Ndue Lugja, ish-student i dhjetorit në vitet 1990 kujton lëvizjen e asaj kohe që solli rrëzimin e regjimit komunist dhe ardhjen e demokracisë. Në një intervistë për “Shtypi i ditës dhe ju” në Report TV, ai flet për unitetin e jashtëzakonshëm që i bashkonte të rinjtë, duke sfiduar rrezikun me të cilët përballeshin. 

“Në ato momente ne nuk kishim frikë se na bashkonte uniteti mes njëri-tjetrit, unitet i cili nuk ekziston sot. Në atë kohë kishte unitet të përbashkët dhe asnjëri nuk e nënvlerësonte vetveten mbi të tjerët. Sot  mendoj se si ka mundësi kam pasur aq guxim në atë kohë kur jeta ishte në fije të penit, në rrugë kishte polici me shkopinj e skafandra dhe ne u shkonim përballë. Do ta bëja sërish”, u shpreh Lugja. 

Lugja theksoi se Sali Berisha shkoi te studentët si ndërmjetës i Ramiz Alisë. Ai tha se i kishin kërkuar që të digjte teserin e Partisë së Punës, sikurse vepruan të tjerët. Por, sipas tij, Berisha iu kishte thënë se nuk e kishte teserin me vete. 

“Berisha ka ardhur te ne si ndërmjetës i Ramiz Alisë, mes studentëve erdhi. Por më pas, meqenëse aty ai erdhi Gramoz Pashko, Meksi, Rruli, Preç Zogaj, shumë intelektualë. Atë ditë ai s’e kishte teserin e partisë. Po, i kërkuam Berishës të digjte teserin e partisë, nuk e kishte me vete. Ka qenë anëtar i asaj partie. Të tjerët i nxorrën dhe i djegën. Ai nuk e kishte me vete. U tërhoq nga roli i ndërmjetësit me Ramiz Alinë dhe atë rol e mori Skënder Gjinushi dhe u fut totalisht me ne. Mirëpo, u krijua partia e PD. Krijimi i partisë së PD erdhi si pasojë e takimit të studentëve me Ramiz Alinë.", shtoi ai. 

Kujtoi edhe një diskutim të bërë me Berishën së fundmi lidhur me ‘luftën’ për vulën e logon e PD.

“Më kujtohet në një debat me Sali Berishën, më duket vitin e kaluar apo dy vjet përpara, për përvjetorin e Azem Hajdarit. I kam thënë doktor pse shkon në gjykatë duke kërkuar vulën e logon. Ndër themeluesit jemi një pjesë këtu. I ftojmë të gjithë dhe ne jemi logoja dhe vula e PD-së.”, tha ai.

Një koment bëri edhe për PD sot, dhe gjendjen në të cilën ajo ndodhet. Lugja theksoi nevojën e përfshirjes së të rinjve në parti, por po ashtu edhe angazhim më të madh në protesta. 

"Inovacion në PD duhet të ketë, prurje të rëeja duhet të ketë por jo prurje me ata që ti ke afër dhe mbështetur. Ka shumë të aftë në Shqipëri që mund të ecin përpara. Të rinjtë mund ta çojnë. Në protestat fillojnë, përfundojnë dhe ik në shtëpi. Protesta duhet të jetë e përditshme, e vazhdueshme dhe nëse do të fitosh pushtet në Shqipëri. Njerëzit janë të zhgënjyer, janë të lodhur. Nuk është demokracia që ne ëndërruam. Shajnë Ramën, por kur vjen problem për të dalë në shesh të gjtiha janë te shtëpia dhe klubi.", shtoi ai.