TRAGJEDI/ 50 viktima nga tërmeti! Forcat e kërkim-shpëtimit tre ditë operacione nën rrënoja (VIDEO)

TIRANE- Një bilanc tragjik shënoi tërmeti i fuqishëm i së martës në Shqipëri, 50 jetë të këputa në mes. Fëmijë, burra, gra, të moshuar, të rinj, familje që u shuan nga tërmeti 6.4 ballë i shkallës Rihter në orën 03:54 të mëngjesit të 26 nëntorit. Pak pas mesnate, teksa hyri data 29 nëntor, ekipet italiane të shpëtimit që i erdhën në ndihmë popullit shqiptar si shumë partnerë të tjerë të huaj, nxorën nga rrënojat dy trupat e fundit të pajetë, atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje, dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek "2 Gjelat" po në qytetin bregdetar.

Operacioni i kërkim shpëtimit në Thumanë të Fushë-Krujës, aty ku u shembën thuajse totalisht tre pallate, përfundoi një natë më parë. Si për ironi të fatit, janë shënuar 24 viktima në Durrës dhe 24 në Thumanë, ndërsa dy të rinj humbën jetën në Kurbin, njëri duke u hedhur nga ballkoni i tmerruar nga tërmeti dhe tjetri në aksident me makinë duke shkuar në spital pas dëmtimeve nga lëkundjet. Forcat e ushtrisë shqiptare, zjarrfikëset, forcat speciale, emergjencat civile dhe grupet e shpëtimit nga vendet partnere, Italia, Franca, Turqia, Serbia, Kosova, Rumania, Kroacia, Zvicra, Greqia etj, u bënë bashkë, për të nxjerrë trupat nga rrënojat. pati duartrokitje të shumta në momentet përlotëse të nxjerrjes gjallë të banorëve, por edhe heshtje të kobshme të nxjerrjes së viktimave. Heronj që nën kushte të vështira dhe aspak të favorshme të motit të keq nuk pushuan derisa e përmbyllën misionin me nxjerrjen nga rrënojat të të gjithë trupave.

Ngjarja tragjike që përfshiu Shqipërinë ngjalli ndjenjën humane të shumë qytetarëve, vendas e të huaj, që dhuruan ushqime, vlera monetare por mbi të gjitha lutje, për të prekurit nga tërmeti. Qeveria ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe në Durrës, ndërsa 27 nëntori, dita e parë pas tërmetit u shpall ditë zie. Dita e shpalljes së pavarësisë  u kujtua vetëm me ngritjen e flamurit ndërsa u anuluan të gjitha aktivitetet zyrtare. Mësimi në të gjitha shkollat në Shqipëri është anuluar deri me 2 dhjetor. Të mbijetuarit po strehohen në hotele, çadra, ashtu sikundër shumë të tjerë kanë zgjedhur t'i kalojnë netët në makina pranë shtëpive të tyre të dëmtuara nga frika se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga hajdutët. Prej ditës së tërmetit të fortë e deri në vijim gazetarët e Report Televizion dhe redaksisë online të Shqiptarja.com kanë ndjekur të gjitha zhvillimet e një prej fatkeqësive natyrore më të rënda që ka kaluar vendi.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 01:09
Duartrokitje e falenderime/ Grupi italian i shpëtimit largohet nga Shqipëria: Rrëfimet e misionit për të nxjerrë trupat nën rrënoja (VIDEO)

Kreu i grupit të zjarrfikësve italianë, Nicola Cianelli, në një rrëfim për Report Tv tregon detajet e operacionit të kërkim shpëtimit në këto tre ditë që ata u vunë në krah të shqiptarëve pas tragjedisë së tërmetit. Për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, ai thotë se grupet italianë të shpëtimit kanë punuar me kujdes të madh për të mos dëmtuar personat që shpresonin se mund të gjenin të gjallë nën rrënoja, edhe pse fatkeqësisht e mbyllën me nxjerrjen e një të pajeti, Ilir Lalës, i cili kishte humbur edhe 7 pjesëtarë të tjerë në rrënojat e vilës 4 katëshe në zonën e ish-kënetës.

Ai thotë se Italia i ka pajisjet që ndihmojnë në këto operacione me të cilat ai është mësuar pasi Italia është prekur shumë herë nga tërmete të mëdha. E rëndësishme - thotë Cianelli - është që edhe qeveria shqiptare të shikojë një plan për të pasur pajisjet që duhen për t ëpërballuar të tilla fatkeqësi natyrore.

E quan si çdo tërmet që ka ndodhur në Itali dhe kudo ndërsa thotë se grupet e shpëtimit italianë nuk patën shumë mundësi të shihnin nëse pallatet shqiptare ishin të fortësisë që duhet apo nëse kishin probleme. Në përfundim të misionin, ekipi italian është larguar me duartrokitje ndërsa nuk kanë munguar falenderimet nga të dyja anët, një shenjë solidariteti dhe mirënjohje!

Ora 00:08
Nxirret edhe trupi i fundit i pajetë te '2 Gjelat' në Durrës

Pak minuta më parë është nxjerrë nga rrënojat edhe një tjetër viktimë tek një pallat në zonën e njohur si '2 Gjelat' në Durrës. Viktima është Xhuljeta Gjonaj.

Ora 00:07
Shqipëria nuk gjen paqe, tjetër goditje e fortë tërmeti


Vijon vala e goditjeve nga tërmeti. Në mesnatë Shqipëria është lëkundur nga një tërmet me magnitudë 4.8 ballë i shkalles rihter me epiqendër në Rubjekë të Durrësit.

Ora 00:02
Nxirret trupi i fundit i pajetë i familjes Lala te Këneta në Durrës

Në mesnatë është nxjerrë trupi i pajetë i Ilir Lalës nga rrënojat te vila në Kënetë, që është edhe i fundit nga anëtarët e familjes Lala që u shua nga tërmeti. Trupi i pajetë është nxjerrë nga forcat italiane. Tashmë po kërkohet vetëm tek një pallat në zonën e njohur si '2 Gjelat', ku sipas informacioneve po kërkohet për një trup të pa jetë, që mund të jetë nën rrënoja.

Ora 20:37
Pronarët i hoqën kolonat e katit të parë të pallatit për të hapur verandën e kafenesë...tragjedia që mund të ishte shmangur te 'Dy Gjelat' në Durrës

DURRËS- Zgjerimi i një kafeneje me verandë, e cila që në fillim është kundërshtuar nga banorët, ka sjellë një tragjedi në një pallat në zonën e njohur si "Dy Gjelat" në qytetin e Durrësit.

Siç raporton gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, pronarët e këtij lokali zgjeruan biznesin e tyre me një verandë dhe për këtë hoqën kolonat, mbi të cilën mbahej një anë e pallatit. Një veprim i tillë pati pasoja të rënda. Nga lëkundja e fortë e 26 nëntorit, dy katet e para të këtij pallati u zhytën në tokë, teksa banesat në katet e tjera nuk kanë pasur asnjë problem. 

Një tragjedi kjo e cila vjen nga dora e njeriut dhe jo e Zotit, e që mund të ishte shmangur. Nga rrënojat e këtij pallati është nxjerrë trupi i Nafije Rexhepit, 74-vjeç dhe të Xhuljeta Gjonajt.

Ora 19:58
Manastirliu në spitalin e Durrësit: Riorganizuam shërbimin e urgjencës, puna në orët e mbrëmjes po vijon normalisht 

Pas izolomit të pjesshëm të një prej hyrjeve të urgjencës të spitalit të Durrësit, shërbimi i urgjencës është riorganizuar nga hyrja kryesore e spitalit për të funksionuar me kapacitet të plotë.  Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu e cila po ndjek nga afër situatën në spitalin e Durrësit tha se janë marrë të gjitha masat për t'i shërbyer çdo qytetari të lënduar.

"Është rionganizuar shërbimi i urgjencës nga hyrja kryesore e spitalit. Janë marrë të gjitha masat sipas protokolleve për të pritur çdo qytetar të lënduar dhe puna po vijon normalisht", tha Manastirliu.

Manastirliu tha se aktualisht në spitalin e Durrësit po trajtohen 22 të lënduar, ndërsa pjesa më e madhe e të lënduarve kanë lënë spitalin. Ministrja në një dalje të mëparshme së bashku me inxhinierin Agron Hysanbelliu tha se pas vlerësimit të godinës u vendos që spitali i Durrësit nuk ka dëme në strukturë dhe nuk përbën rrezik.

Që nga momenti i rënies së tërmetit të parë në spitalin e Durrësit janë trajtuar rreth 345 pacientë, të cilët kanë marrë shërbimin e nevojshëm mjekësor.

Ora 17:49
Ministria e Shëndetësisë: Mbi 2 mijë të lënduar kanë marrë shërbim në spitale

1574787308_1574783624TERMET12.jpg
Ministria e Shëndetësisë deklaron se ka shkuar në 790 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 700 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit. 
Aktualisht janë të shtruar 62 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që janë në observim intensiv dhe një e plagosur nga tërmeti në gjendje të rëndë në spitalin e Traumës.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë kryer 886 vizita mjekësore për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa 335 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Thumanë dhe Durrës.  Urgjenca kombëtare ka përballuar 4411 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 1106 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.

Ora 17:49
Nxirret një tjetër trup i pajetë në 'Dy gjelat' në Durrës

Një tjetër trup, fatkeqësisht i pajetë është nxjerrë nga rrënojat në zonën "Dy gjela" në qytetin e Durrësit. Viktima është Nafije Rexhepi, 74-vjeç. 

Ora 17:08
Nxirren trupat e pajetë të nënës dhe tre fëmijëve në vilën e familjes Lala në Kënetë

Ekipet e kërkim shpëtimit kanë nxjerrë nga rrënojat në vilën 4 katëshe të shembur në zonën e Kënetës katër trupa të pajetë. Ata janë pjesëtarë të familjes Lala, disa prej të cilëve janë nxjerrë më herët të pajetë.

Viktimat janë binjakët 2-vjeçarë Dionis dhe Dionisa Lala, nënën e tyre marjeta Lala, dhe vëllain tjetër Emilio Lala. Nga rrënojat janë nxjerrë nëna me tre fëmijët e saj. Ndërkohë vijojnë kërkimet për xhaxhain e tyre Ilir Lala, i cili është i paralizuar.

Ora 16:14
Dyshohet për dy persona të mbetur nën rrënoja, specialistët francez vijojnë kërkimet në zonën e 'Dy Gjelave' në Durrës

Specialistet franceze te emergjencave civile dhe efektive të Komandës Mbështetëse të Forcave të Armatosura vijojnë operacionin e kërkim shpëtimit në Durrës, zona e njohur si 'Dy Gjelat'. Në këtë vend, sipas informacioneve paraprake po kërkohet për dy trupa.

Ora 16:04
Manastirliu në spitalin e Durrësit: Nuk ka dëmtime strukturore të spitalit, puna do vijojë normalisht (VIDEO)

Pas vlerësimit të inxhinierëve dhe drejtuesve të Institutit të Ndërtimit, spitali i Durrësit rezulton pa dëmtime strukturore, por me dëme që do të riparohen menjëherë. 
“Sapo morëm vlerësimin nga ekspertët që nuk ka dëmtime strukturore të spitalit dhe puna do të vijojë normalisht, vetëm do të bëjmë një zhvendosje të hyrjes së urgjencës deri në riparimin e dëmeve”, tha Manastirliu në prononcimin e dhënë për mediat. 

Duke vlerësuar punën e palodhur të stafeve mjekësore, Manastirliu tha se do të vijojë gjendja e gatishmërisë në spitale me staf të përforcuar.

Ora 15:53
Mbyllet kërkimi tek hotel 'Mira Mare' në Durrës, sipër rrënojave vendoset flamuri shqiptarë (VIDEO)

Pak minuta pasi u nxor trupi i pajetë i 41-vjeçarit, Sotiraq Misha, në rrënojat e hotel Mira Mares është mbyllur puna e grupeve të kërkim shpëtimit. Në maj të pirgut me rrënoja është vendosur edhe një flamur shqiptarë në shenjë solidariteti me viktimat që la pas shembja e këtij hoteli.

Ora 15:44
Tërmeti në Shqipëri, universiteti 'Aleksandër Moisiu' në Durrës pezullon mësimin deri më 6 dhjetor

1574952424_al.png

Universiteti "Aleksandër Moisiu" në Durrës ka vendosur pezullimin e procesit mësimor për javën e ardhshme deri më 6 dhjetor. Ndërkohë, në tre godinat universitare janë bërë verifikimet e duhura dhe gjendja paraqitet pa probleme. Të rinjtë po vijojnë të japin ndihma për të prekurit nga tërmeti.

Ora 15:38
Nxirren të gjithë personat nga rrënojat në pallatin 6 katësh në Durrës, ekipet e shpëtimit mbarojnë operacionin

Ekipet e kërkim shpëtimit kanë mbyllur operacionin në pallatin 6 katësh në lagjen numër 18 në Durrës, pranë Kryqit të Kuq. Në këtë pallat u shuan dy familje, ndërsa pas dy dtëve nga tërmeti kërkimet janë mbyllur pasi nga familjarët dhe të gjithë të njohurit nuk mendohet të ketë asnjë person tjetër nën rrënoja.

Ora 14:56
Me tre qen nuhatës, grupet kroate mbërrijnë në gërmadhat e hotel 'Mira Mare' për të bërë kontrollin e fundit

Forcat kroate janë paraqitur në gërmadhat e hotel Mira Mare për të bërë kontrollin e fundit në këtë zonë, nëse ka apo jo ende viktima nën to. Nga këto gërmadha është nxjerrë edhe viktima që mendohet se është e fundit, 41-vjeçari Sotiraq Misha. Forcat kroate janë të pajisura me tre qen nuhatës që do të kontrollojnë të gjithë zonën. Nëse qentë lehin do të thotë se ka ende viktima nën rrënoja. Ndërkohë grupet e kërkim shpëtimit janë ndalur për shkak se nuk është raportuar për person tjetër nën rrënoja.

Ora 14:35
U nxor trupi i fundit, ndërpritet puna e kërkim-shpëtimit në rrënojat e hotel 'Mira Mare' (VIDEO)

Pas nxjerrjes së trupit të pajetë të një 41-vjeçari, Sotiraq Misha nga rrënojat, ekipet e kërkim shpëtimit kanë ndërprerë punën. Ashti si edhe në Thumanë, nga informacionet e marra, si dhe nga dëshmitë e banorëve, tashmë nën rrënojat e kësaj ndërtese nuk dyshohet të ketë më njerëz. Kështu puna e grupeve të shpëtimit është ndërprerë.

1574949366_miramare.jpg

Ora 14:28
Nxirret i pajetë një 41-vjeçar nga rrënojat e hotel 'Mira Mare' në Durrës (VIDEO)

Ekipet e shpëtimit kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat e hotel Mira Mare në Durrës, trupin e një 41-vjeçari, Sotiraq Misha. Kërkimi i këtij 41-vjeçari është bërë me ngulm edhe nga pronari i objektit i cili ka thënë se viktima ka qenë brenda në momentin kur është shembur ndërtesë. Ndërkohë dyshohet se ende nën rrënoja të jenë edhe dy persona të tjerë.

Ora 13:05
Policia e Shtetit: Vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit në Durrës, është identifikuar trupi i një 54-vjeçari nën rrënojat e 'Mira Mares' (VIDEO)

Policia e Shtetit njofton se vijojnë operacionet e kërkimit për nxjerrjen e personave të mbetur nën rrënoja. Ekipet e shpëtimit kanë identifikuar trupin e një 54-vjeçari dhe po punohet për nxjerrjen e tij. 

Njoftimi i plote

Kanë vijuar pa ndërprerje operacionet e kërkim-shpëtimit, për nxjerrjen e personave që kanë mbetur nën rrënoja, si pasojë e tërmetit.

Në Thumanë  dhe Durrës prej orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme  dhe deri në orën 12.40  janë nxjerrë nga rrënojat 10 shtetas të pajetë.  

Në lagjen nr 13 në Plazh, tek Mira - Mare, ekipet e shpëtimit,  para një ore kanë identifikuar trupin e 54 vjeçarit dhe po punojnë  po nxjerrjen e tij  nga rrënojat. 

Forcat Speciale Renea, FNSH-ja e Tiranës, Shkodrës dhe e Fierit, forcat e ushtrisë, zjarrfikëset, emergjencat civile dhe ekipet e shpëtimit të ardhura nga shumë vende të rajonit dhe Evropës, si dhe policia lokale e Durrësit dhe Krujës kanë vijuar operacionet e kërkim-shpëtimit përgjatë gjithë natës në kushte të vështira.

Në Thumanë aktualisht janë ndërprerë kërkimet, pasi nga të dhënat që disponohen nuk ka më persona nën rrënoja.

Ndërkohë në  Durrës vijojnë kërkimet në lagjet Nr. 6, 13 dhe 17, te ish-Këneta, për gjetjen e personave që dyshohet se kanë mbetur poshtë rrënojave.

Punonjësit e Policisë janë të angazhuar edhe  në ndihmë të ekipeve të emergjencave, në qendrat ku janë ngritur çadrat.

Nga lëkundjet e fundit nuk janë konstatuar  probleme  për  jetën e qytetarëve.

Ora 12:56
Manastirliu nga spitali i Durrësit: Janë 18 qytetarë që kanë ardhur këtë paradite, mos përhapim panik (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu teksa fliste nga spitali i Durrësit ka deklaruar se të gjitha grupet e punës dhe spitalet janë në gatishmëri 100% për tu ardhur në ndihmë atyre që kanë nevojë.

Sipas Manastirliut, nga lëkundjet e tërmetit të fundit, nuk dihet ende nëse Urgjenca e Durrësi ka pësuar dëme të mëdha. ministrja ka thënë se godina po vëzhgohet nga ekspertët për të dytën herë për të përcaktuar më pas gjendjen e urgjencës. Ndër të tjera ministrja Manastirliu ka thënë se janë 18 qytetarë që janë paraqitur ditën e sotme në urgjencën e Durrësit nga lëkundjet e fundit.

Sipas ministres, në spitalin e Durrësit nuk ka asnjë person të plagosur rëndë, ndërsa tek Trauma në Tiranë, janë tre persona që janë në gjendje kritike pasi kanë plagë të rënda.

"Prej orësh jemi në spitalin e Durrësit për të qenë pranë stafit mjekësor. Po bëjnë një punë të jashtëzakonshme. Janë 18 qytetarë që kanë ardhur këtë paradite . Më shumë kanë ardhur me ankth dhe panik. Po trajtohen nga mjekët dhe infermierët. jemi me përforcime infermier e mjekë. kemi shtuar forcat në Durrës, me ambulanca dhe ekipe mjekësore për tu përgjigjur të gjithëve. Po ashut edhe spitalet e tjera të vendit janë në gatishmëri. Sot ka qenë piku i fluksit por e kemi përballuar në mënyrë shumë të mirë. Në Durrës nuk ka pacientë në gjendje të rëndë. Tek trauma janë tre pacient që kanë ardhur që ditën e parë. Janë dëme të ardhura në gjymtyre dhe në pjesë të tjera të trupit. Plagë që shkaktojnë edhe komplikacione të tjera. Po vlerësohet gjendja  e tyre. Kemi bëri një vëzhgim në spitale , aktualisht me lëkundjet e fundit, po angazhohemi të gjithë. Të mos përhapim panik e alarmë. Kemi dhoma gatishmërie. Spitali i Durrësit ka konfirmuar 13 vdekje. Angazhimi ynë është të shërbejmë në kohën për të gjithë ata që janë në nevojë. Kemi patur mbështetje nga vendet fqinjë që na kanë asistuar. Kemi gjithmonë nevojë për mbështetje. Do të rri këtu deri në momomentin e fundit. jemi të angazhuar 100%." tha ndër të tjera Manastirliu.

Ora 12:43
Lëkundjet e fundit të tërmetit/ Dëmtohen muret e Urgjencës në Durrës (VIDEO)

Nga lëkundjet e tërmetit që janë ndjerë mesditën e sotme janë dëmtuar edhe muret e Urgjencës në Durrës.

Ora 11:19
Ministria e Shëndetësisë bën bilancin: 750 të lënduar nga tërmeti! Të gjitha spitalet në gatishmëri

1574936445_ogerta.jpg

Shkon në 750 numri i të lënduarve nga tërmeti që kanë marrë trajtim në spitale, nga të cilët 660 vetëm në spitalin e Traumës dhe Durrësit.  Ministria e Shëndetësisë njofton se aktualisht janë të shtruar 65 të lënduar, gjendja e të cilëve paraqitet e stabilizuar, përveç 3 personave që paraqiten në gjendje më të rënduar.

Përpos qytetarëve që po marrin trajtim në spitale, janë 572 vizita mjekësore të kryera për banorët e prekur nga tërmeti që po marrin trajtim në qendrat shëndetësore 24/7 të hapura pranë zonave të prekura. Ndërsa 145 persona kanë marrë shërbimin mjekësor pranë kampeve të emergjencës në Tiranë dhe Durrës. Me ekipet e ngritura në terren është siguruar pajisja me medikamente për të sëmurët kronikë. 

Urgjenca kombëtare ka përballuar 3745 thirrje për ndihmë që nga momenti i rënies së tërmetit dhe ka realizuar 937 misione me autoambulancë. Të gjitha spitalet dhe qendrat shëndetësore pranë zonave të prekura nga tërmeti janë në gatishmëri të përforcuar.

Ora 11:08
Mbyllet aksioni i kërkim shpëtimit në Thumanë, përfaqësuesit e IKMT në zonë, pritet të nisë shembja e pallateve (VIDEO)

Ministria e Mbrojtjes njofton se ka përfunduar operacioni i kërkim shpëtimit në Thumanë ku u nxorën trupat e pajete të 22 personave, ndërkohë që vijojnë kërkimet në tre pika në Durrës. Ndërkohë në Thumanë kanë mbërritur forcat e IKMT-së të cilat do të ndërhyjnë për të shembur pallatet që nuk janë shembur që më pas të nisë rindërtimi i banesave nga fillimi, siç ka paralajmëruar kryeministri Edi Rama.

Ora 11:04
33 persona të shtruar në spitali i Traumës pas dëmtimeve nga tërmeti, një vajzë në gjendje të rëndë

1574867646_TRAUM.jpg

Deri më tani 338 persona të dëmtuar nga tërmeti kanë marrë shërbim shëndetësor në Spitalin e Traumës, 108 prej të cilëve janë paraqitur në spital pas tërmetit të djeshëm.

Ndërkohë Xhesika Biqiku vijon të jetë në gjendje të rëndë pasi ka bërë dy ndërhyrje kirugjikale. Ajo do të transportohet drejt Italisë do çohej, por për shkak të gjendjes së saj të rëndë, transportimi i saj nuk u krye.

338 persona kanë marrë shërbim mjekësor në spitalin e Traumës.

108 persona kanë ardhur pasditen e djeshme pas tërmetit 5.4 ballë.

230 persona kishin ardhur për tërmetin 6.4 balle.

33 persona ndodhen aktualisht të shtruar në spital

4 persona në terapi intensive

2 qytetarë kanë lënë spitalin dhe janë larguar për në shpi

1 person transferuar në privat

Xhesika Biqiku në gjendje të rënduar shëndetësore.

Ora 10:52
Pamje të reja, shembja e dytë në banesën e familjes Lala në zonën e ish-kënetës (VIDEO)

Pamje të reja  janë publikuar nga shembja e dytë e banesës 4 katëshe të familjes Lala në zonën e ish Kënetës në Durrës. Fillimisht ndërtesa është shembur nga tërmeti i rënë në orët e para të mëngjesit, por më pas teksa punimet vijonin banesa ka pësuar një shembje të dytë si pasojë e lëkundjeve të tjera sizmike. Kjo shembje e dytë mund të ketë qenë fatale për anëtarët e familjes Lala, pasi edhe pse vijojnë gërmimet për nxjerrjen e trupave të tyre asnjë nuk përgjigjet e ka pak mundësi jete.

Pamjet sot te shtëpia e shembur në Kënetë

Ora 10:46
HISTORITË/ Pikturat e 30 vjeçares që humbi jetën me nënën dhe vajzën nën rrënojat në Durrës, të paprekura nga tërmeti

1574934430_pikturat.jpg

Pasi është nxjerrë nga rrënoja e pallatit 6 katësh tek kryqi i kuq në Durrës trupi i Roza Meçes, janë ndërprerë kërkimet në këtë pikë të qytetit bregdetar. Përtej rrënojave janë zhvendosur edhe pikturat e vajzës së Rozës, Diena Karanxha e cila bashkë me të bijën Esiela Karanxha, humbën jetën nga tërmeti. Tashmë skuadrat speciale janë larguar dhe nën rrënoja nuk ka asnjë jetë.

Foto pranë ndërtesës 6-katëshe të shembur në Durrës
Ora 10:27
Tërmeti në Durrës shembi dhe një fabrikë alumini, momenti kur pronari nxirret nga rrënojat pas 4 orësh (VIDEO)

Tërmeti i rënë dy ditë më parë ishte shkatërrimtarë, sidomos për shumë banesa në Durrës e në Thumanë. Ndërkohë pa dëme nuk është ndarë edhe Shkozeti i qytetit të Durrësit, ku një fabrikë alumini është shembur plotësisht. Pronari i kësaj fabrike, Lavdrosh Petoshati  mbeti për rreth 4 orë nën rrënoja. Report Tv ka siguruar edhe pamjet e momentit kur është shpëtuar pronari i fabrikës.

"Këtu ishte dëmi më i madh. Pronari i kompanisë mbeti nën rrënoja për katër orë. Shyqyr zotit sot është mirë. Ka plasaritje të mëdha të strukturave të kompanisë. vetëm dëme materiale. Ka shumë dëme. Puna nuk vijon dhe duhet të shikojmë si është gjendja gjithçka është pezulluar." tha administratorja e fabrikës.

Ora 08:58
Pamje të trishta nga Thumana! Shtylla e mbushur plotë me emrat e viktimave të tërmetit

Pamje të trishta vijnë nga zona e Thumanës, ku një shtyllë elektrike është mbushur me lajmërime për ndarjen nga jeta të familjeve që ishin brenda tre pallateve që u shembën nga tërmeti.

Ora 08:11
Nxirret e pajetë nga rrënojat trupi i Roza Meçja, bashkëshorti i saj shpërthen në lot (VIDEO)

Roza Meçja është nxjerrë e pajetë nga gërmadhat e godinës 6 katësh pranë Kryqit të Kuq. Në këto çaste dramatike ka qenë i pranishëm edhe bashkëshorti i saj Ajeti i cili ka shpërthyer në lot sapo ka parë bashkëshorten e pajetë. Ajeti humbi edhe Dienën 8 vjeçe që ndërroi jetë nën rrënojë.

Operacioni për nxjerrjen nga rrënojat të trupit të Roza Meçjas

Roza Meçaj, vajza e saj Diena dhe mbesa Esiela 8 vjeç
/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kafsha: 28/11/2019 17:16

    Po mire ore qe ta marim vesh, c fare bejne keta specialiste te institutit te ndertimit? C fare bene keta 30 vjet. A konstatuan ndonjehere qe në filan banese apo pallat duhet te mos banohet sepse fshataresia injorante për 30 vjet ndertoi keq dhe shemtuar pa standarte? Ku ishin keta apo flinin 30 vjet dhe tani u zgjuan?!

    Përgjigju
    • Heheh: 29/11/2019 08:55

      Po lere ore Ilo ate muhabet ,le te flene

    • Shpendi: 29/11/2019 00:03

      Kafsh qe kafsh ngele skuptove nje here te vetme marifetet

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Vdes edhe një i burgosur politik në Bjellorusi

Vdes edhe një i burgosur politik në Bjellorusi