Rezultatet zgjedhore
Në vitin 2013, PD kaloi në opozitë pasi koalicioni i saj arriti të mbilidhte 680 677 vota ose e thënë ndryshe 320 mijë vota më pak se koalicioni i majtë i udhëhequr nga Partia Socialiste. Vetëm dy vjet më pas, PD pësoi një humbje edhe më të rëndë në zgjedhjet lokale. Këtë herë, koalicioni i djathtë grumbulloi vetëm 528 mijë vota, një “hemoragji” prej 150 mijë votash. Përsa i përket votës së PD ajo u përgjysmua!! Në 2015-n, vetëm 317 620 qytetarë votuan për PD, nga 610 mijë që i besuan votën PD vetëm dy vjet më parë.
Këmbanat e alarmit për rezultatet e PD ranë edhe dy herë më shumë gjatë 2016-s, në zgjedhjet lokale të mbajtura në Dibër dhe në Ersekë. Ndërsa Erseka ka qenë një zonë ku e majta ka fituar edhe herë të tjera, rezultati i Dibrës ishte një rezultat dramatik për PD. Në një bastion të djathtë konkurronte një deputet si Sherefedin Shehu, që ka përfaqësuar Dibrën në Parlament në disa mandate, përballë një kandidati relativisht të panjohur të PS, e cila vuante edhe nga skandali që solli shkarkimin e kryetarit të mëpërshëm, Shukri Xhelilit. Rezultati final ishte 56,3% për Muharem Ramën e PS, përballë 43,7% për kandidatin e djathtë. Katër vjet më parë, në zgjedhjet lokale 2011, diferenca në favor të PD ishte “shtypëse”, 41 mijë vota kundër 24 mijë votave të PS me gjithë aleatë.
Qëndrime kontradiktore
Gjatë këtij mandati kanë qenë të shpeshta qëndrimet kontradiktore të PD, e cila shpesh ka kundërshtuar projekt-ligje që gjatë kohës së saj në qeveri i kishte përkrah. Megjithatë, rasti që ilustron më qartë nga të gjithë qëndrimet kontradiktore të PD është vota për integrimin e Shqipërisë në BE dhe qëndrimi përballë reformës në drejtësi.
Në 8 nëntor, PD hyri në histori kur grupi Parlamentar i kryesuar nga deputeti Aldo Bumçi votoi në Bruksel kundër propozimit të Komisionit Europian për të rekomanduar nisjen e negociatave për Shqipërinë. Përsa i përket reformës në drejtësi, PD e ka kundështuar atë që në fillim, duke përdorur argumentin shpesh argumentin e përputhshmërisë së saj kushtetuese. Debati për Byronë Kombëtare të Hetimit, zgjedhja e prokurorëve e gjyqtarëve me 2/3 apo 3/5, roli i ri i Prokurorit dhe Gjykatës Kushtetuese, etj, janë përdorur vazhdimisht nga PD për të bllokuar miratimin e reformës, pavarësisht qëndrimit të vendosur të partnerëve amerikanë dhe europianë, që kanë konfirmuar në një pafundësi rastesh “shëndetin e plotë” të reformës.
Rasti i fundit kontradiktor ishte apelimi në Gjykatën Kushtetuese i ligjit të vetingut, me argumentin e një përkthimi të gabuar zyrtar të versionit të Venecias. Komisioni i Venecias argumentoi se gjithçka ishte në rregull me vetingun dhe Gjykata Kushtetuese u shtrënguar të pranonte këtë argumentim. Megjithatë, kjo fushatë ligjore e PD bëri të mundur që përfundimisht negociatat me BE të mos hapeshin, me BE që tashmë vendos zbatimin e vetingut si kushtin e vetëm për të ecur më tej. Objektivi i arritur, nuk do të ketë negociata përpara zgjedhjeve, qeveria nuk mund të “mburret” me këtë arritjet, por me çfarë kosto për shqiptarët ama?
Lidership i kontestuar
Që prej zgjedhjeve aspak transparente, në të cilat Lulzim Basha mposhti alternativën Sokol Olldashi me 80% te votave të 41 mijë anëtarëve të PD që votuan, PD duket se është përçarë midis disa grupimeve, ndërsa Basha mbetet i kontestuar nga një numër i madh i personave me më shumë influencë brenda PD. Rasti i fundit është ai i Majlinda Bregut, e cila votoi pro integrimit të Shqipërisë në BE, duke sfiduar linjën zyrtare të partisë, por publikisht ose jo, Basha është sfiduar nga shumë figura të rëndësishme të PD, si Astrit Patozi, Jozefina Topalli, Ridvan Bode, Igli Cara, Bedri Hoxha, Genc Ruli, Mesila Doda (e larguar nga PD për tek PDIU), Ilir Rusmali, etj.
Program inekzistent
Gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit, Partia Demokratike nuk ka paraqitur ende asnjë program qeverisës dhe nuk ka bërë ende të njohur se si qeveria e djathtë, në rast se zgjedhjet fitohet nga opozita, do të zbatojë premtimet e panumërta që ka dhënë deri tani.
Katër vjet më parë, në 2013-n, PD theu çdo rekord, duke paraqitur programin (ndonëse më shumë se program ishte vetëm një listë premtimesh) vetëm në 25 maj, vetëm një muaj përpara zgjedhjeve dhe duket se edhe në 2017-n, kjo “traditë” nuk do të ndryshojë.
Deri më tani, partia më e madhe e opozitës dhe lideri i saj, Lulzim Basha, kanë dhënë vetëm disa ide të vagullta mbi orientimet që ata do të ndjekin. Ajo që deri më tani PD ka premtuar, në rast fitoreje është ulja e çminit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, eliminimi i taksës progresive, ulja e TVSH-së, rritja e pagave të administratës dhe pensioneve me 50%, rritja e subvencioneve për bujqësinë, rritja e investimeve në infrastrukturë, rritja e pensioneve, etj. Për të zbatuar këto premtime, PD i duhet të rrisë buxhetin me 1,3 miliardë euro më shumë që në vitin e parë, çka mund të bëhet vetëm duke garantuar një rritje ekonomike prej 38% ose duke rritur borxhin kombëtar në nivelin e 90% të PBB-së.
Struktura dhe degë të ç’organizuara
Himara ka tani një kryetar më 27% të votave të delegatëve të PD. Pra 1/3 e përqindjes që ka PD në këtë bashki. Në Selenicë, përçarje dhe heqje emrash, në Bashkinë Vlorë pas dy rioganizimeve nga Enkelejd Alibeaj dhe Arben Ristani, vjen “puna” e Flamur Nokës. Dega e Vlorës po katandis gjysma e asaj që ka qenë në ditën më të zezë. Duke llogaritur edhe kalimin e çamëve me PS, rezultati ka shumë gjasa të jetë si në 2013 pse jo dhe më i dobët.
Në qarkun Gjirokastër ka përplasje të forta në kryesi, për shume kohë gjysma e kryesisë ka bojkotuar mbledhjet. Në Berat, PD po mbyll një proces riorganizimi. Probleme në degën kryesore, por edhe në ato më të vogla. Genc Pollo ka lënë pas një tokë të djegur. Në Fier, PD duket si një bakllava e ndarë në thela. Votat e çamëve pritet të jenë vendimtare, kalimi i tyre majtas, me një degë ku PD nuk merr dot 25% të votave politike, debate, përjashtime e konflikte të brendshme fushata dhe rezultati ne përfundim duken të frikshme.
Në Durrës prej muajsh e muajsh PD nuk ekziston. Shkarkohet kryetari, ndahet dega, tani ska as zgjedhje. Ribashkohet dega emërohet kryetar i ri, pa kryesi. 3 apo më shumë klane që përplasen. PD në Durrës është në ditën e saj më të zezë.
Në Elbasan, dega ka një kryetar që e ka pasur deputet, por edhe drejtues në opozitë. Në zgjedhjet e fundit rezultati ishte më shumë se i turpshëm. Në qarkun Korçë, dega më e madhe ajo e bashkisë me të njëjtin emër është problemi kryesor. Dega është thuajse e shpartalluar. Një kryetar dhe një kryesi inekzistente. Totalisht në gjumë pa asnjë aktivcitet politik. Në zgjedhjet e fundit lokale PD pati përfaqësimin më të ulët historik. PD aktualisht drejtohet nga një ish-kryetar i PDR. Ndërhyrjet e Eno Bozdos dhe Fatbardh Kadillit e kanë përçarë më tej. Atje ekzistojnë të paktën tre klane, më i dobti është ai i kreut të degës, organizimi nuk ekziston në degë.
Në Devoll ka probleme të forta drejtues grupseksionesh dhe seksionesh kanë ikur me LSI dhe PDIU. Në Pogradec s'ka degë. Në qarkun e Dibrës analiza nuk ka asnjë vlerë. Zgjedhjet lokale të pak muajve më parë flasin vetë.
Në qarkun e Shkodrës, mund të thuhet se janë tre rryma që veprojnë. Malësia e Madhe ka jo pak probleme pas shkarkimit të kryetarit dhe riorganizimit, Puka në thesin e votave edhe e mesatarizuar të jetë nuk ndikon. Në qarkun e Lezhës, po përpiqen që gjërat t'i mbajnë në heshtje. Një degë me probleme dhe një kundërshtar të egër dhe të kriminalizuar. /Lexo.al
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com