550 Vjetori/Gjergj Kastrioti, heroi 
në gojëdhëna e legjenda shqiptare 

Disa prej legjendave dhe gojëdhënave të mbledhura ndër vite në trevën e Kurbinit, nga autorë të ndryshëm dhe treguar nga të moshuar të po kësaj treve…

Legjendat dhe gojëdhënat janë një lloji i veçantë i tregimeve tona popullore. Ata janë krijime gojore të krijuara spontanisht nga populli, ardhur nga thellësia e shekujve gojë më gojë deri në ditët tona. Tek legjendat mbizotëron e mrekullueshmja, e mbinatyrshmja, duke pasur gjithnjë një bazë imagjinare ose dhe reale. Shpesh legjendat ndërtohen mbi mite legjendare dhe historike. Tek legjendat mitologjike mbisundon fantazia popullore, ata ndërtohen mbi motivet dhe subjektet e kësaj fantazie.

Legjenda të tilla janë të hershme, i përkasin periudhës kur njerëzit i shpjegonin ngjarjet, emërtimet ose fenomenet natyrore në mënyrë imagjinare. Këta fenomene natyrore si shëndërrimet, nga njeri në shpend, ose shpërthimi i gurrave etj, shpjegohen vetëm me anën e imagjinatës së zhvilluar njerëzore. Kështu shpjegohet kthimi i Gjonit, ose Gjokës në çok, ose dalja e ujit nga brinja e malit me një të rënë të shpatës. Legjenda të tilla janë të hershme dhe sjellin deri në ditët tona jehonën e personazhëve, ngjarjeve dhe ndodhive mitologjike, duke sintetizuar periudhën kur njerëzit i shpjegonin ngjarjet dhe fenomenet njerëzore mbi bazën e imagjinatës. Në këta legjenda mbizotëron hipërbola dhe personifikimi. 

 Në legjendat historike më të shumta dhe më të njohura e të shpjegueshme, ka bazë reale dhe historike, madje edhe personazhet janë reale dhe historike. Shpesh edhe personazhet e këtyre legjendave vishen me elementë fantastikë për të treguar trimërinë, burrërinë, zgjuarsinë, mikpritjen, bujarinë, besën etj. të tilla legjenda në krahinën e Kurbinit janë të shumta. Kjo për faktin se në këtë krahinë ka vepruar Gjergj Kastriotit, Kokë Malçi, patrioti Gjin Pjetri, At Shtjefën Gjeçovi etj. Prandaj legjendat dhe gojëdhënat për figura dhe vende historike janë të shumta. Nëse tek legjendat për Skënderbeun sundon fantastikja, në ato për vendet historike ose toponimet duket se ka bazë reale.

Gojëdhëna për Mullinin Fallë thotë se ky objekt historik është ndërtuar rreth 600 vjet më parë. Në gurin e këtij mulliri ka qenë gdhendur nga dora e Skënderbeut “Kush bloftë, sofra iu mbushtë”. Ky mulli ishte ndërtuar për shtatë fshatra, ka funksionuar pa pronar dhe në këtë mulli Prandaj legjendat historike që pasqyrojnë personazhë apo ngjarje në këtë trevë, lidhen ose me emrin e tyre, ose me toponime, vendet ku ata kanë vepruar. Këta krijime të bukura popullore kanë rendësi të veçantë historike dhe njohëse sepse me anë të tyre vlerësojmë historinë e lavdishme të popullit tonë, personazhet e saj, si dhe aktivitetin e tyre atdhetar. 

Rëndësi të veçantë këta legjenda dhe gojëdhëna kanë sepse përmes tyre pasqyrohen idetë patriotike, gjuha e gjallë dhe e pasur, imagjinata dhe fantazia e pasur e popullit tonë. Nisur nga legjendat dhe gojëdhënat, personazhet historike janë heronj, kryejnë veprime të mbinatyrshme, ndërtojnë objekte të çuditshme, godasin armikun dhe fitojnë, kapërcejnë humnera, çajnë shkëmbinj, vendosin ura komunikimi mes tyre. Në këto legjenda, Skënderbeu është një hero mitik që pasqyron forcën dhe madhështinë e një populli në luftë për liri. Legjendat dhe gojëdhënat janë pjesë e vlerave kulturore dhe shpirtërore të popullit tonë që duhen mbledhur, sistemuar dhe ruajtur me kujdes. 

Këtu janë mbledhur disa prej legjendave dhe gojëdhënave të mbledhura ndër vite në trevën e Kurbinit, nga autorë të ndryshëm dhe treguar nga të moshuar të po kësaj treve të cilat bin në sy për gjerësinë tematike, vlerat dhe personazhet e vendet. Besoj se kjo ndërmarrje e parë do të pasohet në të ardhmen nga studiues të tjerë, pasi ata janë të bollshme dhe vlerat e tyre janë të pamohueshme. Ata mbartin vlera historike, artistike dhe transmetojnë mesazhe dhe ide të qarta. Ja disa prej tyre:

UJË NGA BRIJA E MALIT
Sapo dolën nga zabeli, aty ku rruga ngushtohej e kuajt e kishin të vështirë të ecnin, Skënderbeu e mbajti kalin dhe me një levizje të shpejtë u hodh në tokë e filloi t’i shmpinte këmbët. Adjutanti i tij, Dodë Lleshi, rendi menjëherë pranë kombandantit, kapi rripin e frerit dhe priti se ç’urdhër do të merrte. 
 -Kuajt do t’i mbani, -e porositi Skënderbeu duke shikuar diellin që po perëndonte: -Ne do të udhëtojmë natën e, kur të vijë mëngjesi do të kemi zënë vend te Mali i Bardhë. Atje do të rrimë të maskuar gjersa dielli të ngjitet mbi kokat tona dhe hija ime të bëhet dy pëllëmbë. Në darkë do të sulmojmë ushtrinë turke në fushë dhe ju në atë kohë duhet t’i keni zbritur kuajt poshtë, në luginë. 

Skënderbeu i kishte urdhëruar luftëtarët të merrnin me vete nga një xhokë të bardhë. Plani i tij ishte tepër i hollë. Luftëtarët do të udhëtonin natën tërthor malit e ndaj të gdhirë do të vendoseshin në një shpat me gurë të bardhë. Do të prisnin aty gjersa të vinte mesdita, dhe, kur turqit do të bënin pushimin e drarkës, duke u hallakatur nëpër hijet ose buzë lumit, ata do të hidheshin në sulm. Xhokat e bardhë do t’i maskonin, kur të zbrisnin nga mali, dhe ata do t’i afroheshin kampit armik pa rënë në sy. Kjo ishte një nga mënyrat më të mira për ta sulmuar atë kamp, sepse në anët e tjera turqit kishin vendosur roje dhe posta vëzhgimi, kurse nga Mali i Bardhë nuk prisnin ndonjë sulm, sepse vendi ishte i zhveshur dhe çdo lëvizje do të dukej qartë. 

 Plani i Skënderbeut qe i mirë, veç dielli dhe vapa e korrikut po e vinin në rrezik. Kur po afronte mesdita, luftëtarët, që gjithë ditën kishin qëndruar mbi rrasat e bardha të gurëve, me xhokë mbi kokë, qenë bërë ujë në djersë. Ata po merrnin frymë me shpejtësi, buzët i ishin pjekur, sytë u digjnin dhe pështyma u qe bërë e trashë si zamkë. Vapa dhe të qëndruarit nën diell i kishin lodhur e i kishin topitur. 

Skënderbeu pyeti disa ushtarë nëse ishin në gjendje të luftonin. Ata u përgjigjën se do të mundnin etjen dhe do të duronin gjer në fund. “Zemrat i kanë të zjarrta, -mendoi Skënderbeu, -edhe pse kjo vapë e madhe i ka lodhur së tepërmi”. S’dëgjohej gjë tjetër veç fjalës “ujë”. Kurrë një curril uji nuk u qe dukur aq i dashur, i nevojshëm, aq çlodhës dhe aq i çmuar.  “Ujë” -thoshin buzët e tyre të thara; “ujë” -vështrimet e tyre të vagulluara, “ujë” -gurmazet e tyre të djegura; “ujë” -gjuha e tyre e trashur. 

 Skënderbeu e ndjeu se plani i përgatitur me aq kujdes qe rrezik të dështonte, dhe u dëshpërua. Një luftëtarë erdhi zvarrë-zvarrë dhe i solli Skënderbeut një sapllak mbushur me ujë. Mbi sipërfaqen e ujit rrezet pasqyroheshin me vezullime të shndritshme e uji dukej si kristal. 

 -Ku e gjete? -pyeti Skënderbeu. 
 -Larg, -tha ushtari, -shumë larg prej këtej, në anën tjetër të malit. -Fytyra e tij qe e freskët, e çlodhur. Ky ishte korrieri që po vinte të lajmëronte se kuajt qenë nisur poshtë luginës. 

 Skënderbeu e mori sapllakun dhe po e mbante në dorë. Uji lëshonte shkëlqime vezulluese e drita larushitej mbi fytyrën e Skënderbeut. Korrieri po shkëlqente nga gëzimi për nderin që po i bënte komandantit në një çast të tillë. Luftëtarët, padashur, kthyen vështrimin nga ai dhe po habiteshin se si Skënderbeu nuk po e pinte menjëherë. Edhe atë e kishte djegur etja. Skënderbeu shëtiti vështrimin mbi fytyrat e luftëtarëve. E ngriti sapllakun ngadalë gjer te mjekra, te buzët, te balli dhe pastaj e derdhi mbi pllakat e bardha. Uji, si të kishte rënë mbi zjarr, u avullua menjëherë. 
 -Kur s’ka për të gjithë, le të mos ketë edhe për mua, -e duke thenë kështu, ia dha kupën të zotit. 

 Një britmë habie e gëzimi përshkoi dallgë-dallgë rreshtat e ushtarëve të shtrirë mbi gurët e zhveshur. Nxehtësia që rrezatonin gurët poshtë, dhe rrezet e diellit përvëlues sipër, po ua merrnin frymën ushtarëve. Skënderbeu ishte në mëdyshje. Luftëtarët ishin si të përgjumuar nga vapa dhe etja. Turqit poshtë, në fushë, kishin vapë, por jo etje, se lumi aty pranë bënte një dredhë dhe puset nuk mungonin. 

 -Si do të bëjmë? -i pyeti Skënderbeu. 
 Ata thanë vetëm një fjalë:
 -Kemi etje, po do të durojmë gjer në fund. 

 Edhe pesë ushtarë po të kishin thenë “nuk mundemi”, ose “ti je komandant, shiko e vepro si të jetë më mirë”, ai do të kishte hequr dorë nga sulmi që mendonte të bënte atë ditë. Skënderbeut i erdhi keq për ushtarët dhe mendoi: “Sikur të kishin mundësi të freskoheshin, forcat e tyre do të ripërtëriheshin menjëherë”. Në atë gjendje nxori shpatën nga milli dhe goditi me forcë tokën duke thenë:

 -Në paç ujë, o mali ynë, nxirre këtu për luftëtarët e tu!
 Atëherë nga brinja e malit, tamam atje ku Skënderbeu e kishte shpuar me shpatë, shpërtheu një burim me ujë të ftohtë, sa pëlciste bostani, po ta lije më shumë se pesë minuta. 

 Ushtarët pinë ujë me radhë, u freskuan, u lanë; u çelën në fytyrë, u iku gjumi, u erdhi hareja dhe iu përtërinë forcat. 
 Veç uji vazhdonte të dilte me vrull dhe po rridhte gjithmonë tatëpjetë. Ashtu siç e kishte nisur, shpejt do të arrinte në fushë, ku ishin turqit. Rrezik se edhe ata do të pinin nga ai ujë aq i freskët, aq i shëndetshëm. Kjo s’duhej të ngjiste. 

Ç’të bënte Skënderbeu, që dhe ushtarët e tij të pinin, dhe turqit të mos përfitonin?U mendua e u mendua me dorën te mjekra, pastaj shkoi nja dhjetë metra poshtë burimit e tha:
 -Aty dalç e këtu humbsh!
 Uji sikur u meh pak, po sërish gufoi me vrull. 
 -Uh, -tha Skënderbeu, -harrova ta shpoj me shpatë vendin, -dhe nguli majën në tokë. Në çast aty u hap një gjeratore dhe uji i burimit filloi të derdhej brenda. 

Në drake herë, tamam në zheg të vapës së korrikut, shqiptarët filluan të zbrisnin me xhokat e bardha që nga shpatet e malit. Zbritën në fushë tamam në atë kohë kur s’i priste njeri e tamam nga ajo anë që s’u shkonte mendja turqve. U ranë në befasi dhe i shpartalluan keq e mos më keq! Pastaj u hipën kuajve që i prisnin në luginë, dhe u zhdukën përpjetë malit. 

Ka shumë vende në Shqipëri ku uji del në një vend e humbet pak më tej. Këto janë krojet ose burimet e Skënderbeut. 

NJI POÇ ME VENË
Ba nji pushim të mirë, u drejtuen e ranë në Vinjollë (2) për me bujtë. I zoti i shpisë u ankue me ta se i kishin xanë sytë, ke s’i qillonte veç nji poç me venë. 
Skanderbegu, qi ishte me dyzet djelmt, e dinte se ishte kore me i shtrue kuj tryezën pa venë, 
prandej i erdh keq ke e mbaronte, por, mbasi ishte errë e s’u shifte me shtij gishtat në sy, nuk pat kah me ja mbajtë e zateti:
 -U shtrue sofra e bocujt me venë s’pranshin s’ardhmi. U çue pet në kambë Skanderbegu atëherë e me buzë në gaz:
 -Or ti fisnik, tha, e dij se më rrejte, eja e më ço te poçi!
 E përcolli aj e nuk gjet Skanderbegu veç nji poç t’idhtë, por aq të madh, sa me xanë gjashtë masa venë. 
 Të pamit, u çudit e tha Skanderbegu:
 -Mos daltë, tha, kjo fe në ket vend!

 E duen me thanë, se sadoqi provuen me u xanë farën, që me at ditë nuk bijnë ma. 
 N’e nesre, me të bamit ag drita, u nis për Krue, ku pikë së pari, tuj pasë gjetë nëpër malsi tepër pak tokë bukanece, e vuni me pague malsitë aty e mbrapa veç ka njiqind aspra për tym, e ushtar burrë për shpij. 
 Kurbin 1926
__________________________________________________________________________________ 
1. Lundre thirret nji përrue, qi gjindet ndërmjet të malit të Trodhnes e të kodrave të Permacit. Me at emën edhe shpatet e sheshet andej e këndej atij përroni. 
2. Fshat i Kurbinit. 

TANDA E KOKË MALÇIT
Mbas njaj lufte, doli Skanderbegu, si kishte zakon në Mal të Bazës e thirri krenët e Kurbinit me u dhanë do porosi. Si krevi fjalët për të cilat i kishte thirrë, i pëveti për Kokën, qi e dinte se ka ditë ishte në të shtrueme prej ethesh. Ata, tuj pasë fjalën prej tij me i thanë se kishte pasë ndekë, në sa ky ishte kenë n’atë luftën e mbreme, tuj e dijtë se nuk i mirrte për të keq fjalët e ojnat e Plakut të Malçit, i thanë se kishte pasë vdekë. 
 Skanderbegu bani kinse po u xa besë, për me e vërtetue pale a ishte njimend si thonshin ata, u dha urdhën me i ndreqë nji tandë prej Malit të Bazës e deri në Lezhë, përse kishte nji nevojë të fortë e s’u zotnonte me marrë at rrugë me gjithë at vapë prej frigës s’etheve. 
 U pijnë krenët ta ndiemit at erdhën, e, mbasi i diftuem vështirësinë qi kishin m’e çue në vend, tuj e pa s’e donte doemos, i thanë se për mundë nuk do të linshin gja mangut. 
 Si u danë, vojtën drejt e te Koka e i diftuen urdhënin qi kishin pasë prej Skanderbegut e aj, pa u trazue:
 -Ma lini mue, tha, veçse shka, rrini natë e ditë gadi deri t’u thërras. 
Me aq krenët u shpërndanë me gëzim ndër shpija të veta, të sigurtë, se aj do të gjindte mënyrën se si me zgjidhë at lash.(1)
Mbas tri a katër ditësh u vra moti anekand e Koka u dërgovi krenëve kasnecin te dera qi t’u nisëshin sa ma parë e t’i thonshin Skanderbegut se tanda ishte gati. 
Mbërritë këta te aj, porsa ja çeken, u kujtue se Koka nuk kishte pasë vdekë, prandej u nis me ta me pa Plakun e Malçit. (2)
Skuraj - Krujë, 1926
1. lamsh. 
2. Krs. a) Rev. Albania, 1906. 1; b) MHFSH, Vëll. III. f. 498. 
LEKË DUKAGJINI DHE SKËNDERBEU
 Gjergj Kastrioti i dërgoi nji ditëze falë me shnet Lekë Dukagjinit edhe ja dau ditën qi t’vite n’kuven për me marrë vesht m’do gjyqe Shqypniet. E përnjimet Leka iu përgjegj zanit t’Kastriotit e erdh ke e thirrte Skendërbegu. Ranë n’gjyq e shum do punë i pleqnuenë edhe i shtruenë. N’tana gjygje t’Lekës Gjergji kje ba zami, por n’gjygj t’gjaqeve Skendërbegu s’i nejti.(1)
Kurbin - 1906. 
1. Krs. MHFSH Vëll. III, f. 503. 

KALAJA E SEBASTES
Zona ku ndodhet Kalaja e Sebastes kishte rendësi strategjike, pasi kontrollonte rrugën Krujë-Lezhë-Shkodër. 
Në kodrën e Kolikut të Laçit rreth 50 m të lartë gjendet një fortifikim i vogël 60x80m, ndoshta një parafortifikim i ndonjë qyteti antik. Në këtë zonë, në antikitetin e vonë, gjenden akoma gjurmët e një fortifikimi në kodrën e kalasë. 

Kjo kodër shkëmbore, e cila përzgjatet nga jugu në veri, në vazhdim të vargut Krujë-Lezhë, ka një pamje mjaft tërheqëse. Masivi shkëmbur në perëndim ka pjerrësi të madhe. Nga ana lindore masivi zbret në një kanion të thellë ku shihet përroi i Shënandoit. Afër qafës shkëmbore ku kalon rruga Laç-Daul ka ekzistuar kalaja e Tanushit në Daul. Kalaja e Sebastjes ka pasur dy funksione, kontrollin e rrugës Lezhë-Durrës dhe si nyje sinjalizimi. Disa edhe sot gabimisht e quajnë kalaja e Gjormit, kalanë e Sebastjes së Laçit. 

Arkeologu austriak Prashniker e ka quajtur kala-qytet, ndoshta nga ideja e ekzistencës së qytetit së Divasve si qytet i hershëm në këtë trevë, me emblemën e luanit vendosur mbi mburojë. Kjo kala ngrihet në një masiv shkëmbor, i cili ka mjaft vështirësi në ngjitje. Nga lindja e perëndimi gjendet një fragment muri 5-6m gjatësi, në veri rrethohet me shkëmbinj, kurse nga juglindja ka një pjerrësi të vogël. Pikërisht këtu gjenden dy kulla, ndërsa anët e tjera janë lënë pa to. 

Kullat kanë formë drejtkëndëshe me përmasat 6. 6 x 5m e trashësi muresh 1. 3m. Muret e kullave janë më të holla se muret rrethuese te pamja ballore. Mbase kulla e parë duhet të jetë banuar nga ndonjë familje e fisme dhe hyhej nga një portë në mesin e saj. Nga brenda kjo kullë ka pasur një sterë uji. 
Thuhet se kjo kala është e njëkohëshme me të Daulës, e ndërtuar nga kjo në shek. VI bazuar në teknikën e ndërtimit dhe nga copat e gjetura të qeramikës. Gjeçovi ka thënë se në fushën e Daljanit deri te kodra e Divës ka qënë një qytet, që i përkiste Parthinëve, i cili ka pasur kulturën e vet. 
Këtu është gjetur një pllakë me një shkrim të palexueshëm. Kalaja e Sebastjes nuk ka pasur jetë të gjatë dhe thuhet se është prishur nga fund ii shekullit VII e për rrjedhojë sot aty këtu ka vetëm gërmadhat e saj. 
Kurbin, 1967

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen