'Semafori', Bozdo: Urdhër i Ramës
do të bllokojë projektet e bashkisë

'Semafori', Bozdo: Urdhër i Ramës<br />do të bllokojë projektet e bashkisë
TIRANE - Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eno Bozdo ka vijuar akuzat sërish sot ndaj policisë së shtetit, lidhur me ndërprerjen e punimeve të Bashkisë për vendosjen e semaforit në rrugën “Asim Vokshi” në kryeqytet.

Sipas Bozdos ky është një akt i jashtëligjshëm, duke e cilësuar këtë si një urdhër politik të kryeministrit Edi Rama. Bozdo tha se ndalimi i punonjësve të Bashkisë, vjen si përpjekje e qeverisë për të ndërprerë të gjitha punimet dhe projektet që ky institucion ka për kryeqytetin. 

Nënkryetari Bozdo nënvizoi se kjo është një marrëzi e radhës e kryeministrit Rama, që tashmë sipas tij merret edhe me semaforët e kryeqytetit.
 
“Sot, Policia e Shtetit përsëri ka bllokuar në mënyrë të jashtëligjshme punimet në nyjen e re semaforike. Sikur të mos mjaftonte rrëmbimi i punonjësve të Bashkisë së Tiranës dje, Policia përsëri ka thyer ligjin, ajo polici e cila duhet të jetë garant për zbatimin e ligjit dhe ka çnderuar edhe misionin e saj. Ne, tashmë e dimë se këtu kemi të bëjmë me një urdhër politik, urdhër që vjen drejtpërdrejt nga kryeministri Rama, për të bllokuar këtë projekt të Bashkisë së Tiranës, ashtu siç janë bllokuar me kohë edhe projekte të tjera.  Marrëzia ka mbërritur tashmë deri në nivelin kur kryeministri u ka hapur luftë edhe semaforëve të qytetit. Qytetarët e Tiranës duhet të kuptojnë se çdo ditë, çdo javë, çdo muaj, Bashkia e Tiranës përballet me bllokimin, me bllokimin e axhendës politike të kryeministrit.” u shpreh Bozdo.
 
Lidhur me këtë rast Bozdo i bëri apel policisë që të distancohen nga çdo veprim politik. Ai gjithashtu I bëri thirrje Prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla që të hetojë për rastin në fjalë si dhe diplomacisë ndërkombëtare që të monitorojnë sipas tij këtë shkelje.
 
“Tani, dy fjalë edhe për Policinë e Tiranës. U bëj thirrje qytetare që të shmangin keqpërdorimin politik, të mos bien në pozitat e INUK i cili po me urdhër politik bllokoi punimet në bulevardin e Tiranës, të nderojnë uniformën dhe misionin e tyre, të jenë garant të ligjit dhe jo të shkojnë në paligjshmëri. I bëj thirrje z. Adriatik Llalla, kryeprokurorit të Republikës që të hetojë me përparësi këtë rast flagrant të thyerjes së të drejtave të njeriut, të rrëmbimit në mes të ditës të 5 punonjësve të Bashkisë, qytetarëve të ndershëm, vetëm e vetëm se ata po bënin punën e tyre, në dobi të qytetit dhe komunitetit. Po ashtu, i bëj thirrje trupit diplomatik, ambasadave, organizatave joqeveritare që merren me monitorimin e respektimit të të drejtave të njeriut të mbajnë shënim dhe të raportojnë këto raste të thyerjes flagrante dhe të veprimit në paligjshmëri të plotë të një shteti policor i cili vepron vetëm me urdhëra politikë dhe veçanërisht në këtë rast në thyerje të plotë të ligjshmërisë.” përfundoi Bozdo, ndërsa lidhur me deklaratat e tij një ditë më parë se këto veprime të policisë janë klientelizëm I kryeministrit, ai theksoi se emrin do ta nxjerrë në kohën e duhur.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Fier/ Konsultimi në shkolla, Rama: Platformat sociale bëjnë biznes, edhe me fëmijët! TikTok frymëzon sjellje në kundërshtim me prindin apo mësuesin

Fier/ Konsultimi në shkolla, Rama: Platformat sociale bëjnë biznes, edhe me fëmijët! TikTok frymëzon sjellje në kundërshtim me prindin apo mësuesin