Rinisi sot procesi mësimor edhe në zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit

Dy javë pas tërmetit i 26 nëntorit që la pas 51 viktima, nxënësit dhe studentët sot do t'i rikthehen bankave të shkollës. Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka njoftuar se sot do të rinisë procesi mësimor në zonat e prekura nga tërmeti në Tiranë, Durrës, Vorë dhe Kurbin. Ndërsa për sa u përket shkollave të tjera, që janë së paku 30 të tilla, Ministria e Arsimit bën me dije se janë marrë të gjitha masat e duhura për zhvendosjen e nxënësve në shkolla të tjera deri në një moment të dytë kur të krijohen kushtet për të zhvilluar procesin mësimor normalisht edhe në zonat më të prekura nga tërmeti.

Procesi mësimor që u ndërpre për shkak të tërmetit të rënë më 26 nëntor, dhe sot ky proces do të rinisi edhe në dy qarqet më të prekura, atë të Durrësit dhe Tiranës. Ndërkohë të enjten e javës që lamë pas,  rinisi mësimi në qarkun e Lezhës, ndërsa për qarkun e Durrësit, bashkinë Kurbin, Vorë dhe Tiranë, sipas ministrisë së Arsimit, mësimi do të nisë më 9 dhjetor, të hënën e sotme.

Nga ana tjetër Rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni me anë të një urdhri të brendshëm njoftoi se procesi mësimor do të fillojë në datë 10 dhjetor. Ai shpjegoi, se vendimi është ndërmarrë pas informacionit nga administrata e UT, mbi sigurinë teknike të ambienteve në të cilat zhvillohet procesi mësimor.  Universiteti i Mjekësisë dhe Universiteti i Politeknikut kanë shtyrë procesin mësimor edhe për javën e ardhshme. Sipas njoftimeve zyrtare të të dy universiteteve procesi mësimor është pezulluar deri më datën 13 dhjetor. Përsa i përket universiteteve, ministrja Shahini u shpreh se ato janë autonome dhe se kanë bërë verifikimet e tyre.

Ndërsa për sa i përket Universitetit të Durrësit, ku ky qytet ishte një nga më të prekurit, mësimi do të rifillojë ditën e sotme. Në fillim të procesit mësimor do të mbahet edhe një konferencë në nder të 51 viktimave që shkaktoi tërmeti i 26-nëntorit, 24 prej të cilëve humbën jetën nën gërmadhat e godinave të shembura në Durrës.

Ndërkohë në 9 qarqet e Shqipërisë që nuk janë pjesë e zonës ku u shpall gjendjen e jashtëzakonshme, mësimi ka rifilluar normalisht me 2 dhjetor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:03
Durrës/ Sot nisi mësimi edhe pranë 'shkollave të përkohshme'

Ditën e sotme, procesi mësimor nisi edhe në “shkollat e përkohshme” pranë strukturave hoteliere në Durrës. Janë 4 shkolla të tilla tashmë, 2 prej të cilave shërbejnë si kopshte dhe 2 të tjerat shërbejnë për nxënësit e klasave 1-5. Në total është rreth 150 numri i fëmijëve, të cilët kanë zhvilluar mësim në këto struktura.  

Janë rreth 30 mësues të angazhuar për këto mjedise të përshtatura në strukturat hoteliere. Shërbimi nuk ofrohet vetëm në pjesën e paradites, por edhe në pjesën e pasdites, ku mësuesit do të shërbejnë për të ndihmuar nxënësit me detyrat e tyre të shtëpisë. E pranishme në “shkollat e përkohshme” në Durrës ishte edhe Zëvendësministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Znj. Lorena Haxhiu, e cila e ka ndjekur nga afër gjithë procesin e sotëm mësimor pranë këtyre strukturave nëpër hotele. 

Gjatë ditëve të para të mësimit në “shkollat e përkohshme”, mësuesit do të zhvillojnë me fëmijët veprimtari zbavitëse si lojëra, recitime, konkurse, vizatime etj., teksa gjatë zhvillimit të veprimtarive mësimore mësuesit do të përdorin gjithashtu metoda dhe teknika që nxisin ndërveprimin midis fëmijëve dhe mbështesin procesin e të nxënit, si dhe do të bëjnë kujdes që të mos krijojnë mbingarkesë me detyra për fëmijët. 

Ndërkohë, për pjesën tjetër të nxënësve (klasat 6-9 dhe klasat 9-12) është menaxhuar në mënyrë funksionale plani i zhvendosjes në shkollat pritëse në Durrës. Ata kanë patur transport të siguruar dhe janë mbështetur njëkohësisht nga oficerët e sigurisë të cilët kanë shoqëruar nxënësit për në shkollat pritëse.  Vlen të theksohet se përveç mësuesve ditën e sotme, ka patur një angazhim edhe nga ana e mësuesve ndihmës dhe punonjësve të shërbimit psiko-social në mënyrë që të garantohet mbarëvajtja e procesit mësimor.

Ora 15:02
Mësimi rinis me angazhim maksimal të shërbimit psiko-social

Sot ka rinisur procesi mësimor me një angazhim të plotë të psikologëve, mësuesve, oficerëve të sigurisë, stafeve pedagogjike dhe prindërve, duke organizuar biseda, aktivitete dhe veprimtari në funksion të të gjithë nxënësve dhe veçanërisht të atyre që kanë pasur pasoja nga tërmeti i 26 nëntorit.

Gjatë realizimit të këtyre veprimtarive në institucionet arsimore, po trajtohen edhe modulet dhe planet e veprimit të ardhur nga MASR, nëpërmjet një plani konkret e të detajuar që u është dërguar shkollave nga Njësitë e Shërbimit Psiko-Social.

Shërbimi Psiko-Social, me mbi 340 punonjës në terren, është duke asistuar të gjitha shkollat në Republikën e Shqipërisë, ndërsa më parë kanë zhvilluar edhe një seri trajnimesh nga pedagogë të Fakultetit të Shkencave Sociale, UT.

Në këtë ditë të rikthimit të procesit mësimor po punohet me udhëzimin për ndihmën e parë psikologjike për fëmijët sipas grup moshave të ndryshme/asistencë gjithashtu për mësues; orë më relaksuese dhe zbavitëse për nxënësit; evidentimin e rasteve konkrete nëpër shkolla; raportimi online në fund të ditës etj.

Ora 10:29
Tirana i kthehet jetës normale, shkollat rifillojnë mësimin, Veliaj: Më e mira është përpara (VIDEO)

Tirana ka lënë pas ditët e vështira të tërmetit dhe i është rikthyer jetës normale. Në një kohë që rreth 1000 familje të prekura janë sistemuar në banesat e reja, falë bonusit të qirasë të Bashkisë së Tiranës, në të gjithë kryeqytetin ka filluar normalisht procesi mësimor, ndërkohë që stafi pedagogjik dhe psikologët kanë punuar me nxënësit për ta kaluar këtë moment. Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ishte mëngjesin e sotëm në shkollën “Kosova”, ku theksoi se Tirana ka nisur rimëkëmbjen.

“Sot është ndierë pak si dita e parë e shkollës, pas një shkëputje prej tërmetit dhe fazës së emergjencave. Rekomandimi i çdo psikologu në botë është se pas një fatkeqësie natyrore, sa më shpejt rifillon jeta normale, aq më shpejt rimëkëmbet një qytet. Pasi kemi mbyllur palestrat, që deri dje u përdorën si qendra emergjence, sot u janë rikthyer nxënësve.  Shoh se përveç 1-2 mungesave për gripin e stinës, shumica dërrmuese e nxënësve ka ardhur në shkollë, ka filluar ora e parë dhe do të doja që kjo zile e orës së parë të ishte një zile kujtese se jeta vazhdon, se duhet të fokusohemi në rutinën tonë, në normalizimin e gjendjes në Tiranë”, theksoi Veliaj.

Ai tha se edhe në ato pak shkolla në kryeqytet që nuk janë hapur ende, do të meremetohen gjer në fund të dhjetorit. “Sot do të vazhdojmë jo vetëm me riparimin në ato pak shkolla, ku jam i sigurt që ka ende nevojë per meremetime të vogla që duhet të bëhen. Do mundohemi që t’i mbarojmë deri në fund të dhjetorit, që më pas viti i ri të rifillojë edhe aty, por në mbi 90% të shkollave në Tiranë kemi nisur rregullisht mësimin dhe pastaj për shkollat e tjera do jemi gati për t’u hapur në janar”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se një pikat e buxhetit të ri është ai për ndërtimin  e shkollave të reja, ku një vëmendje të veçantë do të kenë zonat rurale. “Nëse priremi pozitivisht do themi, e tëra është rikthyer në normalitet dhe do vazhdojmë të kurojmë gjëra të vogla që ende duhet t’i rregullojmë, sepse të mos harrojmë, ra tërmet. Kjo do të thotë që siç u dëmtuan banesat, patëm dëmtime edhe në shumë shkolla të amortizuara. Megjithatë, vendimi i Këshillit Bashkiak edhe në buxhetin e ri do të jetë që ne t’i ribëjmë këto shkolla nga e para. Një pjesë  të madhe të tyre tashmë i kishim përgatitur, por sigurisht, fokusi më i madh është në zonat rurale, aty ku edhe dëmtimi ka qenë i madh, prej shkollave të amortizuara”, nënvizoi kreu i Bashkisë.

Kryebashkiaku tha se Tirana ia ka dalë më së miri të kalojë situatën post tërmet, ndërsa shprehu bindjen se shekulli i dytë i Tiranës do të jetë akoma më i mirë. “Shpresoj që të gjithë të marrim pak nga kjo energji e fëmijëve teksa Tirana kthehet në normalitet, dhe teksa do vijojmë e do të punojmë në ato pak shkolla ku kemi nevojë për meremetime. E përgjithshmja është mirë, po menduam pozitivisht do bëjmë gjëra të mira; nëse mendojmë si viktima, do viktimizohemi pafundësisht. Ndaj, tani që njerëzit janë futur nëpër shtëpira dhe fëmijët kanë nisur mësimin, kemi bërë dy nga arritjet më të mëdha të një situate post tërmet. Besoj që më e mira për Tiranën është përpara”, u shpreh Veliaj.

 

Ora 10:00
Tiranë/ 18 shkolla nuk do të rihapen sot, transferohen rreth 10 mijë nxënës


Në Tirane janë 18 shkolla që nuk do rihapen sot. Konkretisht 9 ne zonën urbane dhe 9 në zona rurale. Gazetarja e Report Tv, Doris Sallaku bën me dije se janë rreth 10 mijë nxënës që janë transferuar në shkolla të tjera.

Për ditën e parë të rinisjes së shkollës është përdorur një strategji e veçantë, pak me ndryshe se normaliteti. Ora e parë ka nisur me trajnime se si duhet të veprohet ne rast tërmeti apo emergjence.

Ndërkohë ka edhe disa ndryshime të vogla në orar, si kufizim rreth 20 minuta pasi në shkollat që do zhvillohet me dy turne, të mos zgjasë deri vonë.

Gjimnazi Sami Frashëri do jetë në rikonstruksion deri në janar, dhe nxënësit do transferohen të shkolla Lidhja e Prizrenit dhe te Qemal Stafa. Ndërsa për shkollat ku ka nisur mësimi janë bërë disa here kontrolle për verifikimin e sigurisë.

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë