TIRANË - Prindërit e nxënësve të fillores në  "Emin Duraku" në Tiranë kanë refuzuar të çojnë fëmijët në shkollë me një kërkesë drejtuar Ministrisë së Arsimit për të bërë më parë ekspertimin e godinës nga inxhinierët pas dëmeve të pësuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Godina e shkollës “Emin Duraku” ka pësuar dëmtime aktualisht në pjesën ku zhvillojnë mësim klasat fillore, e për pasojë nxënësit e klasave fillore janë spostuar në pjesën ku bëjnë mësim nxënësit e 9-vjeçares.

Por vendimi është kontestuar nga prindërit, të cilët kanë firmosur një peticion drejtuar Ministrisë së Arsimit, duke theksuar se nuk do t’i çojnë fëmijët në këtë shkollë deri sa t’u vihet në dispozicion certifikata e sigurisë për gjendjen e fizike të godinës së shkollës. Letra mban datën 9 dhjetor, ditë kur në Tiranë, Durrës e disa zona të tjera të prekura nga tërmeti, rinisi procesi mëismor pas 2 javësh, dhe mban firmën e 40 prindërve drejtuar ministres Besa Shahini.

Ka edhe nga ata prindërit të cilët nuk kanë firmosur peticionin, por që para se të çojnë fëmijët në shkollë kanë shkuar vet të shohin gjendjen nga afër. Drejtoresha e shkollës "Emind Duraku" tha se shkolla nuk paraqet rrezikshmëri, pasi vetëm një zone i është vënë shiriti i kuq pas inspektimeve të kryera nga ekspertët, ku nxënësve u ndalohet të kalojnë.