DURRËS - Kandidati i koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Evropian”, Vangjush Dako ka zhvilluar një takim ne banorë të lagjes 13 në Plazh, ku bëri të ditur se në shtator nis projekti për investime të reja në këtë zonë.

“Në zonën e Plazhit kemi rikualifikuar hapësirat në dy mbikalimet e Plepave dhe Urës së Dajlanit, ku të gjithë e mbajmë mend se si ishte gjendja në këto mbikalime dhe si është bërë sot. Në muajt e ardhshëm nis projekti prej 3.5 milion dollarë për rikualifikimin e të gjitha daljeve drejt detit si dhe ndërtimin e shëtitoreve të reja, parqeve dhe këndeve të lojërave për fëmijë”, tha Dako.

Kandidati i majtë u shpreh më tej se zona e Plazhit ka qenë dhe do të mbetet potenciali më i madh i bashkisë së Durrësit dhe përmendi si investim tjetër të rëndësishëm furnizimin me ujë të pijshëm.

“Projekti më i ri për ujin e pijshëm me fonde të Bankës Botërore nis shumë shpejt, që në muajin shtator të këtij viti. Një vit pas nisjes së këtij investimi Durrësi dhe zona e Plazhit do të kenë tre herë më shumë ujë të pijshëm dhe kjo do të thotë që jo vetëm banorët do të kenë furnizim më të mirë, por edhe lokalet dhe mjediset në shërbim të turizmit gjithashtu”, u shpreh ai.

Dako deklaroi se, të gjitha këto projekte që po vihen tani në zbatim, duhet të kishin nisur vite më parë, por ato u mbajtën peng nga qeverisja e kaluar. Kandidati socialist ka shpjeguar se vetëm pasi ndërmarrja e ujësjellës kanalizime kaloi në varësi të bashkisë në shtatorin e vitit 2013, Banka Botërore nënshkroi marrëveshjen me qeverinë dhe bashkinë e Durrësit për financimin me 85 milionë dollarë për ujin e pijshëm dhe kanalizimet e ujërave të zeza. 

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)