Agjencitë e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri festuan Ditën e Kombeve të Bashkuara, përvjetorin e hyrjes në fuqi, në vitin 1945, të Kartës së Kombeve të Bashkuara.
Në fjalën e saj të hapjes, Koordinatorja e Përhershme e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, znj. Zineb Touimi-Benjelloun tha se, Shqipëria po përballet me shumë sfida në përpjekjen e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por megjithatë ajo ka bërë progres të konsiderueshëm.

“Gjatë 5 viteve të ushtrimit të detyrës sime këtu në Shqipëri si Koordinatore e Përhershme e Kombeve të Bashkuara, unë kam qenë dëshmitare e këtij progresi dhe Zyra e Kombeve të Bashkuara në Shqipëri ka pasur kënaqësinë të ishte bashkudhëtare e Shqipërisë në këtë rrugëtim”, tha Benjelloun.

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, tha se Organizata e Kombeve të Bashkuara, e cila lindi si një fije drite në mes të errësirës, kur bota sapo kishte përjetuar një prej katastrofave më të mëdha njerëzore, dhe po përjetonte ndarjen nga perdja e hekurt e Luftës së Ftohtë.

“Viti 2015 shënon gjithashtu 60-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në familjen e madhe të OKB-së. Sot, aksioni i vendit tonë në OKB është i shtrirë në të gjithë spektrin e veprimtarisë së Organizatës”, tha Bushati.

Ministri i Jashtëm tha më tej se aksioni i Shqipërisë në OKB ka kontribuar me trupa ushtarake.

Vitin e kaluar Shqipëria u anëtarësua për herë të parë në Këshillin e të Drejtave të Njeriut, ndërsa Bushati zbuloi synimin e Shqipërisë për të qenë anëtarë jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit në OKB në periudhën 2022-2023.

“Shqipëria beson tek OKB pavarësisht mangësive të saj. Mbetet një platformë për zgjidhjen e krizave. Ne nuk dëshirojmë që OKB të shndërrohet në një arenë debati të pafrytshme. Mbështesim reformat për ta bërë atë me efikase dhe më përfaqësuese”, tha Bushati.

Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)