Shitja e birrës dhe pijeve të tjera alkoolike do ndalohet në Katar gjatë Kupës së Botës. Familja mbretërore e këtij vendi, vetëm 48 orë para nisjes së eventit i ka kërkuar FIFA një ndalim total të birrës. Organizmi i futbollit botëror është kapur në befasi pasi marrëveshja e mëparshme fliste për një lejim të birrës në zonat rreth stadiumeve, aty ku tifozët do ishin më të kontrolluar për të shmangur çdo lloj incidenti të mundshëm.

Lëvizja e vendos FIFA-n në një rrugë përplasjeje me Budweiser, i cili është një nga sponsorët më të mëdhenj të turneut dhe ka një marrëveshje promovimi të birrës prej shumë milionë dollarësh me organin organizator që është FIFA.

Të huajt që do vizitojnë Katarin gjatë kësaj periudhe do mund të blejnë alkool vetëm në vendet e licensuara, që janë hotelet apo resortet luksoze. Pas protestave për të drejtat e punëtorëve dhe ato për LGBT, tanimë Katari është duke vendosur masa ekstreme për alkoolin, gjë që ndodh vetëm pak orë para startit të eventit. Si vend musliman, Katari ka një "listë aktivitetesh" që ndalohen gjatë këtij turneu. Në 20 nëntor në 17:00 Katari pret Ekuadorin për ndeshjen hapëse të Kupës së Botës.

FIFA ka reaguar zyrtarisht duke treguar se alkooli në stadiumet e Kupës së Botës në Katar dhe në zonat jashtë stadiumeve nuk do lejohet.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:39
ZYRTARE/ S'ka alkool për tifozët në stadiumet e Kupës së Botës, FIFA i nënshtrohet Katarit

FIFA ka reaguar zyrtarisht duke treguar se alkooli në stadiumet e Kupës së Botës në Katar dhe në zonat jashtë stadiumeve nuk do lejohet. Pas kërkesës së Katarit, FIFA është bindur ndaj familjes mbretërore. Alkooli në Katar do lejohet vetëm në zonën e fansave dhe në vendet e licensuara (hotele luksoze), teksa birra pa alkool do jetë e lejuar në stadiume.

"Pas diskutimeve mes autoriteteve të vendit pritës dhe FIFA-s, u mor një vendim për të përqendruar shitjen e alkoolit në zonën e fanave  dhe në vendet e licencuara, duke hequr shitjen e alkoolit nga perimetri i stadiumit. Nuk ka asnjë ndikim në shitjen e (birrë pa alkool, apo e kuqe) e cila mbetet e disponueshme në çdo stadium të Kupës së Botës në Katar", thuhet në njoftimin e FIFA.