TIRANË- Kjo e mërkurë është dita e dytë radhazi që është shënuar një humbje jete, e ndërsa numri i rasteve të reja në 24 orë ka pësuar një zbritje të ndjeshme.

Në 24 orët e fundit, si rezultat i 333 testeve janë konfirmuar pozitiv me COVID-19, 50 persona, si raste kontakti, por edhe vatra të reja, për të cilën ministria shprehet se ka nisur një hetim epidemiologjik. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient nga Tirana, 82-vjeçe e cila ishte shtruar në spitalin Infektiv, duke e çuar në total numrin e personave që kanë humbur betejën me këtë virus në 38.

Shkodra mban numrin më të lartë të rasteve të reja, 12 në total ditën e sotme, e më pas ndiqen nga Tirana me 11 raste, 7 në Vlorë, 6 në Krujë, 5 në Korçë, 4 në Durrës, nga 2 raste në Pukë dhe Kurbin, dhe 1 rast në Lushnje. Numri i pacientëve të shëruar vijon të jetë i ulët krahasuar me ato pozitiv, ku ditën e sotme janë shëruar 13 qytetarë, 1077 që nga fillimi i pandemisë. Ndërkohë, ka pësuar një rritje numri i pacientëve që ndodhen në terapi intesive, pra në gjendje më të rëndë. Aktualisht në shërbimin infektiv po marrin shërbim 53 pacientë, 9 prej tyre janë në terapi intensive ndërsa 3 janë të intubuar.

Në fund, ministria e mbyll me një apel për qytetarët, ku bën thirrje për mbajtjen e maskës në ambientet publike. "Ju lutemi respektoni rregullat. E vetmja mënyrë për të ndaluar përhapjen e infeksionit është duke ruajtur distancën fizike prej 1.5 metër nga njëri tjetri, duke ruajtur higjienën personale dhe duke larë duart vazhdimisht, bizneset dhe institucionet duke respektuar protokollet e përcaktuara. Maskat janë një domosdoshmëri për t’u mbajtur dhe mos i harroni kur dilni nga shtëpia. Vendosini ato kudo ku ambienti është i mbyllur, në spitale, qendra shëndetësore, dyqane, supermarkete, parukeri, taksi, ambiente pune, zyra shërbimesh.

Familjarët e pacientëve në spitale të shmangin sa më shumë vizitat, të moshuarit kur është e mundur të shmangin kontaktet në qendrat shëndetësore, por të kontaktojnë me mjekun e familjes për barnat me rimbursim. Ju nuk e dini nëse dikush pranë jush është bartës i virusit. Mbroni veten dhe familjet tuaja. Mos i neglizhoni shenjat e sëmundjes. Tregoni nëse keni simptoma e qëndroni në shtëpi kur prisni përgjigjen e tamponit apo kur jeni në karantinë", njofton Ministria.

Harta e qyteteve të prekura përgatitur nga Report Tv 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:45
Durrës/ Preken 4 persona me COVID-19, dy nga vatra të mëparshme e 2 raste të reja

DURRËS- Gjatë 24 orëve kanë rezultuar 4 persona të prekur me COVID-19 në qytetin e Durrësit. Sipas korespodentit të Report tv, 2 janë pjestarë të vatrave të mëparshme, 2 janë raste të reja, ku 1 është në Durrës dhe 1 në Sukth. Të gjithë të prekurit me koronavirus janë asimptomatikë.

Ora 10:43
Korçë/ 5 persona preken nga COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, 1 person infektohet në QSUT

KORCË- Gjatë 24 orëve në qytetin e Korçës janë 5 raste pozitive me COVID-19. Në 6 tampone të realizuara 5 kanë rezultuar pozitive. Sipas burimeve një prej rasteve qe kanë rezultuar pozitiv në Korçë është banor i Vlocishtit dhe ndodhet në QSUT ku edhe është infektuar ndërsa 4 rastet e tjera të infektuara po trajtohen në kushte shtëpie.

Ora 10:28
Shkodër/ 12 persona të prekur gjatë 24 orëve, infektohen dy mjekë e një infermiere

SHKODËR- 12 raste të prekurish nga Covid-19  janë regjistruar regjistruar në Shkodër, 7 persona më pak se ditën e djeshme, pas 28 tamponëve të bëra. Fasoneritë mbeten akoma vatra kryesore infektimi, pasi numri më i madh i të infektuarve është aty. Ndërkohë që pjesa tjetër e të prekurve janë vijim i kontakteve të ditëve më parë. Të infektuar janë një mjek kirurg, një mjeke lagjeje, dhe një infermiere e kirurgjisë në spitalin e Shkodrës.