Protesta shënon ditën e 63-të, ndërsa iu bashkuan edhe disa protestues nga diaspora.
Reforma territoriale u kthye në temën e ditës për të cilën folën protestuesit para kryeministrisë.
“Ne duhet të përpiqemi për decentralizim dhe jo centralizim të mëtejshëm. Ne duhet t’i mbështesim maksimalisht të gjithë njerëzit që protestojnë në qytetet e tjera”, tha një prej tyre.
Pavarësisht kundërshtimeve për ‘Territorialen’, vëmendja nuk u largua nga kërkesa e vazhdueshme për dorëheqjen e qeverisë dhe anulimit të ligjeve për investimet strategjike dhe ndryshimeve në zonat e mbrojtura.
“Anuloni ligjet! Jepni dorëheqjen! Shqipëria nuk është kontratë! Shqipëria nuk është biznes! Shqipëria është amanet!”, tha një emigrante nga Franca.
Një i ri me aftësi të kufizuara tha se shteti nuk i është gjendur pranë kësaj kategorie, ndërsa quajti qeverinë “sorra e korba.”
“Sot i kanë rënë puplat, sorrat janë ata, shqiptarët jemi ne, të pafytyrët janë ata, shqiptarët jemi ne. Hapni rrugën!”, tha ai.
Mes protestuesve ishte edhe ish-drejtuesi i Policisë së Shtetit, Krenar Ahmeti që bëri thirrje për institucione e shërbime më të shëndetshme dhe rezistencë.
“Ne jemi kundër dhunës sepse i duam institucionet tona, duam mjekësi dhe polici të shëndetshme. Nëse ju lëshoni frontin mos u ankoni për 40 vite. Janë momente decizive”, tha Ahmeti.
Protestuesit vendosën edhe një banderolë para kryeministrisë ku thuhej "shqiptarët e bashkuar, pushteti i tmerruar."
Si çdo mbrëmje, ata vijuan më pas me ritualin e marshimit në rrugët e Tiranës.
Komente











Sorra dhekorba jeni ju qe nuk doni zhvillimin e vendit dhe jo qeveria . Fshatari po fshatar mbetet , jeni mesuar te flini ne kashte , ndryshimi ju vret trute e kokes o te pa udhe .Lodhuni sa te doni qeverin nuk e rezoni dot .Qeveria rezohet me vote .Perpara Shqiperi 2030 .
Përgjigju