TIRANË- Në një ditë historike për Tiranën, kur të gjithë liderët europianë do të mblidhen në vendin tonë, Sali Berisha dhe Ilir Meta kanë paralajmëruar protestë para Kryeministrisë, ndonëse kjo zonë është e futur në perimetrin e sigurisë. Zv.kryetari i Partisë së Lirisë, Agim Nesho e sheh protestën si një lëvizje të matur të opozitës. Nesho tha në Report Tv se kjo do të jetë një lëvizje paqësore që ka si qëllim vetëm t’i tregojë Bashkimit Europian se shqiptarët nuk janë dakord me këtë regjim.
I ftuar në emisionin ‘Kontrast’ me Denis Mingën dhe Lorenc Vangjelin, zv.kryetari i Partisë së Lirisë tha se opozita ka të drejtën e saj të protestojë kur të dëshirojë.
“Po ta shohësh diskursi i doktorit ishte shumë i qetë, duke përfshirë edhe legjitimitetin e udhëheqësve europianë. Zgjedhjet janë kontestuar. Së dyti çështja e demonstrimit, manifestim paqësor, nuk është kundër udhëheqësve europianë. Kjo qeveri që ka shumë momente me abuzimin e pronave, vjedhjeve, arrogancë, e largon Shqipërinë nga Europa. Për të zhdukur këtë regjim mendojmë se ka ardhur koha që opinion ndërkombëtar të ndërgjegjësohet më shumë. Të shohin se vullneti i popullit për ndryshim është i madh. Lëvizje e matur e opozitës, ka të drejtën e saj legjitime të kundërshtojë këtë regjim”, tha Nesho
Ndalur në masat e larta të sigurisë që do të merren për mbarëvajtjen e këtij samiti, Nesho tha se Rama thjesht po justifikohet me sigurinë, pasi nuk e do këtë protestë. Sipas tij masat e sigurisë i vendos shteti shqiptar dhe Rama thjesht po i përdor për t’u përpjekur për të ndalur protestën.
“Rama është nga ata kryeministra që kur vjen puna që BE i ka kërkuar të pengojë çështjen e amnistisë fiskale. Masat e sigurisë i përkasin shtetit shqiptar. Unë mendoj që Rama nuk e pëlqen një protestë. Momentin që ka, ka dashur ta ktheje, siç bën që për herë të parë ka një samit të madh. Ky samit është një domosdoshmëri duke shikuar që vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë ndjekur rrugën europiane. Këtu kam parasysh edhe Ramën që ka sharë BE dhe ka treguar alternativa të tjera, ndihmën e Rusisë për pandemi. Këto kanë krijuar që vetë BE-ja, kur kanë vendosur që nga ana gjeopolitike duhet të bëhet pjesë e BE. Kanë dashur ta sfumojnë këtë proces që është jetik për Europën. Prandaj ka dashur ta bëjë në Shqipëri, nuk mund të ekzistojnë dy iniciativa, që duket sikur janë paralele, por janë të kundërta”, tha Nesho.
Nga ana tjetër, analisti Lorenc Vangjeli thotë se protesta është një lëvizje e dëshpëruar e Berishës, i cili thjesht po përpiqet t’u tregojë liderëve europianë ekzistencën e tij.
“I duhet me dëshpërim të tregojë të martën në Tiranë që ekziston. Kërkon një rol dhe një vend të tryezë. Të afrojë adresën e tij në Europë. Sipas tij s’ka asnjë vend më të mirë për të shpërndarë kartëvizitën e tij sesa ajo ditë. Protestë që nuk i shërben doktorit. Lëvizje e dëshpëruar. Do jetë një kompromis, do jetë paqësore me një shumicë flamujsh blu, tek tuk ndonjë flamur shqiptar dhe amerikan”, tha Vangjeli.
Berisha ka paralajmëruar një protestë më 6 dhjetor pavarësisht se Policia dhe Bashkia nuk i kanë dhënë leje, ai këmbëngul që protesta do zhvillohet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Tirana do të blindohet me forca të shumta sigurie. Rreth 1500 efektivë pritet të jenë në terren për të siguruar mbarëvajtjen e samitit.