TIRANË - Në 13 janar të vitit 2000 udhëtonin drejt Brindisit dy avokatë italianë. Quheshin Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perrota.
I pari qe një arbëresh i njohur, të paktën që atë çast kur studioja e tij në Kozenca mori përsipër mbrojtjen e palës shqiptare në ngjarjen e tragjedisë së Otrantos, ndodhur të Premten e Shenjtë të vitit 1997, 28 mars.

Xhuzepe dhe kolegu i tij Françesko shkonin për të marrë pjesë në seancën gjyqësore të radhës. Rrugës makina e tyre doli nga superstrada dhe u përplas. Vdiqën në vend Xhuzepe Bafa dhe Françesko Perota, u plagos Mikelanxhelo Ruso, bashkëpunëtor i të dy avokatëve.

Ngjarja në fillim u njoftua nga teleteksti i Rai-t, por më pas nuk u transmentua me fjalë apo figurë nga asnjë edicion kryesor lajmesh të televizionit italian, përfshi tre rrjetet kryesore kombëtare. Të nesërmen ishte “La Repubblica” që në rubrikën “Shkurt” e bënte publike ngjarjen me titullin “Taranto, 2 avokatët humbasin jetën”. Në mbititull rrinte dyfjalëshi që e kategorizonte ngjarjen si “aksident rrugor”. Në të njoftohej po ashtu se, ndërsa ishin nisur nga Kozenca, incidenti u kishte ndodhur një ditë më parë në superstradën Taranto-Grotalie.

Mes heshtjes së përgjithshme u tregua e ndjeshme edhe “Il Messaggero”. Hapi një copëz hapësire, sa për dy rradhë, edhe ajo në rubrikën informative “Shkurt”. Në masmedian kombëtare italiane gjithçka për këtë ngjarje dridhëse ishte “shkurt”. Vetëm me pak fjalë, fare pak. Por nuk kishte heshtur një gazetë rajonale, me qendër Firencen dhe që shitej nëpër disa pika edhe në qytete të tjera të vendit, kryesisht nëpër stacione trenash. Ishte “La Nazione”, e përditshme e lidhur me mjedise të qendrës së djathtë, atë kohë strukturë politike në opozitë. Në fillim të vitit 2000 në qeverisje vijonte koalicioni “Ulliri” i qendrës së majtë, formacion politik që ishte në pushtet edhe në ditën tragjike të 28 marsit 1997.

“La Nazione” kishte kryer një gjë krejtësisht të veçantë: një ditë para se të humbte jetën avokati Xhuzepe Bafa dhe bashkëpunëtorët e tij, i kishte botuar këtij një intervistë. Arbëreshi, i zgjedhur edhe kryetar i Urdhërit të Avokatëve të qytetit të Kozencës, i kishte deklaruar gazetarit Xhovani Morandi se anija italiane “Sibilla” atë natë të lemerishme të 28 marsit kishte shkelur ligjet ndërkombëtare detare dhe i qe afruar më shumë nga sa i lejohej, anijes shqiptare. Madje pati thënë se njerëzit e anijes ushtarake italiane as që ishin munduar të shpëtonin shqiptarët që po mbyteshin. Vetëm pak nga ata që ishin mbi kuvertë ja dolën fizikisht dhe notuan drejt luftanijes, kishte saktësuar.

Më vonë, pothuaj në fund të intervistës, kishte lënë nga pas edhe fjalët rrënqethëse “Kam frikë se mos më vrasin”. Tani që vdekja e tij kishte ndodhur, “La Nazione” shkrimit funebër i jepte titullin më gërmëmadh të faqes së saj të parë: “Mallkimi i Sibilës”. Pas këtyre fjalëve thërriste si kujë nëntitulli “Vdes avokati i shqiptarëve. E kishte deklaruar “Kam frikë për jetën time”. Në brendësi të gazetës, një treçerek faqe speciale, titulli i dytë i shkrimit përsëriste që në krye fjalët e dhimbshme të njëzetë e katër orëve më parë: “Di sekrete, kam frikë”: vdes njeriu i çështjes Sibila”.

Në radhët e fundit, në një përpjekje për të qenë edhe brenda por edhe duarjashtë këtij denoncimi shungullues, gazetari me emrin Xhovani Morandi shkruante se pas kësaj vdekjeje familjet e viktimave ishin shprehur me fjalët e dëshpëruara “Bafa ishte e vetmja edhe e fundit shpresë jonë...Tani le të jenë të kënaqur”.
Ai vetë mendonte se incidenti i daljes nga rruga dhe i përplasjes kishte ndodhur ose nga asfalti i lagur prej shiut të asaj dite ose thjesht nga shpejtësia e madhe me të cilën po e ngitnin makinën. Ky kishte qënë edhe varianti zyrtar i ngjarjes.
 
Gjurmë të prishura nga shërbimi i fshehtë ushtarak i Marinës
Cikli prej katër shkrimesh që Xhovani Morandit në “La Nazione” u mbyll më 17 janar 2000. I fundit mbartëte me vete titullin e thekshëm “Çështja Sibila, provat nuk kthehen”. Në të vihej në dukje se prokurori i Brindisit, Leonardo Leone De Kastris, ngulte kembë se provat materiale të admiraliatit italian ishin të çensuruara dhe në to qe ndërhyrë.

Kështu ai deklaronte se nga një cikël fotosh të një filmi dy prej tyre ishin prerë, se po ashtu qe ndërhyrë në pjesën e filmuar të ngjarjes, të cilën e kishte kryer një marinar i Sibilës. Gjithnjë sipas De Kastris, në film qenë lënë vetëm 6 sekonda pamje dhe më pas, në shirit, kishte vetëm errësirë. Ndërhyrje prej zyrave të admiraliatit, i përgjigjej prokurori i Brindisit gazetës “La Nazione”, ishte kryer edhe në regjistrimet e zërave e urdhërave të dhëna para, gjatë dhe pas incidentit. “Zërat më parë ishin të pastër dhe më vonë u janë futur zhurrma”, deklaronte prokurori. Po kështu autori i shkrimit, Morandi, ngulte kembë se sipas Leonardo Leone De Kastris të dy admiralët që u muarrën në pyetje, kishin prirjen për t’iu shmangur përgjigjeve të drejtpërdrejta dhe se e përjashtonin përgjegjësinë e tyre.

Gazetari shtonte se kishte ndodhur edhe një fakt tjetër, të cilën për nga rëndësia e zbardhjes së tragjedisë së Otrantos të 28 marsit 1997, e konsideronte “me vlerën e një perle”. De Kastris i pohonte se admirali me emrin Bateli në ditët pas mbytjes kishte mbledhur oficerët, të cilët natën e incidentit qenë në çentralin operativ dhe u kishte dhënë direktivat se si duhej të vepronin më pas.

Por “perla” e vërtetë ndoshta ishte zbuluar një ditë më parë, më 16 janar, kur në “La Nazione” kapiteni i marinës italiane Anxhelo Luka Fosko pati pohuar atë që për tre vjet me radhë asnjë oficer i lartë italian nuk donte ta shqiptonte dhe për të cilën gjë dyshohej: anija italiane Sibila kishte marrë urdhër t’i afrohej  “Katerit të Radës“  deri në takim fizik. Kjo donte të thoshte edhe “gjer në përplasje”.
 
Kateri i Radës tashmë si monument 
Më shumë se një vit më pas, më 28 mars 2001, në Vlorë u zhvillua rituali i dhimbshëm, i përhershëm, i pjesëtarëve të familjeve të viktimave të katër viteve më parë. Përkujtimi i jetëve të humbura u bë si gjithnjë: prej molit të qytetit u hodhën në det tufa me lule.

Sipas gazetave kësaj radhe kishte ndodhur për herë të parë edhe nderimi i kujtimit të avokatit Xhuzepe Bafa. Nga po këto gazeta vetëm një muaj pas vdekjes së tij, qe mësuar se vetë komisioni parlamentar i politikës së jashtme i Kuvendit të Shqipërisë për arbëreshin i kishte propozuar Presidentit të Republikës një dekorim. Ndërkohë qeveria shqiptare emëroi një avokate emigrante në Bari si të ngarkuar të plotfuqishme të saj për ta ndjekur gjyqin. Në Brindisi u gjallërua një organizatë italiane joqeveritare me emrin “Vëzhguesi i Otrantos” dhe nëpërmjet një radioje nuk mungoi asnjëherë ta denonconte aktin e anijes ushtarake italiane “Sibilla” si një krim të vërtetë.

Presidenti Alfred Moisiu e dekoroi avokatin arbëresh Xhuzepe Bafa në pranverë të vitit 2003. Në 19 mars 2005 u mbyll proçesi gjyqësor për përgjegjësit penalë të mbytjes së të paktën 84 bashkëkombasve. Katër vite burg iu dhanë shqiptarit Namik Xhaferri, atëhere drejtues i “Kateri i Radës” dhe tre vjet italianit Fabricio Laudati, kapiten i anijes luftarake “Sibilla”. Në fundmaj 2005 avokatja shqiptare me banim në Brindisi, e ngarkuara prej qeverisë shqiptare, Natasha Shehu, tërhoqi vëmendjen e bashkëkombësve të saj duke deklaruar se qe bijë natyrale, e fshehtë, e Mehmet Shehut.

Ajo ndërkohë i qe drejtuar disa herë medias shqiptare duke nxjerrë në dukje se qe avokatja e viktimave të Otrantos. Pak kohë më pas e vetëquajtura bijë natyrale e kryeministrit komunist u akuzua prej familjeve të viktimave si shpërdoruese e një pjese të dëmshpërblimeve që u dha të mbyturve nga shteti italian. Kështu edhe u dorëhoq.

Shtatë vite rresht luftoi për të vërtetën prokurori italian Leone de Kastris. Po ashtu kontribuoi në mënyrë shumë të çmuar Gjeneral Franko Anxhoni, ato kohë Komisar i Jashtzakonshëm për ndihmat ndaj Shqipërisë. Ishte njeriu që luftoi për gjithçka, përfshi edhe dëmshpërblimet. Silvio Berluskoni, kur ndodhi tragjedia e 28 marsit 1997, ato çaste shef i opozitës, mbërriti menjëherë në portin e Brindisit dhe nga tronditja e asaj që kishte ndodhur, qau. Çdo vit qytetarë të Brindisit, të vetorganizuar në një kortezh, niseshin nga sheshi Vittoria dhe kur mbërrinin në skelë, hedhnin mbi det, në kujtim të shqiptarëve jetëhumbur, tufa me lule.

Në vjeshtë të vitit 2010 u zhvillua gjykimi në nivelin e Apelit dhe u prish vendimi për ta shkatërruar anijen që ende ruhej në një skaj të portit të Brindisit. Në fillim të vitit 2012 pjesa e saj kryesore u vendos në qytetin e Otrantos si memorial për të gjithë emigrantët. Për ta ndjekur më nga afër këtë ngjarje të fundit autori i këtij shkrimi pati korespondencë me kryetarin e bashkisë së Otrantos Luçiano Karidi dhe në një shkrim enkas pasqyroi kontributin e madh jo vetëm të autoriteve lokale italiane, të Institutit të Kulturave Mesdhetare të Provincës së Leçes, rolin e spikatur artistik të realizuesit, grekut Varocos, por edhe të veprimtarëve shqiptarë në Itali.

Shtëpia Bafa në EUR
Në lagjen EUR të Romës, në Largo Broki, ndodhet edhe shtëpia e Eloisa Bafës, motrës së Xhuzepes. Ajo punon në Ministrinë e Financave.
Me Eloizën jam njohur para se të ndodhte vdekja “aksidentale” e të vëllait. Arbëreshja e ka lidhur jetën me balerinin shqiptar Rudolf Gjoka. Ky punon në aeroportin roman të Fiumiçinos, tek shoqëria ajore italiane Alitalia.

Me Eloiza Bafën shqiptari mjaft elegant dhe i kultivuar është njohur në vitet 1991-92, në vendin e tij, në Tiranë. Ndërkaq djali i tyre i ka të gjitha cilësitë e një bashkimi gjaku të paprishur arbëresho-shqiptar: nuk lë dy gurë bashkë në një vend, gjen çdo mjet për të rënë në sy të mysafirit dhe orientohet rrufeshëm nga një inteligjencë e lindur.

Kur në 2003 bëra vizitën në atë shtëpi më lanë mbresa dy gjëra të veçanta: nëna e Eloizës dhe një foto e Xhuzepes. Nëna e tyre, ulur pranë nesh në një prej poltronave, ngjan me një arbëreshe klasike. Flet me konseguencë gjuhën e mëmëdheut të pothuaj gjashtë shekujve më parë. Dhe vetëm psherëtin.

Fotografia e Xhuzepes ndodhet në çdo kend të shtëpisë. Si një ikonë. Nëna lutet çdo minutë dhe qan. Përlotet krejt befasisht, në mes të bisedës më të qetë. Është një ngashërim që i ngulçon nga fundi i krahërorit, të paktën njëherë në dhjetë minuta. Fizikisht duket grua e fortë, po ashtu ka vetinë që çurgun e lotëve ta fshijë menjëherë me kurrizin e dorës dhe ta rinisë bisedën e mëparshme, të qetën, sikur të mos ketë ndodhur asgjë. Deri në çastin kur ngulçi i rivjen nga thellësia e krahërorit për ta mbytur në lotë. Si nuk vdes nga kjo raskapitje e dhimbje e përhershme!

Eloisa mbahet. Një motër, siç dihet, bën shumë për vëllanë e saj. Eloiza Bafa bëri çmundi që të sensibilizonte ambasadën shqiptare në Itali dhe autoritetet e larta në Romë dhe Tiranë për vëllanë e saj. Ajo përherë mendon se vdekja e Xhuzepe Bafës mund të jetë njëlloj aksident natyror dhe i kurdisur. I organizuar sigurisht jo nga qeveria italiane. Me dhjetra prova e dokumente, qendrime e biseda intime, për të cilat është në dijeni autori i këtyre radhëve, provojnë fisnikërinë e kabinetit qeveritar të kohës apo të klasës politike italiane.


Redaksia Online
(E.Ç./Shqiptarja.com)