Përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidaturën e Bekim Sejdiut për president kanë shtyrë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, të kërkojë një takim të ri me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Kurti e bëri të ditur kërkesën pas mbledhjes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, duke thënë se qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Sejdiun, ka krijuar një situatë të re politike.
“Natyrisht, kjo mbledhje ishte në dijeni të zhvillimeve të orëve të fundit, ku në njërën anë ishte shpresëdhënëse qëndrimi i kryesisë së LDK-së, mirëpo më pas patëm edhe këtë njoftimin negativ që 6 deputetë të LDK-së nuk e mbështesin Sejdiun për president. Kjo është një situatë e re, e cila kërkon që unë të takohem përsëri me kryetarin e LDK-së dhe që të rikthehem në kryesinë e VV-së për ta diskutuar rrugën e re që duhet ta ndjekim përpara”, deklaroi Kurti.
Ai tha se deputetët e Vetëvendosjes mbështesin të gjithë kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, ndërsa kritikoi qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, duke e cilësuar të papërgjegjshëm dhe të paarsyeshëm.
“E konsiderojnë të papërgjegjshme, të dëmshme, absurde një sjellje të tillë të këtyre gjashtë deputetëve, ku pas tri palë zgjedhjeve duket që ka dëshirë e ka vullnet, ka interes që të shkojmë edhe në zgjedhjet e katërta për më pak se dy vjet”, tha Kurti.
Kurti paralajmëroi se dështimi i procesit për zgjedhjen e presidentit dhe rikthimi i vendit në zgjedhje do të ishte, sipas tij, i panevojshëm dhe i dëmshëm për Kosovën.
“Qytetarët kanë folur edhe më 9 shkurt, më 28 dhjetor të vitit 2025, kanë folur edhe më 7 qershor të vitit 2026. Nuk do të duhej që pa arsye, pa nevojë, përsëri të shkojmë në zgjedhje të parakohshme”, u shpreh ai.
Lajmi kryesor:
Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme! Pas PDK e Aleancës, 6 deputetë të LDK kundërshtojnë kandidaturën e Sejdiut për President! Kurti kërkon takim të ri me Abdixhikun







