KORCE- Një grabitje është regjistruar sot në orët e para të mëngjesit ku pre ka rënë një biznes privat. Ngjarja është regjistruar rreth orës 01.35, në fshatin Bulgarec të Korçës, ku grabitësit kanë grabitur një kasafortë brenda një pike të prodhimit të materialeve të ndërtimit.

"Policia është njoftuar se në fshatin Bulgarec, në biznesin privat (prodhime materialesh ndërtimi) të shtetasit L.L, kanë hyrë dy persona të maskuar dhe të armatosur, të cilët dyshohet se kanë vjedhur një sasi parash brenda kasafortës së biznesit dhe më pas janë larguar. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë të saj", shprehet Policia.

Shqiptarja.com, mëson se grabitësit kanë lidhur rojen nën kërcënimin e armës dhe kanë hyrë nga dritaret e katit të dytë dhe janë ngjitur në katin e tretë ku kanë gjetur kasafortën. Sipas të dhënave të siguruara nga Shqiptarja.com në vendgjarje, grabitësit kanë mundur të marrin shumën ditore të fundjavës që biznesi nuk i kishte derdhur ende në bankë. Behet fjale për 7-8 milionë lekë të vjetra.

Luan Larti, pronari i biznesit në polici ka qenë shumë i rezervuar mbi ngjarjen. Pronari i biznesit shprehet se është tronditur nga grabitja. Ai para pak ditësh ka humbur babain e tij ndërsa ngjarja e sotme siç shprehet e ai, “e ka lënë pa fjalë”.

grabitje ne korce

grabitje ne korce
Biznesi ku ka ndodhur grabitja

(d.b/Shqiptarja.com)