Zjarret e verës që lamë pas vetëm në Bashkinë e Fushë-Arrëzit përshkuan 1052 hektarë pyje, 65 prej të cilave u shkrumbuan plotësisht. Për zëvendësimin e tyre do të duhen të paktën 40 vite.

Me qëllim ripyllëzimin e sipërfaqeve të degraduara, Bashkia e Fushë-Arrëzit në bashkëpunim me të rinjtë vullnetarë të Qendrës Sociale në Ndihmë të Njerëzve në Nevojë, mbështetur financiarisht nga Ambasada Suedeze, ka nisur mbjelljet e reja me drurë gështenje.

Ditët e para të këtij aksioni janë përqendruar në pyjet e Kryeziut, ku bilanci i dëmeve nga zjarret ishte kolosal.

“Jemi në aksionin e parë të pyllëzimit. Bashkë me të rinjtë dhe banorët e zonës po mbjellim sot 450 rrënjë gështenje",- thotë kordinatorja Danjela Ymeri/

Kreu i Shërbimit Pyjor në Fushë-Arrëz, njëherësh pedagog i Fakultetit të Pyjeve, Artmir Dodaj shpreson në mbështetje me fonde edhe nga qeveria

“Kjo është masa e parë fillestare. Po bëjmë planet e reja të menaxhimit dhe shpresojmë edhe për mbështetje financiare nga Ministria e Mjedisit|",- thotë Doda.

Për drejtorin e Agjencisë së Pyjeve, Ylli Hoxha, është e rëndësishme që dhe bashkitë e tjera të vendit….

“… të ndërmarrin nisma të tilla me qëllim rigjenerimin e fondit pyjor dhe krijimin e masës së gjelbër me pyje",- thotë Hoxha.

Projekti pritet të shtrihet edhe në Bashkinë e Pukës, ku disa ngastra të tjera pyjore do të pyllëzohen me drurë gështenje.