite i zjarreve në këtë zonë. Sikur të mos mjaftonte mungesa e investimeve për ripyllëzimin, përgjegjësit nuk kanë ndërhyrë as për pastrimin, çka do i hapte rrugë rigjenerimit natyrorë.

“Bashkia Kurbin të pakten duhet të kishte pastruar zonën. Natyra bën rikuperimin. Pastrimi do i hapte rrugët ripyllëzimit të shpejtë. Kjo lloj pishe mund të ringjeneronte dhe pa ripyllëzime të reja”, thotë Albert Ndoci, specialist pyjesh.

Përballë heshtjes dhe shkaterrimit të pyjeve, natyra ka filluar të hakmerret. Për Albert Ndocin, specialist pyjesh, kjo situatë është bërë shkak dhe për erozionin dhe vërshimin e ujrave në drejtim të qytetit të Laçit.

 “Laçi nuk është përmbytur asnjëherë. Bimësia mban një rezervë të madhe prurjesh nga reshjet. Kjo është shkak kryesor për erozionin. Prandaj po ndodhin dhe përmbytjet”, shton ai.

Bashkia e Kurbinit thotë se për zonën ka një projekt mbarshtrimi, në të cilin fillimisht përfshihet pyllëzimi, por pa një afat për realizimin dhe rikthimin e gjelbërimit në kodrën historike të qytetit.