Regjimi komunist kishte rënë dhe Shqipëria po hapte një kapitull të ri ku veç të tjerash, shumë familje të ndara po shpresonin të ribashkoheshin. Por për Tomor Dostin kjo shpresë u përmblodh në një telefonatë të vetme me të atin, Hasan Dosti, i cili jetonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ishte kontakti i parë dhe i fundit, sepse vetëm dy muaj pas rënies së regjimit që e kishte detyruar të jetonte larg familjes, Hasan Dosti ndërroi jetë në SHBA, në shkurt të vitit 1991. Djali që kishte pritur për dekada nuk arriti ta takonte kurrë të atin. Dyzet vite ndarje dhe në fund vetëm një telefonatë.

Historia e Tomor Dostit është një histori e gjatë ndarjesh, burgjesh dhe një pritjeje që nuk u përmbush kurrë. Një jetë e ndërtuar mes mungesës dhe qëndresës, mes dhimbjes personale dhe përpjekjes e pritjes së gjatë për drejtësi, që nuk i erdhi kurrë.

Ai ishte ende fëmijë kur i ati, Hasan Dosti, u detyrua të largohej nga Shqipëria në vitet e para të diktaturës komuniste.

Arratisja e tij fillimi i një ndarjeje që do të zgjaste katër dekada.

Për Tomorin ende fëmijë, dhe vëllain, motrën e familjarë të tjerë, nuk ishte vetëm ndarje dhe mungesë e babait, por një histori tragjike, kalvar vuajtjesh nëpër burgje dhe internime.

Në moshën 23-vjeçare, Tomor Dosti do të dënohej me 25 vite burg, i akuzuar për tentativë arratisjeje. Akuza përmes të cilës regjimi dënonte trashëgimtarët e kundërshtarëve. Nga burgu i Burrelit, një nga më të famëkeqët e diktaturës, te kampet e internimit në Savër, Gradishtë, Shtyllas e vende të tjera ku regjimi kishte mbyllur familjet e “armiqve të popullit”, jeta e tij kaloi mes sakrificash dhe përpjekjesh për mbijetesë me dinjitet.

Pas rënies së regjimit në dhjetor 1990, Tomor Dosti u aktivizua në politikë, në Partinë Demokratike. Ai u bë një prej drejtuesve të Partisë Demokratike, nënkryetar i saj dhe deputet, duke kontribuar në konsolidimin e pluralizmit dhe orientimit euroatlantik të Shqipërisë.

Në Parlament ai nuk ishte thjesht një deputet por shumë më shumë se kaq, ishte një dëshmitar i gjallë i historisë tragjike 45-vjeçare që shkaktoi diktatura komuniste. Në nëntor të vitit 1995, gjatë një seance parlamentare, po diskutohej pastërtia e figurës së drejtuesve të institucioneve shtetërore për të kaluarën e tyre në diktaturë. Dosti mbajti një nga fjalimet më domethënëse për kujtesën e krimeve të diktaturës komuniste. Në atë kohë, Shqipëria ende përpiqej të përballej me të shkuarën dhe debati për hapjen e dosjeve dhe ndëshkimin e krimeve të komunizmit kthehej shpesh në seancat parlamentare dhe debatin publik.

Në atë fjalim, Dosti foli si një një prej mijëra shqiptarëve që përjetuan diktaturën në trup dhe në shpirt. Ai kërkonte drejtësi për të shëruar një shoqëri të plagosur. Për të, përballja me krimet e diktaturës nuk ishte një akt ndëshkimi politik, por një domosdoshmëri morale për të ndërtuar një shoqëri të lirë. Përpjekjet e tij për të institucionalizuar dënimin e krimeve të diktaturës nuk gjetën mbështetjen që ai shpresonte. Do të kuptonte shpejt se misioni i tij nuk e kishte as mbështetjen e PD-së, partisë ku ai ishte pjesë. Tomor Dosti do të përjetonte më vonë zhgënjime të tjera politike brenda forcës së tij politike, që i rikujtonin shijen e hidhur të përjashtimit dhe etiketimit.

Tomor Dosti u largua në heshtje këtë fillim marsi, pa e rrëfyer kurrë publikisht plagën e madhe të jetës së tij: ndarjen me të atin, që nuk arriti ta takonte më kurrë; vitet e gjata të burgut dhe vuajtjet e diktaturës; zhgënjimet e një tranzicioni që nuk i dha drejtësinë që kishte kërkuar. Ai zgjodhi të mos dalë në ekranet e televizioneve dhe as në faqet e gazetave për të treguar historinë e tij. U largua në heshtje, për dhimbjen kurrë të rrëfyer të një jete që mbeti dëshmi e një kohe të errët dhe e një shprese për drejtësi që nuk erdhi kurrë.

Si homazh për Tomor Dostin, gazeta Tema ka zgjedhur për publikim një prej fjalimeve të tij në parlament në nëntor 1995.

 E enjte, 30.11.1995, ora 17:00

Drejton seancën Kryetari i Kuvendit, zoti Pjetër Arbnori

Pjetër Arbnori - Hapim seancën.

Thashë që kemi caktuar tri orë diskutime me grupet parlamentare. Edhe një herë, do t'u lutem deputetëve t'i bëjnë diskutimet të shkurtra e të mos shpërndahen jashtë temës, sepse derisa e ka vendosur Kryesia në bashkëpunim me kryetarët e grupeve parlamentare, do të jetë vetëm tri orë diskutimi.

Sot kemi për të shqyrtuar projektligjin "Për kontrollin e figurës së zyrtarëve e personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik"….

Tomor Dosti

Të nderuar zotërinj deputetë,

Është folur shpesh për hapjen e dosjeve, madje ka kohë, që në seancat e para, si parlamenti pluralist dhe media nuk ka qëndruar mënjanë, madje i ka dhënë drejtim e frymë kësaj ideje, jo në dobi të shoqërisë dhe jetës politike shqiptare, por krejt në të kundërtën, shtypi ka mbërritur deri në shpifje, gënjeshtra e fyerje. E ç'është kjo dosje për të cilën bëhet kaq zhurmë? Unë do të thosha se është dokumenti që dëshmon pozitën politike dhe moralin e qytetarit, të cilin fati i keq ose dëshira e tij e pajisi me këtë dokument.

Të gjithë këta njerëz që e kanë këtë, që kanë dëshirë të merren me politikë dhe u pëlqen të ngrihen në shkallët më të larta të institucioneve shtetërore, duhet të njihen se cilët janë. Shumë prej tyre e ngrenë zërin lart, aq sa çirren e rrahin gjokset në mbrojtje të të drejtave të njeriut, kur vetë ata për të tjerët, jo vetëm që nuk i kanë njohur, po kush ka guxuar sadopak të zërë në gojë dhe tërthorazi, e ka paguar me jetë apo me syrgjynosje a me privacione të tjera.

Ne jemi të ndërgjegjshëm nga eksperienca se si janë ideuar e përpiluar ato, me njerëz të zellshëm, të cilët lavdëroheshin, gradoheshin dhe hipnin në ofiqe të larta kur arrinin të bënin mbi planin që eprorët u jepnin.

Të pajisur me dosje të tilla, ka njerëz që i mbushnin këto me dëshirën e tyre, por ka dhe nga ata të ngratë që detyroheshin t'i mbushnin përdhunisht. A doni të dini, zotërinj deputetë, se deri ku ka shkuar katili koshient? Ja, deri aty te jeleku i llahtarshëm, fikja e cigares në vrimën e hundës e, më të tmerrshme akoma, deri të gruaja që i futej macja në mbathje të gjera përpara burrit që ndodhej vetë në tortura të egra, të cilat me një vullnet të hekurt i përballonte. Akoma më tepër rasti i zymtë i zonjës Adelina Çeliku, e cila është torturuar për të pohuar kundër të shoqit, Mediut, shkon në shtëpi e var veten në banjë, duke lënë pesë fëmijë jetimë dhe jo shumë vonë edhe i shoqi vdes në tortura, por sot këta njerëz janë avokatë dhe pretendojnë për të ngritur shkallët e larta të drejtësisë shqiptare. Shembuj të tillë ka plot dhe, për çudi, ideatorët dhe miratuesit e tyre duhet të merren me politikë: ç'ironi!

Ne që në fillim kemi qenë për hapjen e dosjeve, sidomos për ata që do të merreshin me jetën politike. Unë personalisht që në seancën e parë kur filloi të flitej për këtë dhe në mos gaboj, në maj të vitit 1992 kam thënë: t'i hapim, por në të njëjtën kohë të krijohet kuadri ligjor që t'u hapet dhe atyre që i detyronin ata individë të kenë këto dosje dhe në shumë raste këto janë mbushur jo me dëshirën e sinqertë të personit.

Nuk ka kuptim, zotërinj, të dënohet vetëm viktima, dhe sot në këtë Parlament ka ardhur kuadri ligjor, i cili do të lejonte procedimin në dyveprim. Është një ligj i butë, human, nuk është hakmarrje, nuk është i moralshëm, mund të thuhet nga disa se prek mjaft njerëz, të cilët nuk janë ekzekutorët materialë të kësaj të keqeje. Do t'iu thosha që është gabim të mendohet kështu, sepse ideatori, përpiluesi dhe ekzekutori i së keqes së kaluar ka marrë dhe miratimin e Parlamentit të asaj kohe dhe nga të tjerë që brohorisnin.

Po i famshmi Institut i Studimeve Marksiste-Leniniste, që u jepte dhe vulën teorike dhe që profesorët me kulturën e tyre jepnin dhe leksione në auditorët e universitetit për luftën e klasave, artin, kulturën? Sa cinike kjo kulturë kur në emër të një kulture të re "revolucionare" marksiste-leniniste u fabrikua i ashtuquajturi "njeri i ri" i zhveshur nga e kaluara e tij reaksionare. U bë krimi më i madh që mund t'i bëhej ndonjëherë individit, u zhvesh nga ajo që quhej pjesa e tij më ideale, feja dhe kultura shpirtërore dhe të gjithë ne jemi dëshmitarë të atij realiteti.

Po ata që merreshin me zbërthimin e këtyre ideve ndriçuese e që publikonin në media apo bënin libra, merrnin tituj shkencorë, nuk kanë përgjegjësi? Po. E të gjithë ata që i miratonin nuk e kanë të drejtën morale të pretendojnë të merren më me politikë, ata që kanë përgjegjësi penale të shkojnë përpara ligjit, të tjerët të reflektojnë dhe kanë kohë të flasin me ndërgjegjen e tyre, në qoftë se e kanë, për atë që kanë bërë. Njeriu ka lindur i lirë dhe si i tillë ka atributin të reflektojë.

Ky popull, zotërinj deputetë, ka nevojë për qetësi dhe paqe, ka kohë që e kërkon, le t'ia japim. Në paqe njeriu e kupton më mirë tjetrin dhe, duke e kuptuar, fillon dhe e do. Duke dashur njëri-tjetrin, duam popullin, duam Shqipërinë. Miratimi i këtij ligji është një dëshmi për këtë gjë.

Ju falemnderit!/TemA