Ministria e Mbrojtjes raporton se situata e zjarreve në vend është përmirësuar në të gjithë vendin.

Sipas informacioneve zyrtare deri në orën 20:00 janë regjistruar 7 vatra, 4 prej të cilave aktive dhe 3 nën monitorim.

Në operacione janë angazhuar 140 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe dy avionë “Air Tractor”.

Vatrat në Dajt dhe Priskë vijojnë të jenë aktive, por nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Me intensitet të ulët vijon zjarri në Lufaj të Mirditës, ndërsa në malin e Tërbunit të Pukës po punohet në terren të vështirë me forca të shumta dhe dy helikopterë (gjatë ditës).

Zjarret në Gurë-Lurë dhe Bruç të Matit janë shuar plotësisht, ndërsa vatrat në Qafë Helmes, Tharri dhe Selenicë mbahen nën monitorim.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:24
Zjarri në Tërbun përhapet deri në Gojan, 2 helikopterë punojnë për shuarjen e flakëve (VIDEO)

 

50 hektarë me pyje janë prekur nga vatra e zjarrit në Tërbun të Pukës që kërcënon përhapjen e perimetrit. Forcat zjarrfikëse dhe të ushtrisë po operojnë që prej mëngjesit bashkë me dy helikopterë.

Vatra e zjarrit e përhapur deri në Gojan rrezikon pyjet e dendur me pishë. Zjarri i shfaqur 5 ditë më parë mori përmasa për shkak të favorizimit nga era, çka e bën të vështirë menaxhimin e situatës. Edhe pse dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme, policia nuk ka njoftuar për ndonjë autor të mundshëm.