Një i burgosur 48-vjeçar është arratisur mëngjesin e së martës nga burgu i sigurisë së lartë të KoridhalosAthinë, duke vënë në alarm autoritetet greke, të cilat kanë nisur një operacion kërkimi për kapjen e tij.

Sipas mediave greke, i arratisuri po vuante një dënim prej shtatë vitesh e gjysmë për posedim, shitje dhe transport të lëndëve narkotike, si dhe për shkelje të ligjit për armët. Ai pritej të lirohej në korrik të vitit 2031.

Rrethanat e arratisjes nuk janë sqaruar ende plotësisht, por raportimet paraprake bëjnë të ditur se 48-vjeçari ka përfituar nga një moment kur punonjësit e burgut hapën një derë për të nxjerrë mbeturinat nga një depo qendrore brenda institucionit.

Pas ngjarjes, dy punonjës të burgut të Koridhalos janë arrestuar. Ata akuzohen se kanë lejuar pa dashje arratisjen e të dënuarit, ndërsa ndaj tyre është hapur edhe një procedurë disiplinore.

Sipas informacioneve të publikuara nga mediat greke, i arratisuri ishte konsideruar më parë i përshtatshëm për leje të zakonshme nga autoritetet përkatëse. Gjatë gjashtë muajve të fundit ai kishte marrë tre leje të rregullta dhe ishte rikthyer në burg brenda afateve të përcaktuara.

Burgu i Koridhalos konsiderohet si një nga institucionet më të njohura dhe më problematike të sistemit penitenciar grek. Në këtë burg vuajnë dënimin edhe shumë shtetas shqiptarë.

Vetëm në janar të këtij viti, shqiptari 49-vjeçar Jani Alikaj u vra me një thikë të improvizuar brenda krahut të tretë të sigurisë së lartë të burgut. 10 ditë më vonë mbeti i plagosur edhe një tjetër i burgosur shqiptar, Dhimitër Meçi, pas një sulmi me thikë të improvizuar.