TIRANË-  Shënohen 30 vjet nga ngjarjet e dhjetorit 1990,  që shënjuan për herë të parë tronditjen e regjimit komunist.  Natën e 8 dhjetorit 1990, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore ‘90. Të organizuar ata marshuan nga 'Qyteti Studenti' drejt  qendrës së Tiranës.

Por çfarë ndodhi? Atë natë, marshimi i tyre ndaloi mes qytetit të tyre dhe bulevardit të Tiranës, pa mundur të kryqëzohej me rrugën e asnjë prej intelektualëve apo pedagogëve. Rradhët e tyre ishin shtuar minutë pas minute dhe turma kishte mbërritur deri në 1000 vetë… 

Por në errësirë, policë me skafandra, sambistë (forcat speciale) dhe agjentë të shumtë të Sigurimit të Shtetit u shfaqën nga të gjithë anët. Ata  përdorën çdo mjet për t’i thyer…  Por studentët nuk u ndalën, as atë natë dhe as në ditët që pasuan. Të nesërmen me 9 dhjetor, studentët konfirmuan një kërkesë të qartë drejtuar Ramiz Alisë, e ndarë në disa pika, ku kërkonin në vija të përgjithshme pluralizmin politik, lirinë e fjalës dhe përshpejtimin e reformave demokratike.

Protestat  do të vazhdonin edhe për dy ditët në vijim deri në datën 11 dhjetor në mbrëmje kur në takim me Ramzi Alinë  u konfirmua edhe pluralizmi politik, të cilin e shpallën menjëherë pas kthimit nga ai takim, duke nisur edhe organizimet për themelimin e Partisë Demokratike. Lëvizja Studentore do të vijonte me organizime e protesta edhe në ditë te para të vitit 1991 deri në ditët e grevës së urisë, kulmuar  mesditën e 20 shkurtit 1991, kur Studentët të mbështetur nga pedagogët dhe shumë qytetarë të Tiranës,  zbarkuan në sheshin Skënderbej, duke  rrëzuan përfundimisht diktaturën komuniste dhe duke sjellë për shqiptarët lirinë e  munguar gjatë pothuaj gjysmë shekulli.

Në këtë ditë nuk kanë munguar mesazhet nga të gjitha forcat politike në vend.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Veliaj ironizon Bashën: Ditën e Rinisë u rikthye te oligarkët, që çirrej e sulmonte deri dje! Sot na ofron si model për të rinjtë një plak 77-vjeçar (VIDEO)

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka ironizuar ditën e sotme kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili Ditën e Rinisë ka zgjedhur ta përkujtojë me dhjetra ekrane LED në Expo City, një prej qendrave tregtare për të cilat deri dje çirrej kur sulmonte oligarkët. Por, kryebashkiaku i ka provuar me fakte liderit demokrat, nga salla e re e Liceut Artistik ku zhvilloi bashkëbisedimin me studentët e ekselencës, se puna në drejtim të shkollave dhe të rinjve është ajo që bërtet më shumë se çdo fjalë, pasi tregon për prioritetin që të rinjtë kanë për secilën forcë politike. 

“Ata po takohen në një qendër tregtare, tregon pak a shumë kulturën që promovojnë. Deri dje i shanin qendrat tregtare, sot janë pjesë e përkrahjes së qendrave tregtare. Ne, në fakt, takohemi në një shkollë, sepse secili prej nesh në fakt shkon aty ku e thërret puna e vet. Jam sot shumë i lumtur që në këtë sallë të rikonstruktuar të Liceut, që sigurisht do gumëzhijë vitin tjetër, ne të kemi ndërtuar një etalon që e kemi replikuar edhe te salla “Adi Hila”, edhe te një pafundësi shkollash të tjera,” u shpreh Veliaj. 

“Secili prej nesh edhe në mënyrën se si legjitimon, qoftë edhe veprat publike, tregon se ku i ka prioritetet. Kush është te qendrat tregtare, që deri dje donte t’i digjte dhe kush është për kopshtet, shkollat, çerdhet dhe auditorët që do i ngelen qytetit edhe kur ne të mos jemi më këtu,” shtoi më tej kryetari i Bashkisë së Tiranës. 

Nga ana tjetër Veliaj tha se ndryshim të madh ka edhe vetë modeli për të rinjtë sot në politikë mes Partisë Socialiste që promovon gjithnjë e më shumë të rinj në struktura vendimmarrëse dhe Partisë Demokratike që evokon ende enverizmin. 

“Edhe në politikë kemi ndryshime. Ne sot jemi krenar që 30% e Këshillit Bashkiak e kemi përfaqësues të të rinjve. Kemi disa deputetë të rinj. Kemi hapur një garë për të shtuar të tjerë. Ndërkohë, shkojmë nga pala tjetër që na ofrohet Sali Berisha, 77 vjeç do jetë vitin tjetër dhe do rikthehet për një tentativë të tretë për të ardhur në krye të shqiptarëve. Unë them që “enverizmi” vazhdon akoma. Na ofrohet një model 77-vjeçar, me një histori shumë të errët të menaxhimit të punëve të vendit që na kthehet si ofertë në “Ditën e Rinisë”, edhe si kandidat në zgjedhjet e ardhshme,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se për PS, fokusi është te arsimi, se ku ka arsim ka dije dhe ku ka dije ka vendimmarrje të saktë.

“Ku ka injorancë dhe ku ka padije, vazhdojnë akoma votohen 77-vjeçarët që erdhën si fitimtarë mbi enverizmin dhe vazhdojnë enverizmin edhe sot e kësaj dite si ofertë politike,” deklaroi ai.

Ora 11:33
'Mos u habisni'/Braçe: I uroj Berishës ditën e themelimit të PD! U kthye nga mik i partisë në sundimtar i saj

Në 30 vjetorin e Lëvizjes Studentore, zv. kryeministri Erion Braçe e ka nisur me një urim më ish- kryeministrin Sali Berisha. "Mos u habisni", shkruan ai, teksa përtej vlerësimeve për kontributin e dhënë para 30 vitesh, shkruan se Berisha gjatë këtyre viteve është shndërruar nga “një mik i Partisë Demokratike”, në sundimtar i saj.

"Mirëmëngjes! Mos u habisni; Dua ti uroj Sali Berishës ditën e themelimit të Partise Demokratike nga shoku Ramis Alia e shoku Sali Berisha! Nder e respekt përjetë atyre djemve e vajzave që e refuzuan atë farsë!

Prej farsës, Sali Berisha u kthye nga “një mik i Partisë Demokratike”, në sundimtar i saj, pushtues e varrmihës njëherësh i demokracisë aty, demokracisë në Shqipëri, i pari dhe i fundit në këto 30 vite që ka pushkatuar kundërshtarë në bulevardin e Dëshmorëve të Kombit!

Nga kjo dite, vlen mësimi; Ti themi gjerat siç janë në të vërtetë", shkruan Braçe.

 

Ora 10:47
30 vjet nga Lëvizja Studentore/ Basha homazhe në monumentin e Azem Hajdarit, i shoqëruar nga ish-deputetë të PD

Kreu i PD Lulzim Basha ka bërë homazhe në monumentin e Heroit të Demokracisë, Azem Hajdari, në Qytetin Studenti në nderim të lëvizjes studentore të 8 Dhjetorit 1990.

Në këto homazhe ai është shoqëruar nga disa ish-deputetë të PD.

Këto homazhe vijnë sot në këtë ditë që shënohen 30 vjet nga ngjarjet e dhjetorit 1990,  që shënjuan për herë të parë tronditjen e regjimit komunist. 

Natën e 8 dhjetorit 1990, rreth 300 studentë nisën atë që më vonë u quajt Lëvizja Studentore ‘90. Të organizuar ata marshuan nga 'Qyteti Studenti' drejt  qendrës së Tiranë

Ora 09:41
30 vjet nga Lëvizja Studentore/ SHBA: 8 dhjetori, një ditë për t’u siguruar që sakrificat që ata studentë bënë nuk do të harrohen

Foto e publikuar nga Ambasada Amerikane

Një mesazh në 30 vjetorin e Lëvizjes Studentore, e ka pasur edhe Ambasada Amerikane në Tiranë!

"Urojmë të gjithë shqiptarët teksa festojnë Ditën Kombëtare të Rinisë, e cila këtë vit shënon 30 vjetorin e lëvizjes studentore që solli rrëzimin e komunizmit më 8 dhjetor, 1990. Sot është një ditë për të nderuar studentët e guximshëm, të cilët protestuan kundër diktaturës dhe sollën demokracinë e lirinë në Shqipëri, si dhe për të vlerësuar përparimin që është bërë në këta 30 vjet nga Shqipëria, tashmë një anëtare e plotë e NATO-s dhe drejt rrugës së Bashkimit Europian. Është gjithashtu edhe një ditë për t’u siguruar që sakrificat që ata studentë bënë nuk do të harrohen, dhe për të nderuar ata që ende kontribuojnë për një Shqipëri më të mirë. Shtetet e Bashkuara do t’a mbështesin gjithnjë populin shqiptar në këtë udhëtim. Krah Për Krah", shkruhen në njoftim.

Ora 09:35
30 vjet nga Lëvizja Studentore/ Meta: Koha për restart

"Koha për restart"! Kështu shkruan presidenti Ilir Meta në 30-vjetorin e Lëvizjes Studentore. 

"Gëzuar 8 Dhjetorin 1990!  Të bekuarën Ditën Kombëtare të Rinisë, Ditën e Studentëve, Ditën e Misionarëve që vranë frikën për të ndezur Pishtarin e Lirisë dhe Demokracisë në vendin e shqiponjave! Sot përulemi me mirënjohje të veçantë ndaj Lidershipit Heroik të Azem Hajdarit dhe atyre djemve e vajzave, të cilët u përplasën të parët me Dhunën e regjimit, duke frymëzuar një popull të tërë për kryengritje paqësore.
Nderojmë shpërthimin e vullkanit të guximit marramendës rinor për të përmbysur regjimin më të ashpër izolues dhe shtypës në kontinent, por ndihemi dhe po aq borxhlinj që në tre dekada nuk kemi bërë aq sa duhet për të qenë aty ku e meritonin sakrificat e tyre.
Koha për restart!  Për rivendosjen e Demokracisë dhe Llogaridhënies!  Për ta bërë Shqipërinë, si gjithë Europa! Unë besoj shumë në shpirtin energjik të të rinjve të Shqipërisë dhe në fuqinë e aftësive të tyre për ta transformuar dhe përmirësuar cilësisht të ardhmen e popullit tonë.   Koha për restart! Për të guxuar! Për t’u bashkuar! Që Rinia të marrë në dorë fatet e saj dhe të mbarë vendit! Nëse jo Rinia, kush tjetër? Nëse jo sot, kur?Do t’ia dalim me sukses sepse nuk kemi rrugë tjetër", shkruan Meta. 
 

 

 

Ora 09:22
30 vjet nga Lëvizja Studentore/ Basha: T'i nderojmë të rinjtë me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa

1591096256_basha.jpg

Në ditën e 8 dhjetorit, kryedemokrati Lulzim  Basha uron me thirrjen e rinisë. 

"Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t'i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa! E duam Shqipërinë si gjithë Europa!  Kjo ishte thirrja e tyre, teksa kapërcenin barrierat policore dhe dhunën e regjimit. E duam Shqipërinë si gjithë Europa! 30 vjet më parë, heronjtë e rinisë shqiptare ndryshuan përgjithmonë fatin e Shqipërisë. Ata luftuan për liri, për demokraci, për të drejtat e njeriut - dhe fituan.  Në 30 vjetorin e lëvizjes së dhjetorit le t'i nderojmë ata me zotimin për të bërë realitet Shqipërinë si gjithë Europa", tha Basha. 
 

Ora 09:03
8 dhjetori/ Rama: 30 vjet janë shumë, por jo dhe aq! Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë

Kryeministri Edi Rama ka përçuar një mesazh në ditën e rinisë. Mesazhin e tij e ka shoqëruar me një fotot të tij, si pjesë aktive e kësaj lëvizje studentore.

"30 vjet janë shumë në rrugën e një njeriu, por jo edhe aq në rrugën e historisë së një vendi e sidomos kur kjo është koha e kalimit nga një diktaturë ekstreme, në një demokraci funksionale. Bëhen plot 30 VJET sot nga dita, apo më saktë mbrëmja e daljes së studentëve në rrugën pa kthim të daljes prej diktaturës. Vite të jashtëzakonshme në jetën e shoqërisë sonë dhe një privilegj i jashtëzakonshëm të qenurit pjesë aktive e përpjekjeve përgjatë kësaj rruge, së bashku me nderin e madh të udhëheqjes së vendit në 7 vitet e fundit, pavarësisht thinjave të shtuara me një shpejtësi marramendëse në këto vite", shkruan Rama.

Ora 08:12
Sot 8 dhjetori i rinisë, Kryemadhi: Momenti për të lënë pas dështimet e kësaj qeverie, të realizojmë ëndrrën e tyre europiane

Sot përkujtohet 8 dhjetori, Dita e Rinisë në Shqipëri, ku 24 vjet më parë protestat studentore përmbysën regjimin komunist.

Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e ka kujtuar këtë ditë me anë të një statusi në “Facebook” ku shkruan se është koha e të rinjve. Ajo ka theksuar se do të vazhdojë të mbështesë të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime.

"30 vjet më parë, rinia e Shqipërisë ndezi një shpresë të re duke i dhënë vendit tonë një drejtim të ri. Kurajoja dhe vizioni i tyre çeli rrugën e afrimit të vendit tonë me familjen Europiane. Ashtu si të rinjtë e 30 viteve më parë, është rinia e sotme që mund t’i japi Shqipërisë drejtimin e ri për të cilin kemi nevojë. Një Shqipëri ku kushdo gjen shpresë, ku të gjithë kanë mundësi për punësim të mirëpaguar, ku çdo shqiptar ëndërron ta bëjë Shqipërinë shtëpinë e tij.

Unë do të vazhdoj të mbështes të rinjtë, jo vetëm me fjalë por me veprime, sepse është rinia e sotme që do të krijojë një të nesërme më të mirë në Shqipëri. Ne duhet të punojmë për të mbështetur fort brezin e ri dhe t’i japim atyre të gjitha mundësitë që kanë nevojë për të qëndruar në Shqipëri", tha ajo.

Sipas  kryetares së LSI ky është momenti i duhur për t’u integruar në Europë.

"Kemi nevojë për ndihmën e brezit të ri, që ta ndihmojë Shqipërinë të distancohet nga dështimet dhe që misioni kombëtar ‘Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Europa’, i cili ka 30 vjet që kumbon si thirrje, të mos përplaset më në murin e një politike që nuk dëgjon, por vetë ata të ndërtojnë Shqipërinë shtëpi të tyre. Shqipëria duhet të flasë më shumë me zërin e të rinjve të mrekullueshëm që kemi! Është koha e tyre!Le t’i dëgjojmë", shtoi ajo.

Prej vitit 2009, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nder të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare kur më 8 dhjetor një grup studentësh e pedagogësh të Universiteteve të Tiranës, banorë të qytetit “Studenti”, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike.