40 vite në arsim! '7 Marsi' kthen në kohë mësues Bardhylin: Krenar për brezat që arsimova

Në festën e 7-Marsit  të gjithë kujtojmë me nostalgji mësuesit të cilët kanë qenë dhe udhërrëfyesit tanë.

Këtë 7 Mars ne zgjodhëm ta festonim në familjen e Z. Bardhyl Hoxha  nga Tepelena i cili më shumë se 40 vite të jetës së tij ia kushtoi mësuesisë. Ai sot është 70 vjeç dhe jeton në Tiranë, së bashku me zonjën e tij Behare.

Edhe pse është shkëputur nga ky profesion prej 6 vitesh për të gjithë ata që e njohin dhe ish-nxënësit e tij, ai vazhdon të jetë mësuesi më i dashur. Ky 7 mars rikthen në kohë kujtimet e mësues Bardhylit.

“Ne sa mbaronim shkollën prisnim me padurim që të fillonim punë. Unë kam filluar shumë punë shumë shpejt, sa kam mbaruar shkollën e mesme pedagogjike në Gjirokastër.  Në moshën 18-vjeç kam shkuar mësues në ciklin e ulët për herë të parë. Ishte kënaqësi të punoje me fëmijët, sa kishim mbaruar shkollën e prisnim me gëzim këtë ditë. Donim të transmetonim njohuritë tona dhe ti bënim të aftë për jetën. Ishte kënaqësi të punoje sidomos me fëmijët e klasës së parë, i mësoje të bënin shkronjat një nga një pastaj ti bashkoje  pastaj ti plotësonin, ishte tamam si një gur skalitës që e merrje e skalitje dhe e përgatitje dhe shumë prej tyre i kujtoj me kënaqësi sot, gjithashtu edhe ata. Njëri prej tyre është pedagog në Universitetin e Kamzës dhe e kam mësuar në klasë të parë. Gjithmonë më dërgon përshëndetje, të falenderoj thotë për punën që ke bërë me mua. Pastaj kam shkuar në Institut, kam punuar më pas në ciklin e lartë. Punën fillimisht e kam filluar në 1966. Më pas u bëra drejtor shkolle, më pas mësues e më pas drejtor prapë. Atëherë mësuesit mundoheshin shumë për të transmetuar njohuri të shumta dhe të sakta. Madje ishin në garë me njeri tjetrin , pyesnin çfarë ke bërë ti çfarë kam bërë unë, mundoheshin të gjenin mjete,  kur gjeja unë gjeja edhe për të tjerët, kur gjenin ata gjenin dhe për mua. Kishte kolektivitet të madh dhe nuk mund të harroj kurrë. Ishte kënaqësi e veçantë që të gjithë së bashku punonim për një qëllim. Nëse kishin nxënës të dobët në një klasë të gjithë shqetësoheshim. Nëse ishin në një lëndë, pyesnin mësuesit si t’ia bëj që te ju janë më mirë, dhe të gjithë së bashku dilnin nga prapambetja. Mjete kishim por bënim edhe vete. Unë jepja biologji dhe kimi dhe shumë mjete i gjenim në natyrë. Sidomos për Biologjinë kishte shumë material që mund t’i gjeje, myshqet, bakteret, ikenet, i siguronin vetë nxënësit dhe ishte një mundësi shumë e mirë për ta. Mësuesin, nëse një nxënës ishte i dobët nuk e zinte gjumi. Do mendonte çfarë mund ti bënte, si mund ta ndryshonte, si ta nxirrte nga prapambetja pyeste shokët, nëse nuk merrte përgjigje aty afër shkonte në një shkollë tjetër. E njëjta gjë ishte nga të gjithë, interesi shumë i madh, ndërsa sot nuk është më ai interes. Para ’99 7-Marsi nuk ishte pushim. Mblidheshim ne mësuesit edhe nxënësit me tufa lule, domethënë respekti ka qenë për mësuesit, edhe mësuesit për nxënësit, na jepnin lule natyrale, uleshim në ndonjë lokal aty afër merrnim ndonjë pije. Ndërsa tani gjërat kanë ndryshuar, bien dhurata më të shtrenjta, flasin më lirshëm dhe më shumë", rrëfen mësuesi.

Mësuesi Bardhyl Hoxha me gazetaren e Report TV Klesiana Omeri

Teksa kujton procesin e mësimdhënies në atë periudhë, mësues Bardhyli  tregon se ky brez tani ka më shumë mundësi, madje për të ky brez është më i zgjuar.

“Brezi i atëhershëm kishte të mirat e tyre, ishin shumë të sjellshëm, shumë të urtë, shumë të dëgjueshëm. Sot kanë rënë pak por brezi sotëm është më i zgjuar, i kapin gjërat më shpejt, më mirë, dhe në komunikim janë më të çiltër, më të hapur edhe më të arsyeshëm. Brezi i dikurshëm pyesnin për gjithçka, donin të ndiqnin shembullin e më të mirëve. Teknologjia ka ecur shumë para dhe kjo neve na ka munguar, mjetet i kishim rrethanore, ndërsa sot shumë gjëra nxënësit i marrin të gatshme, i gjejnë në internet", thotë ai.

Emocionet më të mëdha i shpreh teksa kujton nxënësit e dikurshëm. Mësues Bardhyli ndjehet krenar për brezin që ka arsimuar pasi shumë prej tyre kanë arritur suksese të mëdha, e për të gëzim nuk ka gëzim më të madh.

 “Shumë nga nxënësit e mi janë në Tiranë, shumë janë bërë mësues, oficerë, inxhinierë, teknik ndërtimesh, doktorë kam shumë nxënës nga zona ime që i njoh, që i takoj, i respektoj dhe më respektojnë. Plus 10 vite që kam punuar në Tiranë në një shkollë të mesme, edhe ata shumë të respektueshëm dhe akoma i takoj.

Momentin më të veçantë mësues Bardhyli na specifikon takimin pas 30 vitesh me nxënësit  e tij.

 “Në 2017 një klasë mature bëri takim. Kishin mbaruar në 1987, dhe pas 30 vitesh bënë takimin. Në klasë kishin qenë 34 veta dhe të 34 erdhën në takim. Kishin ardhur nga Greqia, Anglia. Kjo tregon një respekt të madh të atyre për njëri-tjetrin dhe kolektivin e shkollës.  Kolektivin e shkollës nuk e harron njeriu kollaj".

Dhe nuk harron të na tregojë dhe takimin që e ka emocionuar më shumë këto ditë, atë me ish-nxënësin e tij.

 “Pardje takova pedagogun që kam pas në klasë të parë. Kjo është kënaqësi e madhe. Në rrugë u takuam, ai ishte me një shokun e tij dhe it ha atij prit se unë do takoj mësuesin e klasës së parë. U ulëm pimë një kafe dhe bëmë muhabet”.

Gjatë gjithë jetës nuk i ka munguar dashuria që i kanë falur nxënësit, e sot ai merr dashurinë e nipërve dhe mbesave, tek të cilët sheh rrugëtimin e gjatë të dijes.

"Të interesuar kanë qenë, edhe ata edhe unë pë ata. Fakti ka treguar se edhe ata kanë ecur. 3 kanë mbaruar shkollat e larta, të tjerët janë në vazhdim, të gjithë janë shumë mirë me mësime. Të mësojnë, mësimi është dituri, është dritë, mësimi hap sytë. Nëse je njeri i mësuar bën gjithçka dhe dyta sjellja. Të dyja bashkë e çojnë njeriun përpara".

Por fshati Buz, në të cilin ka dhënë mësim për shumë vite nuk e ka harruar.

Mësuesi Bardhyl Hoxha me gazetaren e Report TV Klesiana Omeri

E për të gjithë mësuesit e sotëm dhe brezin e ri, mësues Bardhyli i cili mban kaq shumë vite mbi supe ka një mesazh.

“Më vjen mirë që përgjegjësia te mësuesit e sotëm është rritur shumë dhe mundohen të ecin në gjurmët e mësuesve të parë. Të rinjtë patjetër të marrin shembull nga më të mëdhenjtë, të dëgjojnë gjithmonë më të mëdhenjtë e do të jenë gjithmonë të suksesshëm".

Një jetë të tërë dedikuar arsimit dhe fëmijëve, mësues Bardhyli këtë dashuri të madhe është përpjekur që ta transmetojë gjithmonë. E teksa mësues Bardhyli kujton me nostalgji ish-nxënësit e tij, çdo kush prej nesh kujton mësuesit  mësuesit që ndryshuan jetën tone, e sidomos mësuesin e parë . Në të shumtën e rasteve, kanë qenë njerëzit e parë që besuan te ne. E gjithë kontributin e tyre nuk mund të mos ta përmbledhim me një shprehje: Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë. Gëzuar 7 Marsin.

G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Berisha ekziston në politikë sepse i duhet Edi Ramës, si skemë për mandatin e 4 dhe 5

Spahiu: Berisha ekziston në politikë sepse i duhet Edi Ramës, si skemë për mandatin e 4 dhe 5