ELBASAN - Universiteti “Aleksandër Xhuvani” i Elbasanit ka filluar pranimin e dosjeve nga studentët që do të transferohen pas mbylljes së disa universiteteve private. Aktualisht janë dorëzuar 20 dosje të plota dhe vazhdon plotësimi i dokumentacionit për transferimin e studimeve në programet e studimit ekuivalente me ato të ndjekura më parë.

Këkesat më të mëdha janë për fakultetin e Infermieristikës, Ekonomik dhe Fakultetin e Shkencave të Edukimit. 

Drejtori i Kurrikulave dhe Standardeve në “A. Xhuvani”, Bujar Muharremi deklaroi se po ndiqen të gjitha procedurat me qëllim që dosjet mos të skualifikohen nga komisionet Ad Hoc të cilat gjithashtu do të kenë kritere të veçanta për pranimin e këtyre studentëve.

"Në universitetin tonë janë 20 kërkesa të pranuara. Ka edhe disa kërkesa të tjera të cilat kanë mangësi dokumentacioni ku ne i kemi udhëzuar për ta plotësuar këtë lloj dosje në mënyrë që dosja të jetë e plotë dhe nga komisioni Ad Hoc mos të eliminohet ndonjë kandidat për mungesë dokumentacioni në dosje." u shpreh Muharremi

Edhe vetë fakultetet do të vendosin një rënditje në bazë të kuotave të pranimit që do të përcaktojnë duke i dhënë përparësi edhe mesatares së studentëve që do të kërkojnë transferimin në Universitetin shtetëror.

Këtë vit në Universitetin e Elbasanit janë mbyllur disa degë dhe janë kufizuar programe studimi kryesisht në departamentin e gjuhëve të huaja por edhe në shkenca humane dhe ato sociale. Në këtë universitet vazhdojnë studimet e larta rreth 13 mijë studentë.