Me një akt normativ më 6 korrik, qeveria shqiptare ka financuar 4 milionë euro, për mbarëvajtjen e një prej aktiviteteve kulturore-artistike të vlerësuara si më të rëndësishmet vitet e fundit, koncertin e artistit të njohur ndërkombëtar, Kanye West (YE)

Financimi i pjesshëm i organizimit të koncertit nga qeveria, siç Report Tv mëson, është bërë për vetë ndikimin që ai sjell në promovimin e turizmit dhe imazhit të Shqipërisë.

Lajmin, e dha publikisht edhe kryeministri Edi Rama, teksa inspektoi punimet për ngritjen e stadiumit për 60 mijë spektatorë në hyrje të Tiranës, 4 ditë para koncertit të 11 korrikut.

“Ky është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat, partnerë shqiptarë, gjermanë, turq që kanë marrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale dhe shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë jo dhjetëra e miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë, që ne të garantojmë, që ata mijëra e mijëra njerëz të cilët kanë prerë bileta nga Evropa, nga Amerika, nga Australia, 80 shtete dhe janë më shumë deri tani që flasim, më shumë sesa ata që blenë biletat dhe erdhën për finalen e Conference League”, tha Rama. 

Shefi i mazhorancës tha nga “Eagle Stadium”, se nëse ky event: “do të mbetej pa realizuar, do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqyteti, sepse ata mijëra njerëz sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm, por sjellin dhe një impakt ekonomik hap pas hapi”.

Mbi 3.500 punonjës janë angazhuar në ndërtimin dhe përgatitjen e arenës. "Eagle Stadium" është ndërtuar në një sipërfaqe 65 mijë metra katrorë, në kilometrin e parë të autostradës Tiranë-Durrës. Çmimet e biletave që kanë mbetur online, variojnë nga 261 euro për kategorinë standarde deri në 340 euro për zonën VIP, ndërsa për vendet pa ulëse, bileta kushton 177 euro. Koncerti është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026, i cili nis në Shtetet e Bashkuara dhe vijon më pas në Azi dhe Europë.

Koncerti organizohet nga “Streetlife”, një kompani me bazë në Berlin dhe që ka punuar me artistë, si: 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar, Nicki Minaj etj, ndërsa në Shqipëri, aktiviteti mbështetet nga Redcloud (Tirana) dhe Live Label (Hollandë).