Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një inspektim në stadiumin Eagle Stadium, ku edhe do të mbahet spektakli i shumëpritur nga Kanye West. I shoqëruar nga Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja, Rama tha se qeveria është detyruar të japë 4 milionë euro për koncertin. Sipas kreut të qeverisë nëse ky event nuk do të realizohej do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqytetit.

“Përtej këtyre, është shumë e rëndësishme që të kihet parasysh që ky është një event i organizuar tërësisht nga grupi privat, partnerë shqiptarë, gjermanë, turq që kanë marrë përsipër gjithë këtë ndërmarrje kolosale dhe shteti shqiptar është detyruar të ndërhyjë vetëm dje për të dhënë jo dhjetëra e miliona euro siç thonë sorrat dhe korbat e bulevardit, por 4 milionë, që ne të garantojmë, që ata mijëra e mijëra njerëz të cilët kanë prerë bileta nga Evropa, nga Amerika, nga Australia, 80 shtete dhe janë më shumë deri tani që flasim, më shumë sesa ata që blenë biletat dhe erdhën për finalen e Conference League, ky event nëse do të mbetej pa realizuar, do të ishte një mundësi më pak për ekonominë e kryeqyteti, sepse ata mijëra njerëz sjellin një impakt ekonomik të menjëhershëm, por sjellin dhe një impakt ekonomik hap pas hapi.

Ajo finalja e Conference League, na solli ne gjithë atë bum turistësh nga Holanda dhe nga Italia. Ja, këto janë eventet se bota nuk janë budallenj që organizojnë evente të tilla, që natyrisht kërkojnë një shpenzim në fillim, por janë investime, investime. Investime për një Shqipëri tjetër që nuk ndalet, nuk kthehet prapa, të hidhen përpjetë ata që s’duan”, u shpreh Kryeministri Rama.

Spektakli i Kanye West konsiderohet një nga eventet më të mëdha muzikore të organizuara ndonjëherë në Shqipëri. Eagle Stadium, i cili ndodhet pranë autostradës Tiranë-Durrës, do të presë rreth 60 mijë spektatorë.

Çmimet e biletave fillojnë nga 120 euro, ndërkohë për vendet VIP ato arrijnë deri në 339 euro. Koncerti është pjesë e turit botëror të artistit për vitin 2026, që nis në SHBA dhe më pas vijon në Azi dhe Europë.

Koncerti organizohet nga “Streetlife”, një kompani me bazë në Berlin dhe që ka punuar me artistë, si: 50 Cent, Drake, Snoop Dogg, Kendrick Lamar, Nicki Minaj etj, ndërsa në Shqipëri, aktiviteti mbështetet nga Redcloud (Tirana) dhe Live Label (Hollandë).