Kim Jong Un ka festuar me shumë pompozitet 68-vjetorin e përfundimit të Luftës së Koresë me një paradë ushtarake ku morën pjesë edhe mijëra veteranë.
Qielli në Penian u ndriçua nga fishekzjarrët ndërsa të gjithë bënë homazhe para monumentit përkujtimor të asaj që koreano-veriorët e quajnë Lufta për Çlirimin e Atdheut.
Por ndryshe nga viti i kaluar, ai nuk përmendi sistemin bërthamor të vendit.
Sipas mediave shtetërore, Kim tha se forcat e Veriut janë plotësisht të gatshme për t'u marrë me çdo kërcënim, por ai nuk kishte ndonjë mesazh të drejtpërdrejtë për Jugun ose SHBA.
Festa përkujtoi ditën kur u firmos edhe armëpushimi që i dha fund Luftës së Koresë, konflikt gjatë të cilit Veriu mbështetej nga Kina ndërsa Jugu nga Shtetet e Bashkuara. Konflikti zgjati nga viti 1950 deri në vitin 1953.
Megjithatë, edhe pse kanë kaluar thuajse 7 dekada, armëpushimi nuk është zëvendësuar me një traktat paqeje dhe gadishulli korean është teknikisht ende në gjendje lufte.
Në ditët e fundit të dy shtetet njoftuan se liderët Kim Jong Un dhe presidenti koreano-jugor Moon Jae-in kanë shkëmbyer disa herë letra me njëri-tjetrin që prej muajit prill, ku kanë vendosur të rinisin kanalet e komunikimit.