TIRANË- Rezultati i zgjedhjeve të 6 marsit në bashkinë Shkodër, sipas avokatit Spartak Ngjela, tregoi se Edi Rama është bashkuar me Sali Berishën. Ngjela thotë në Report Tv se Partia Socialiste në Shkodër ka dal me 9 mijë vota më pak, krahasuar me zgjedhjet vendore në 2015. Ai thotë se Rama ia ka lënë vetë fitoren Berishës në Shkodër.

Në ‘Studio Live’ me gazetarët Arbër Hitaj dhe Migena Sotiri, Ngjela thotë se Rama dhe Berisha janë bërë bashkë për të shkatërruar Partinë Demokratike, pasi kanë frikë nga mbështetja që kryedemokrati ka Shtete e Bashkuara të Amerikës.

“Analiza ime vjen tek Shkodra, që i vë pikëpyetje të gjithave. Rreth 9 mijë është diferenca e votave që ka marrë PS në Shkodër në krahasim me zgjedhjet e 2015. Rama bashkuar me Saliun. Si mund të kesh rezultat rreth 9 mijë vota më pak. Janë të gjithë të sulur, Rama, LSI dhe Shtëpia e Lirisë për të shkatërruar PD. Po të kishte marrë rezultatin e 2015PS, edhe PD edhe Shtëpia e Lirisë nuk e mundin dot edhe po të ishin bashkë. Çfarë ka ndodhur? Këtu fillon loja. Edhe Ramën e shqetëson shumë përkrahja amerikane që po i jep Bashës”, tha Spartak Ngjela në Report Tv.

Ndalur në deklaratën e Sali Berishës se do të kandidojë për kryetar partie në PD, Ngjela thotë se Berisha nuk mund të vijë në krye të partisë, pasi Lulzim Basha e ka përjashtuar nga partia. Avokati thekson se ka vetëm një PD dhe ajo është e kryedemokratit Basha.  

“PD ka vetëm një ligjore. Shtëpia e Lirisë nuk është parti.

Juridikisht nuk lejohet, se njëherë Basha e përjashtoi nga grupi parlamentar, pastaj mblodhi kongresin dhe e përjashtoi nga partia”, u shpreh Ngjela.

Në zgjedhjet e së dielës së kaluar, koalicioni i Berishës me Ilir Metën doli forcë e dytë, duke e spostuar Lulzim Bashën në të tretin në një rezultat më shumë se dramatik, më të dobëtin e 30 viteve. 'Shtëpia e Lirisë' fitoi në Shkodër dhe doli forcë e 2 në 4 bashki të tjera, duke u mundur nga Basha vetëm në Rrogozhinën

Partia Demokratike në drejtimin e Lulzim Bashës pësoi humbjen e 6 radhazi në zgjedhje. PD-ja doli forcë e 3-të në 5 Bashki (përveç Rrogozhinës). Basha refuzoi që këtë ta quante humbjen e radhës, duke thënë se ai "nuk kishte humbur në jetën e tij asnjë garë, por thjesht ishte përballur me masakra elektorale" e ku 6 marsin e quajti 'kurth'.