Një ditë para se të zhvillohet testimi për kandidatët që kanë aplikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë”, kryeministri Edi Rama ka vizituar ambientet e Agjencisë Kombëtare të Provimit. I shoqëruar nga ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, Rama ndoqi nga afër zbatimin e masave të sigurisë në procesin e hartimit të testeve të mësuesisë.
 
Sipas ministres së Arsimit ky lloj testimi që aplikohet për herë të parë në vend, ka për qëllim të rekrutoj mësues në bazë të meritës dhe të luftojë korrupsionin. 

“Këtu është një kamera  e gjithë institucionit. Këtu janë vendet ku janë aktualisht të gjithë mësuesit. Ata janë në kushtet e një sigurie dhe transparence të plotë, vëzhgimi të plotë. Këtu ka bllokues të zhurmuesve të celularit. Padyshim që celularët mungojnë. Nuk ka asnjë lidhje me internetin për të pasur një besueshmëri dhe siguri maksimale të operacionit të hartimit të tekstit dhe deri te çuarja në vendet e testimit. Ata do të dalin vetëm pasi të mbyllet procesi i testimit dhe të fillojë mbledhja e testeve në 29 qendrat  e testimit “, shpjegoi ministrja Nikolla.

Për të hartuar përmbajtjen e testit janë angazhuar pranë AKP-së 30 specialistë, vlerësues të certifikuar në profile të ndryshme, nga Agjencia Kombëtare e Provimeve, Instituti i Zhvillimit Arsimor dhe Inspektorati Shtetëror i Arsimit.

Këta specialistë janë ngujuar në një nga ambientet e kësaj agjencie të cilët monitorohen rreptësisht nëpërmjet kamerave të sigurisë dhe nuk lejohen të kenë asnjë formë komunikimi me jashtë, duke mos pasur akses në internet, celularë apo të tjera mjete komunikimi.



Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)