Gjyqtari i Apelit të Vlorës, Petrit Aliaj, një emër i njohur i drejtësisë, do të dalë nesër para Komisionit të Vetingut, për t’u njohur me rezultatet e verifikimit për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe pastërtinë e figurës. Dosja e gjyqtarit Aliaj do të shqyrtohet nga trupa gjykuese Brunilda Bekteshi, Etleda Çiftja dhe Xhensila Pine. Aliaj bën pjesë në grupin e njerëzve të drejtësisë, të cilët janë kallëzuar nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për fshehje të pasurisë. Më 28 shator të 2015, Ministria e Drejtësisë, bazuar në dosjen e ILDKP, i kërkoi Këshillit të Lartë të Drejtësisë shkarkimin e gjyqtarit. KLD, në mbledhjen e 10 shkurtit të 2017, vendosi rrëzimin e kërkesës, ndërsa dosja e ILDKP është mbyllur nga prokuroria. 

Ndërkaq, duke iu referuar deklaratave të pasurisë, gjyqtari Aliaj, vetëm gjatë vitit 2017, deklaron bashkë me bashkëshorten, 7 pasuri të tjera të paluajtshme. Konkretisht, Petrit Aliaj dhe Kozeta Shahini Aliaj deklarojnë se kanë marrë në pronësi nga një kontratë shkëmbimi me një shoqëri provate, 5 apartamente me sipërfaqe 70.5 m2, 80 m2, 82.3 m2, 89.3 m2 si dhe 91.63 m2. Po ashtu, kanë marrë në pronësi edhe një njësi me sipërfaqe 106.9 m2 si dhe një garazh me sipërfaqe 78.7 m2. Bashkëshortja e gjyqtarit thotë se kompania ka për t’i dhënë edhe njëe apartament tjetër me sipërfaqe 88 m2, tek ish-Policia Bashkiake në Tiranë. Gjyqtari thotë se i ka marrë borxh babait të tij 25 mijë USD si dhe 600 000 lekë vëllait. 

Petrit Aliaj është shkarkuar në vitin 2014 nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë për kryerjen e veprimeve që vijnë në kundërshtim me përmbushjen e rregullt të detyrës. Por, dy vjet më vonë, Gjykata e Lartë e riktheu në detyrë. Ndërkaq, Prokuroria e Krimeve të Rënda, gjatë hetimit pasuror të Klement Balilit, i njohur edhe si ‘Eskobari i Balllanit’, i dënuar me 10 vjet burg për trafik droge, nxori në skenë edhe gjyqtarin Aliaj. Ky i fundit ishte paguar në vitin 2005 me 47 mijë dollarë nga vëllezërit Balili, si konsulent ligjor i tyre. Petrit Aliaj ka ende një llogari të hapur me drejtësinë, pasi ka marrë pjesë edhe në gjyqin, ku pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar të Dritan Dajtit, duke e shpëtuar atë automatikisht nga burgimi i përjetshëm. Prokuroria kërkoi pushimin e çështjes, por Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar e rrëzoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme.

( Kliko këtu ) Dokumenti i plotë i deklarimit të pasurisë së Petrit Aliajt