Qeveria greke njoftoi uljen e çmimeve për mbi 1.600 produkte të konsumit, duke e paraqitur si një masë për të lehtësuar koston e jetesës. Por a do të reflektohet realisht kjo në xhepat e qytetarëve? I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, gazetari Edmond Guri nga Athina u shpreh skeptik.

Ai sqaroi se marrëveshja mes qeverisë dhe bizneseve është arritur pas një procesi negociatash që ka zgjatur rreth një vit, ndërsa Shoqata e Konsumatorëve mbetet mosbesuese, sepse nisma të tilla ka pasur edhe në të shkuarën por që nuk kanë dhënë rezultatet e premtuara. 

“Nuk është një marrëveshje vullnetare por në dakordësi mes palëve ku sektori ibiznesit, kompanitë e mëdha, supermarketeve që mnenaxhojnë 80% të tregut në Greqi, prej një viti, pra ka një vit që ka filluar ky proces. Qeveria greke është ‘detyruar’ të tërhiqet dhe të ofrojë disa benefite për bizneset e mëdha ndërsa bizneset kanë rënë dakord të ulin çmimet për disa produkte, 1600, nga 6 deri në 30%  ”, u shpreh Guri.

Sipas tij, kohëzgjatja e marrëveshjes do të varet nga faktorë të jashtëm, si çmimi i naftës, lufta në Ukrainë dhe konflikti me Iranin, si edhe klima ndërkombëtare e biznesit.

"Periudha do të varojë sa kohë që varet nga faktori i jashtëm. Kemi ccmimin e naftës për shkak të luftës në Ukrainë dhe Iran dhe klima e biznesit ndëkombëtar. Nëse kjo periudhë zgjat 3 muaj, 6 muaj apo 1 vit, edhe kjo marrëveshje aq do të zgjasë. Shoqata e Konsumatorëve është e shqetësuar se biznesi reagon menjëherë kur i cënohet interesi ndërsa shteti nuk reagon kur cenohet interesi i qytetarit/.Ndërkohë që kemi luhatje të çmimit të naftës, asnjëherë nuk është ndjekur në treg" ttha Guri

Marrëveshja vjen teksa Greqia po kalon një periudhë të vështirë për sa i përket kostos së jetesës.

“Rroga bazë është 920 euro, por kemi dyfishim dhe trefishim të çmimeve. Një kilogram domate mund ta blejë tregtari me 50 cent, ndërsa në supermarket shitet katërfishin e çmimit. Qumështi te prodhuesi blihet me 80 cent dhe arrin në shitje në 2 euro. Nuk kemi konstatuar ulje çmimesh nga tregtarët”, tha Guri.

Nisma e qeverisë greke ka nxitur reagime edhe në Shqipëri. Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, kërkoi subvencionimin e të gjitha shpenzimeve të shkollës dhe heqjen e TVSH-së për ushqimet, ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, kërkoi uljen e TVSH-së për produktet e shportës, duke akuzuar qeverinë se nuk po merr masa për të përballuar rritjen e kostos së jetesës.