34 vite pas nisjes së aktivitetit të saj, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë thotë se mbrojtja e të drejtave dhe garantimi i Kushtetutës mbeten në thelb të misionit të institucionit.
Gjatë aktivitetit ‘Ditët e Hapura” të organizuar me këtë rast, Gjykata Kushtetuese, mirëpriti studentë nga universitete publike dhe private, të cilët patën mundësinë të njihen nga afër me funksionimin e Gjykatës dhe rolin e saj në sistemin e drejtësisë.
Në një mesazh të përcjellë me këtë rast, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Fjona Papajorgji, thekson se përgjatë këtyre viteve, institucioni ka pasur në themel të punës së tij besimin te drejtësia dhe te respektimi i të drejtave të çdo individi.
“Për ne, në qendër të çdo vendimmarrjeje qëndron njeriu, liria dhe të drejtat e tij. Çdo vendim nuk është vetëm një përgjigje për një çështje konkrete, por edhe një mesazh për shoqërinë mbi drejtësinë dhe barazinë”, shprehet Papajorgji.
Ajo shton se rruga përpara kërkon përkushtim, profesionalizëm dhe integritet, ndërsa nënvizon se Gjykata Kushtetuese do të vijojë të jetë një garant i qëndrueshëm i Kushtetutës dhe një zë i fortë në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve.
Komente









