Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka firmosur 13 dekrete, 6 shkarkime dhe 7 emërime në detyrë, referuar propozimeve të ardhura nga kryeministri Edi Rama për disa ndryshime në kabinetin qeveritar.
Belinda Balluku, e cila deri më tani ka shërbyer si Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe zv/kryeministre, është shkarkuar përfundimisht nga detyra. Shkarkimi i saj vjen pas marrjes nën hetim nga SPAK dhe më pas vendimit për pezullim nga detyrat shtetërore.
Gjithashtu nga detyra largohet dhe Elisa Spiropali, e cila deri më tani drejtoi Ministrinë e Jashtme dhe Pirro Vengu, ministri i Mbrojtjes. Këto ishin të vetmit që nuk u ‘shpërblyen’ me një tjetër detyrë në kabinet, ndryshe nga ministrat e tjerë.
Albana Koçiu tashmë do të mbajë postin e zv/kryeministres, ndërsa Ministra e Brendshme i është besuar Besfort Lamallarit, i cili për 6 muaj ka drejtuar Ministrinë e Drejtësisë.
Emërimi për drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë ka ardhur nga brenda dikasterit. Në krye është caktuar Enea Karakaçi, dikur vartës i Belinda Ballukut. Karakaçi deri më sot ka mbajtur postin e drejtorit të OSHEE-së.
Vendi i Elisa Spiropalit i kalon Ferit Hoxhës, i cili deri dje ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ndërsa Ministria e Mbrojtjes tashmë do të drejtohet nga Ermal Nufi, i cili deri më sot ka mbajtur postin e zv/sekretarit të Përgjithshëm në Kryeministri.
Toni Gogu tashmë do të drejtojë Ministrinë Drejtësisë, ndërsa në vend të tij në Ministrinë për Marrëdhëniet me Parlamentin, e ka marrë Eriona Ismaili, deputetja më e re e Vlorës.
Pas dekretimit nga presidenti, ndryshimet në kabinet pritet të marrin nesër votëbesimin në Kuvend (duhen 71 vota) dhe më pas ata do të betohen përpara Begajt për të marrë zyrtarisht detyrën. Kryeministri Rama bëri me dije ndryshimet në qeveri pas mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste.
Komente









