Sot shënohen 61 vjet nga ndarja nga jeta e Fan Nolit, një prej figurave më të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare. Kleriku, politikani dhe intelektuali poliedrik u nda nga jeta më 13 mars 1965 në moshën 83-vjeçare në Florida, të SHBA,, duke lënë pas një trashëgimi të jashtëzakonshme në jetën kombëtare.

Fan Stilian Noli ishte një nga personalitetet që ndikoi fuqishëm në zhvillimet politike, kulturore dhe fetare të shqiptarëve në fillim të shekullit XX. Fan Noli lindi më 6 janar 1882 në Ibrik Tepe, pranë Edrenesë. Vetë do të pohonte se, prejardhjen e kishte nga Kolonja. Ai njihet si themeluesi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare dhe një nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të çështjes kombëtare shqiptare në arenën ndërkombëtare. 

Përveç rolit të tij si klerik dhe politikan, Noli ishte edhe një figurë e shquar e kulturës shqiptare. Ai u dallua si përkthyes, poet, dramaturg, historian dhe muzikolog, duke sjellë në shqip vepra të rëndësishme të letërsisë botërore dhe duke lënë një kontribut të çmuar në jetën intelektuale të vendit.

Në politikë, Noli ishte një nga protagonistët e Lëvizjes së Qershorit të vitit 1924 dhe për një periudhë të shkurtër shërbeu si kryeministër i Shqipërisë pas përmbysjes së qeverisë së Iljaz Vrionit. Programi i tij politik synonte modernizimin dhe demokratizimin e vendit.

Përveç veprimtarisë politike dhe fetare, Noli u mor edhe me muzikë. I vendosur ne SHBA, në vitin 1935 u regjistrua në Konservatorin e Muzikës në Nju-England në Boston, ku u diplomua në vitin 1938 me një studim mbi Bethovenin dhe Revolucionin Francez. Ai i dha zë shqipes, duke mbajtur për herë të parë liturgji në gjuhën amtare, në kishën e Bostonit.

Edhe sot, më shumë se gjashtë dekada pas ndarjes së tij nga jeta, Fan Noli kujtohet si një nga mendjet më të ndritura të kombit shqiptar