Për Ilir Metën deklaratat e forta të bëra dy ditë më parë nga ish-Kryeministri dhe ish-kreu i PS-së Fatos Nano janë 'zero ngjarje'. Presidenti Meta refuzoi t'i përgjigjej interesimit të gazetarëve për një koment të tij në lidhje me akuzat që Nano i bëri në intervistën e mbrëmjes të së enjtes kur tha se 'te Presidenti aktual i vendit shoh 7 mëkatet e Biblës'

"Zero koment për çështje të cilat nuk ekzistojnë, problem kryesor mbetet sot përballimi i pandemisë dhe mbështetje e gjithë personelit shëndetësor për përballimin e fluksit të të infektuarve", tha Meta.

Ndërkohë gazetarët e kanë ngacmuar Metën edhe për mundësinë që Nano te bëhet pasuesi i tij në Presidencë por Meta kishte të njëjtën përgjigje: "Nuk kam asnjë koment për zero ngjarje, zero akuza dhe zero zero".

Në intervistën e gjatë të dhënë  ku foli për të gjithë karrierën e tij politike dhe jo vetëm, ish-Kryeministri i vendit Fatos Nano foli me përçmim më të madh për një njeri, Presidentin aktual Ilir Meta. Teksa për të tjerët, përfshi edhe Berishën, Nano kishte ndonjë fjalë të mirë përveç kritikave për Metën e përmblodhi mendimin e tij me fjalinë "Më lër ta mbyll kapitullin e Ilir Metës, duke të thënë që nuk ka politikan tek i cili unë shoh 7 mëkatet kapitale të Biblës, është Presidenti i sotëm".

Ndërkohë, teksa foli për ish-Kryeministrin Berisha, rivalin e tij kryesor në 25 vite politike, Nano tha se nëse Sali Berisha nuk do të ishte në politikë, Shqipëria do të kishte ecur më përpara, pasi e ka cilësuar atë si një politikan konfliktual që e ka të vështirë që të pranojë mendimin ndryshe. Nano foli për 2 episode të rëndësishme, ku gishtin e drejton nga Berisha, që është burgosja e tij dhe 21 janarit. Për këto 2 ngjarje, Nano thotë se Berisha është marrë personalisht me to, madje ai shkon më tej duke thënë se nga "kafshë politike", pas 21 janarit, Berisha mbeti vetëm një "kafshë". 

Në prononcimin për mediat nga kryeqendra e veriut, Meta foli sot edhe për 25 prillin. Ai tha se nuk ka asnjë shans dhe asnjë skenar për të shtyrë datën e zgjedhjeve.

"Shqipëria ka pasur nevojë ulëritëse për zgjedhje prej kohësh. Shqiptarët përvecc pandemisë kanë një tjetër shqetësim që data e zgjedhjeve u duket larg. Partitë të promovojnë kandidatë të rinj dhe me integritet! Kush vepron ndryshe do ndëshkohet rëndë më 25 prill", tha ai.