“Kam 30 vjet pastor dhe kompjuteri im është njeriu”. Kështu e nis rrëfimin e tij në “Esencë” pastor Paulin Vilajeti.
Atë e duan të gjithë dhe gjithkush për të ka një fjalë të mirë për të thënë. Arsyeja mund të jetë e pashpjegueshme, por është e kuptueshme për një njeri që jetën e tij ua ka dedikuar njerëzve. Ai erdhi në program me emocionet më të pastra dhe njerëzore, na emocionoi ashtu sikurse mori emocione të forta nga njerëzit më të dashur në jetën e tij.
“Nuk kam pasur një fëmijëri të lehtë. Kam qenë i llastuar dhe i mësuar me kujdes, mendoja që duhej të sillesha me këdo ashtu. Për këtë sjellje kam përjetuar dhunë fizike”-kujton pastori.
Ai përlotet kur përpara i shfaqet fotoja e prindërve të tij, për të cilët ka brendësuar emocionet, shembullin dhe kujtimet më të bukura. Ndershmëria dhe kultura e punës janë dy karakteristika që ai thotë se ka trashëguar nga prindërit e tij.
Ishte vetëm 17-vjeç kur luajti në filmin “Qortimet e Vjeshtës” edhe pse në një rol episodik, e kujton si një moment fatlum në jetën e tij atë mundësi që iu dha asokohe. Koha ime e rinisë nuk ka qenë një kohë e lavdishme-kujton ai me shaka dhe batuta.
“Kam bërë shumë qejf”.
Nëse nuk do e kishte pranuar Zotin në jetën e tij, ai rrëfen se ndoshta jeta e tij sot, do ishte një kthesë krejt tjetër. Më pëlqente ekstremi i aventurave, jam rritur si një njeri aventurier.
Një video mesazh nga dy miqtë e tij të ngushtë aktori Arben Spahia dhe Astrit Fani e emocionojnë pastorin. Nuk munguan mesazhet nga fëmijët që ai ka ndihmuar dhe iu është gjendur pranë. Emocionet u shtuan dhe vulosën me surprizën e Piretës, vajzës së rritur në familjen e pastorit me të cilën ai ka një lidhje të fortë dhe krejt të veçantë.
Një nga momentet më të vështira në jetën e pastorit ka qenë viti i errët 1997. Ai e kujton atë si një prej kohëve më sfiduese në jetë.
“Nëse nuk do të kisha Lulin grua, gjithkush tjetër do më kishte shkatërruar jetën”, shprehet ai për bashkëshorten e tij me dashurinë dhe konsideratën më të lartë.