Katër gra sipërmarrëse në Theth, Fushë Arrëz, Kelmend dhe Shkodër u nderuan sot me çmimin “Gra të suksesshme në zonat rurale” akorduar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Barazinë Gjinore dhe Fuqizimin e Grave (UN Women) në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve. Çmimi jepet për herë të parë si një mundësi për të njohur dhe nxitur rolin e grave në ekonomitë rurale si dhe për t’i ndihmuar ato në përmirësimin e biznesit të nisur.

Në fjalën e saj zj Semia de Tapia, përfaqësuese e UN Women në Shqipëri nënvizoi se ky çmim vjen si një tjetër nismë në mbështetje të fuqizimit ekonomik të grave. “Gratë sipërmarrëse janë e ardhmja e vendit. Gratë janë të afta të marrin vendime dhe të jenë konkuruese dhe ky çmim është një simbol i besimit që ne kemi në aftësitë e tyre. Ato janë modele për t’u ndjekur dhe ne shpresojmë që vitin e ardhshëm organizata të tjera ta mbështesin këtë çmim”, u shpreh Tapia.

Juria e përbërë nga gjashtë përfaqësues të institucioneve të mëposhtme: Ministria e Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit e Shqipërisë (MBUMK), Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPÇSSHB), Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA), Këshilli Shqiptar i Agrobiznesit (KSHA), Shoqata e Afaristeve Profesionale dhe Zejtarëve (SHAPZ) dhe UN Women në Shqipëri mori në shqyrtim sipërmarrje në zonat rurale që janë në pronësi të grave ose biznese me ortakëri në të cilën gratë janë partner aktiv i 50%, ose më shumë, si dhe që kanë operuar në treg për të paktën dy vjet pa ndërprerje. Pas një vlerësimi të kujdesshëm , juria përzgjodhi si fituese me motivacionin si gra sipërmarrëse të cilat kanë demonstruar kapacitete në udhëheqjen dhe manaxhimin e biznesit te tyre, si dhe kanë treguar angazhim në rritjen e kontributit të tyre në sipërmarrjet rurale:

Znj. Lule Gjecaj, Bujtina Gjecaj, Theth

Znj. Ardjana Laskaj, Fushë-Arrëz

Znj. Drita Thanasi, “Fryma e Kelmendit” , Kelmend, Malësi e Madhe

Znj. Satber Drishti, Punishtja Familjare SO-EL, Shkodër

Fitueset e çmimit ndanë me pjesëmarrësit copëza nga fillimet e karrierës së tyre në biznes, duke treguar vështirësitë, por edhe pasionin dhe vendosmërinë për të qenë aktive në zhvillimin e ekonomisë shtëpiake dhe asaj lokale. “Unë po bëj pjesën time, dhe po tërheq edhe gra të tjera që të merren me biznes edhe pse vendi nga unë vij është i vogël dhe pa shumë mundësi tregu”, -tha Adriana Laskaj nga Fushë-Arrëzi.

Në emër të Ministrisë së Bujqësisë, Tatjana Dishnica theksoi se sfida e përgjithshme e zhvillimit rural është pjesëmarrja e grave rurale në ekonomi. “Dhënia e këtij çmimi është një tregues i rolit të grave në ekonomitë rurale dhe një thirrje për të mobilizuar të gjitha energjitë dhe burimet në mbështetje të sipërmarrjes në fshat. Nuk mund të konceptohet zhvillimi i zonave rurale pa kontributin e gruas”, tha Dishnica.

Alida Tota, Drejtore e Drejtorisë për barazinë Gjinore dhe Familjen në Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta bëri një përmbledhje të nismave që qeveria shqiptare ka bërë për zgjerimin e të drejtave ekonomike të grave, duke nisur me reformën për të drejtat pronësore si dhe përparësinë që u jepet grave në skemat e subvencionit shtetëror. Flutura Xhabija, Presidente e Shoqatës së Afaristeve dhe Zejtareve vlerësoi rolin e UN Women për të bërë bashkë të gjithë aktorët që punojnë për fuqizimin e grave. “Varfëria nuk luftohet me fjalë. Një vend pune është baras me njëqind dekrete, ndaj duhet të bashkojmë forcat që gratë të gjejnë rrugën e tyre në tregun e punës”, tha zj Xhabija.

Sipas të dhënave, sektori i bujqësisë thith pothuajse gjysmën e forcës punëtore shqiptare dhe rreth 54 për qind të grave në nivel kombëtar, si dhe 89 përqind e grave në zonat rurale janë të angazhuara në bujqësi. Edhe pse kane pasur njëfarë përparimi, ende gratë dhe vajzat rurale luftojnë me shumë vështirësi. Ato zakonisht përballen me më shumë pengesa se sa burrat në arritjen e shërbimeve publike, mbrojtjes sociale, mundësive për punësim të denjë, tregjeve dhe institucioneve të tjera. Sipërmarrëset gra në zonat rurale në Shqipëri përdorin teknologjinë tradicionale, ato kanë shumë pak qasje në teknologjinë moderne, e cila mund t’i ndihmonte ato në aktivitetet e tyre prodhuese. Puna në fermë pengohet zakonisht nga mekanizimi i ulët dhe parcelat e vogla të tokës, dy faktorë që kontribuojnë në shfrytëzimin e pamjaftueshëm të burimeve rurale. Nëse gratë rurale do të kishin të njëjtën qasje në burime ashtu si burrat, ato mund të rrisnin rendimentin bujqësor, dhe nëse do të fuqizoheshin - ekonomikisht dhe shoqërisht - ato do të bëheshin udhëheqëse dhe agjente të ndryshimit për rritjen ekonomike, përparimin social, dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

(Gre.M/Shqiptarja.com)