Bosnja e Hercegovina sot shënon 29 vjetorin e masakrës së Srebrenicës. Kjo masakër është më e rënda në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8 mijë burra dhe djem myslimanë në enklavën e Srebrenicës, që ishte caktuar si “vend i sigurt” nga Kombet e Bashkuara.
Më 9 korrik 1995, udhëheqësi atëhershëm serbëve, Radovan Karadziç lëshoi një urdhër të ri për të pushtuar Srebrenicën. Trupat rrethuan enklavën dhe sulmuan paqeruajtësit holandezë duke marrë peng 30 prej tyre.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
Një ditë më pas, më 10 korrik, ushtarët serbë të Bosnjës filluan të bombardojnë Srebrenicën. Forcat holandeze kërcënuan serbët se do të kishte goditje ajrore të NATO-s, nëse nuk tërhiqeshin deri në mëngjes.
Dhe të nesërmen, avionët e NATO-s bombarduan tanket serbe jashtë Srebrenicës. Forcat serbe kërcënuan të rifillonin bombardimin dhe të vrisnin ushtarët e kapur holandezë. Goditjet ajrore u ndalën dhe në mbrëmjen e 11 korrikut, komandanti i serbëve të Bosnjës, gjenerali Ratko Mlladiç hyri në Srebrenicë.
Rreth 30 mijë refugjatë myslimanë u grumbulluan rreth bazës së paqeruajtësve holandezë në Potoçari, në veri të qytetit të Srebrenicës, pasi forcat serbe të Bosnjës morën nën kontroll zonën e sigurt.
Mlladiç u përpoq t’i qetësonte duke u thënë se nuk kishin pse të kishin frikë. Forcat serbe të Bosnjës i futën refugjatët e frikësuar nëpër autobusë, për kinse të largoheshin. Shumë nga refugjatët u evakuuan në Kladanj, 50 kilometra larg dhe prej andej filluan të ecnin për të gjetur një strehë të sigurt.
Kombet e Bashkuara vunë re se shumica e refugjatëve që mbërrinin nga Srebrenica ishin gra, fëmijë dhe të moshuar dhe filluan të shqetësohen për fatin e burrave.
Rreth 15 mijë ushtarë dhe civilë myslimanë të Bosnjës u larguan natën nga Srebrenica duke u përpjekur të arrinin në territor të kontrolluar nga myslimanët. Shumë vdiqën nga bombardimet dhe goditjet e snajperëve.
Gjatë javës pasoi rënia e Srebrenicës, rreth 8 mijë burra dhe djem mendohet se u vranë nga serbët e Bosnjës dhe u varrosën në varre masive.
Edhe pas më shumë se dy dekada pas vrasjeve, ende vazhdojnë të gjenden varre masive. Identifikimi i viktimave është i vështirë, pasi trupat ishin copëtuar nga ekskavatorët që i hidhnin në varre.
Çdo vit më 11 korrik, eshtrat e atyre që identifikohen gjatë vitit të fundit varrosen në Qendrën përkujtimore të Potoçari./KosovaPress
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)