Procesi i Berlinit/ 6 mld € për Ballkanin Perëndimor, Von der Leyen: Brenda këtij viti nis shpërndarja! Scholz: Shpresoj mos të duhen edhe 10 vite për integrimin

BERLIN- Brenda fundit të vitit 2024 pritet të nisë shpërndarja e fondit 6 miliardë euro nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Lajmi u bë me dije nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin gjerman, Olaf Scholz pas përfundimit të samitit të Procesit të Berlinit, që bëri bashkë 6 liderët e Ballkanit Perëndimor.

Kryekomisionerja tha se këtë jave pritet të miratohen axhendat e reformave, të vendosura si kusht për përfitimin e fondit të Planit të Rritjes. Ky miratim vetëm për 5 vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Shqipërinë do t’i hapë rrugë edhe lëvrimit të fondeve. I vetmi vend i rajonit, i cili duhet të presë ende miratimin e axhendës së tij, është Bosnje Hercegovina, pasi nuk ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.

"Ne i kërkuam partnerëve tanë të zhvillojnë Axhendën e tyre të Reformës sipas Planit të Rritjes. Sot kam kënaqësinë të raportoj se pesë nga gjashtë axhendat e reformave do të miratohen këtë javë. Kjo do të thotë që pagesat nga Plani i Rritjes mund të fillojnë të rrjedhin para fundit të vitit. Kjo nuk do të ishte e mundur kurrë pa Procesin e Berlinit. Pra, puna e vështirë e Procesit të Berlinit është një histori suksesi. Është një rrugë me erë. Por ne po ecim përpara", tha Von der Leyen. 

Njëzëri, Von der Leyen dhe kancelari gjerman Olaf Scholz thanë se vendi i vendeve të Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian dhe se Procesi i Berlinit luan një rol kyç në anëtarësim. Arkitekt që ka siguruar një lidhje të fortë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor e quajti Von der Leyen nismën e Procesit të Berlinit, që mbushi 10 vite që nga lancimi për herë të parë në 2014 nga ish-kancelarja Angela Merkel. "Luftërat kanë qenë një mesazh për BE se një union i madh është edhe më i fortë", vijoi Von der Leyen.

“Procesi i Berlinit ka qenë gjithmonë avokati, arkitekti dhe spiranca e një lidhjeje të fortë mes nesh. Dhe ne ju falënderojmë për këtë. Shumëçka ka ndryshuar në dhjetë vjet, sigurisht. Kohët e konflikteve, luftërave dhe trazirave kanë sjellë ndërgjegjësim të ri brenda Bashkimit Evropian. Vetëdija se një Union më i madh është gjithashtu një Union më i fortë”, vijoi Von der Leyen.

“Më shumë se 20 vjet më parë, këtyre vendeve iu premtua anëtarësimi në BE në Selanik. Është koha që këto fjalë të pasohen nga veprime. Për ta arritur këtë, Gjermania nisi Procesin e Berlinit dhjetë vjet më parë”, tha Scholz.

Scholz u ndal edhe tek dy marrëveshjet e nënshkruara gjatë samitit, duke thënë se është arritur një progres i rëndësishëm që do t'u lehtësojë jetën qytetarëve të rajonit.

“Një shembull i kësaj është Plani i Veprimit i Tregut të Përbashkët Rajonal i sapo nënshkruar, me të cilin gjashtë shtetet ranë dakord për një bashkëpunim më të ngushtë në një zonë ekonomike që përfshin 17 milionë njerëz. Do të ndihmojë, dhe kjo është shumë e rëndësishme për mua personalisht, për të koordinuar më mirë standardet sociale dhe të punës dhe për të bërë më të lehtë lëvizshmërinë midis vendeve”, tha Scholz.

Sërish kancelari gjerman u ndal tek situata mes Kosovës dhe Serbisë, duke dhënë edhe njëherë mesazhin se dy vendet duhet të plotësojnë detyrimet e tyre për të normalizuar marrëdhëniet.

“Kam këmbëngulur që të dyja palët të zbatojnë plotësisht detyrimet e tyre. Në vende të tjera vërejmë edhe retorikë përçarëse nacionaliste. Është rrezik për zhvillimin e ndërsjellë dhe jetesën e përbashkët në paqe dhe prosperitet. Është e qartë se këto vende do të mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian vetëm së bashku”, tha Scholz.

Scholz vlerësoi progresin e arritur në CEFTA, me miratimin e 9 marrëveshjeve që thellojnë bashkëpunimin tregtar dhe ekonomik rajonal, si dhe theksoi rolin e Gjermanisë dhe Përfaqësuesit Special për Ballkanin Perëndimor Manuel Sarrazin në ndërmjetësimin e këtij procesi.

“Dhe falënderoj Kosovën për hapjen e pikës kufitare për mallrat serbe në këtë kontekst. Ky është fryma e Procesit të Berlinit”, tha Scholz.

Scholz e përfundoi fjalën e tij duke u shprehur se shpreson që nuk do të duhen edhe 10 vite të tjera derisa Ballkani Perëndimor të bëhet shtet anëtar i BE-së.

6 miliardë euro është fondi i vënë në dispozicion nga BE si pjesë e Planit të Rritjes, 2 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. Plani i Rritjes u prezantua një vit më parë në Tiranë, kur për herë të parë samiti i Procesit të Berlinit u mbaj në një vend jo anëtar të BE. Me këtë paketë, BE-ja synon të ndihmojë rritjen ekonomike në vendet e rajonit dhe të përshpejtojë procesin e integrimit europian.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se lufta ndaj nëndeklarimit të pagave do rrisë ndjeshëm pensionet?



×

Lajmi i fundit

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal

Kosovë/ Shpërthen skuteri elektrik, përfshihet nga flakët një lokal