Mundësia që një prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore Jennifer Lopez të mbante koncert në Tiranë, duket se për momentin është pezulluar për shkak të protestave. Ky është pretendimi i ministrit të Kulturës Blendi Gonxhja, sipas të cili diva e popit kërkoi 2 milionë euro garanci por qeveria nuk mund t’ia japë.

“E kemi refuzuar për momentin se kërkonte 2 milionë euro garanci nëse do të ketë protesta. Nuk ia japim dot këtë garanci”, tha Gonxhja.

Deklarata erdhi gjatë përplasjes në Kuvend me kryetaren e Komisionit të Kulturës, Ina Zhupa, e cila e lidhi këtë rast me vendimin e qeverisë për të financuar me 4.3 milionë euro koncertin e Kanye West.

Zhupa: Keni dhënë 4.3 mln euro për një koncert privat kur kishit premtuar që nuk do të jepnit asnjë lekë. Si e konceptoni ju urgjencën e një koncerti të parashikuar? Urgjencë ishte mos shitja e biletave? Cila ishte nevoja për t’u dhënë këto para? Ku është logjika e urgjenca e një koncerti privat? Na sqaroni ku janë ato 100 milionë eurot që do të na vinin për turizmin? Ju paratë i keni dhënë, supozoni sikur parlamenti nuk e miraton, çfarë ndodh z. Gonxhe, do ua kthejë Kanye West?

Gonxhja: Administrata ka vepruar sipas aktit normativ, menjëherë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Publiku nuk ka nevojë të dijë si funksionon mazhoranca dhe Partia Socialiste, nëse do të kishte mosmbarëvajtje të koncertit dhe koncerti nuk do të ishte realizuar, atëherë do të hynim në pyetjen tuaj si do t’i merrnim lekët etj.

Zhupa: Normal që eventi do të bëhej sepse për atë u kujdesët ju.

Gonxhja: Nëse s’do ketë mbështetje të parlamentin, këtë pyetje bëjeni mbrapa.

Zhupa: Më shpjego pse e morët këtë vendim, pse është nevojë dhe pse urgjencë? Pse këto para të shqiptarëve që mund t’i kishit përdorur realisht për emergjencë?

Gonxhja: Ju e dini që unë i di problemet se jam deputeti më i votuar në listë të hapur, pa mendjemadhësi.

Zhupa: Do të vinte zor që kërkon 4.3 milionë euro për një koncert, kur s’kemi avion për të fikur zjarret apo përdor dru për të ngrohur shkollat?

Gonxhja: Moral dhe hipokrizi për spitale e histori të tjera mos fillo se unë ua rrëzoj shumë kollaj.

Zhupa: Juve ju ka rënë tërmeti në qeveri, se e keni krejt të korruptuar.

Gonxhja: Po kaluam në politikë, do të transformohem dhe do të kthehem në politikan.

Ministri mbrojti aktin normativ, duke argumentuar se ndërhyrja ishte e domosdoshme për të mos rrezikuar anulimin e koncertit. Sipas tij, qeveria nuk kishte planifikuar financim të drejtpërdrejtë, por situata ndryshoi pasi eventi nuk arriti të vetëfinancohej.

Gonxhja: Koncerti vjen si një nismë e konsultuar me qeverinë shqiptare prej 1 viti, dhe në fillim të këtij viti është marrë një informacion që nëse do ishte e mundur nga turi i Kanye West, do të jepnim mbështetjen tonë. Në fillim viti ne i kemi shprehur mbështetjen tonë promotorit për organizimin e këtij eventi. Mendohej nga promotorët që shitja e biletave do të ishte e garantuar, dhe mbështetja jonë duhet të ishte për aspektet e tjera. Nuk kemi qenë në dijeni, nuk ishim të përgatitur për financim pjesor të këtij eventi.

Zhupa: Kush ishte nevoja?

Gonxhja: Ishte në rrezik mosorganizimi i eventit për arsye se eventi nuk kishte garantuar ecuri në vetëfinancimin e eventit. Një event nuk financohet vetëm nga biletat, financohet nga një sponsor etj. Ishte e paparashikuar situata.

Zhupa: Po pse pra?

Gonxhja: Ne nuk e kemi luksin të krahasohemi me tregjet e huaja ku është anuluar koncerti. Nuk jemi as Italia, as Mbretëria e Bashkuar apo Polonia.

Opozita e cilësoi ndërhyrjen të paligjshme dhe në kundërshtim me kushtet për nxjerrjen e një akti normativ, për të cilin kanë çuar edhe kallëzim në SPAK.

“Jeni në shkelje të ligjit dhe në kushte të shpërdorimit të detyrës. Nuk kishte as nevojë dhe as urgjencë për një koncert”, tha Zupa.

Gonxhja këmbënguli se organizimi i koncertit ka sjellë përfitime për ekonominë dhe imazhin e Shqipërisë. Ai tha se eventi ka tërhequr mijëra vizitorë nga jashtë, duke sjellë të ardhura të konsiderueshme për sektorin e turizmit, që ai i llogariti minimalisht në shifrën e 35 milionë eurove, ndërsa mbrojti procedurat e ndjekura për miratimin e aktit normativ.

Për aktin normativ Gonxhja ishte i pranishëm edhe në Komisionin për Çështjet Ligjore dhe atë të Ekonomisë. Megjithatë pas debateve në 3 komisione parlamentare, ishte ai i Ekonomisë si komision përgjigjes i cili kaloi Aktin Normativ me 7 vota pro dhe 2 kundër dhe pritet kalimi në seancën plenare të së enjtës. Mes votave kundër ishte edhe ajo e socialistit Erion Braçe i cili e kundërshtoi ashpër Aktin Normativ si të paligjshëm.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:15
'Jam kundër këtij akti', Braçe kritikon financimin e koncertit të Kanye West: Qeveria të mbajë vetë përgjegjësinë, duhet më shumë transparencë për impaktin ekonomik

Deputeti socialist Erion Braçe doli kundër aktit normativ për financimin me 4,3 milionë euro nga buxheti i shtetit të koncertit të Kanye Ëest, i cili u miratua këtë të hënë në Komisionin e Ekonomisë. Edhe pse e vlerësoi çështjen nga këndvështrimi ekonomik dhe jo kulturor, Braçe tha se qeveria duhet të mbajë vetë përgjegjësi për vendime të tilla dhe jo ta ndajë atë me Kuvendin.

“Kjo më lë hije të keqe. Qeveria nuk mban përgjegjësi vetë, siç e parashikon ligji, por e shpërndan përgjegjësinë duke bërë pjesë edhe Kuvendin. Këtu parlamenti ftohet të mbajë përgjegjësi për një akt të qeverisë, ndërkohë që ligji e ngarkon qeverinë ta mbajë vetë. Kjo është e padrejtë, ndaj jam kundër këtij akti”, u shpreh Braçe.

Deputeti socialist kërkoi transparencë maksimale për përfitimet ekonomike që, sipas qeverisë, ka sjellë ky event

“E vë në diskutim aspektin kulturor të këtij koncerti, por aspektin ekonomik patjetër që e shoh por dua transparencë për ta gjykuar impaktin ekonomik. Ju dhatë disa shifra, më duken të mëdhaja, por dua prova për shifrat që jepni. Mbetem në mirëbesim të numrave që ju do të jepni," i tha ai Gonxhjas.

Braçe solli në vëmendje edhe aktivitete të tjera të financuara nga buxheti i shtetit, duke thënë se edhe për to ka munguar transparenca.

"Për 8 muaj janë financuar 2 aktivitete, është financuar ai aktiviteti për atë sportin e çuditshëm, padeli  për të nuk ka folur njeri as s’ka transparencë" tha Braçe

Ai përmendi edhe promovimin e Iso-Polifonisë në filmin më të fundit të regjisorit Christofer Nolan ‘Oddyssey’ duke thënë se do të dëshironte që fondet e buxhetit të mbështesnin më shumë aktivitete të tilla.

“Do doja ta financonit atë aktivitet për Iso-Polifoninë. Edhe filmin nuk do të ishte keq ta financonim, sepse është autokton, na përfaqëson dhe është krejt ndryshe nga ajo që përfaqëson ai këngëtari. Po ta kishim financuar atë regjisorin, do t’i kisha ngritur duart, edhe pse do të kisha shkelur ligjin”, tha Braçe gjatë debatit me ministrin e Turizmit, Blendi Gonxhja.

Ora 15:10
4.3 mln euro për koncertin e Kanye West, Komisioni i Ekonomisë miraton aktin normativ me 7 vota pro, Braçe dhe Cara votojnë kundër

Komisioni Parlamentar për Ekonominë miratoi këtë të martë aktin normativ për financimin e koncertit të këngëtarit Kanye West që u mbajt me 11 korrik në Tirane.

Akti normativ mori 7 vota pro dhe 2 vota kundër nga deputetët Erjon Braçe dhe Igli Cara.

Akti në fjalë, u miratua edhe në Komisionin e Ligjeve me votat e mazhorancës dhe do të kalojë për miratim në seancën e së enjtes në kuvend

 

Ora 14:26
'Një tufë budallenjsh që gjuanin me gurë', Gonxhja kritikon protestuesit e dhunshëm: Nëse do të kishin NIPT, faturën 4.3 mln euro të koncertit të Kanye West do ta paguanin ata

Ministri i Turizmit, Blendi Gonxhja, e cilësoi si “një tufë budallenjsh” një pjesë të protestuesve të dhunshëm për dëmet që ata mund t’i kishin shkaktuar vendit dhe koncertit të Kanye Ëest me aktet e tyre.

Gjatë raportimit në në Komisionin e Ligjeve Gonxhja tha se, nëse ajo pjesë e protestës “do të kishte një NIPT”, do t’i takonte asaj të mbante faturën e kostove. Ministri deklaroi gjithashtu se respekton institucionin e protestës, duke kujtuar se ka protestuar edhe vetë në të kaluarën, por duke marrë shkas nga aktet e dhunës para parlamentit, ai i cilësoi protestuesit një tufë budallenjsh. 

“Koncerti u kthye në një mulli ere ndaj të cilit u lëshua çdo Don Kishot apo protestues që po luftonte objektivin e gabuar, i sabotuar, i minuar, në listën e objektivave të një proteste që në disa aspekte linte shumë për të dëshiruar. Flas këtu për pjesën e dhunshme, bullizuese dhe atë që nuk ka qenë e ndërgjegjshme për dëmet që mund t’i shkaktonte vendit dhe eventit, dhe për dëmet që mund të maten edhe me koston e faturës së këtij akti normativ. Nëse do kishte një NIPT kjo pjesë e protestës, kjo faturë u takonte atyre, asaj pjese që ose qëllimisht ose nga padija, ose nga injoranca apo keqdashja..Unë e respektoj institucionin e protestës. Unë jam protestues jo prej bukë peshku. Jam protestues që ka marrë plumba e gurë, thyer dyer e xhama me fëmijën në prehër. Im atë ka mbrojtur familjen dhe bashkëshorten time. I përkasim një kohe që ka luftuar me sakrifikca. Një tufë budallenjsh që gjuan me gurë dhe me pllaka nga hyrja e e parlamentit. Populli ka thënë ‘hapi rrugën budallait’ dhe ne atë tufë e cilësojmë të atij niveli” tha Gonxhja.

Ora 13:57
'Unë jam fshatar, dua Luan Zhegun, ti do upsi-dupsi!' Korreshi ngacmon Manjën për koncertin e Kanye West: Me 2 mln lekë të vjetra këndonte gjithë Myzeqeja

Ironia dhe batutat cinike mbizotëruan deklaratat dhe pyetjet e deputetit demokrat Saimir Korreshi sot në Komisionin e Ligjeve lidhur me koncertin e këngëtarit Kanye west për të cilin u paguan 4.3 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Batutat

Saimir Korreshi: “Kjo ministria është vetëm e Partisë Socialiste apo e gjithë Shqipërisë?  Ulsiu thotë që ne s’na la partia. Po kjo ministria ka sjellë ca bileta për ne apo ishin vetëm për Partinë Socialiste?”

Ulsi  Manja: Ti qejf e ke pasur të shkosh në koncert, thuaje, mos fol kot

Saimir Korreshi: Ky këngëtari ishte kaq i mirë sa unë e njofta kur erdhi në Shqipëri dhe mori 4.3 milionë euro. Fshatar jam, jam skeptik. Unë jam tek Luan Zhegu. Ashtu e kam qejf. Ti je i emancipuar kërcen Rock n Roll. Ti Ulsi vure një bandanë në kokë dhe kërceve upci dupci aty. Ne duam me def.. Këto biletat ishin vetëm për FRESH-istët? Si u ndanë? Ku vajtën këto bileta? Ne nga Lushnja s’po ia qëllojmë dot. Me 2 milionë lek të vjetra këndon e gjithë Myzeqeja, jo 4.3 milionë euro i mori ai Kanye Ëest.

Ora 11:32
Jennifer Lopez koncert në Tiranë? Gonxhja: E kemi refuzuar, kërkoi 2 milionë euro garanci për protestat

Në Komisionin për Turizmin, Blendi Gonxhja iu adresua fjalëve se Jennifer Lopez do të performojë në Tiranë. Ministri nuk e mohoi, por tha se këngëtarja ka kërkuar një garanci prej 2 milionë eurosh për protestat dhe është refuzuar.

Gonxhja: Për Jennifer Lopezin që më pyetët...

Zhupa: Do i jepni 4.3 milionë euro edhe asaj?

Gonxhja: Jo. E kemi refuzuar për momentin se kërkonte 2 milionë euro garanci nëse do të ketë protesta. E kemi refuzuar se nuk ia japim dot 2 milionë euro. Kjo është kostoja e destabilizimit të vendit. Për ata që e duan JLo në Tiranë, ta dinë që nuk e japim dot këtë garanci sepse na është dukur e pamundur për t’ia ofruar.

Zhupa: Se e pa ajo që nuk shiten biletat...

Gonxhja: Ishte para aktit normativ.

P.J/E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Or tej: 21/07/2026 14:08

    Kujt po i rruhet per Jenifferin or teeeejjjjj

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 20 Korrik, 07:09

    Territorialja, si e vlerësoni propozimin e PS për më pak bashki dhe ndarje në rajone?