Presidenti i Republikës Bajram Begaj, mori pjesë në 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Hirësisë së Tij, Kardinal Ernest Simoni. Gjatë ceremonisë së zhvilluar në katedralen e Firences “Santa Maria del Fiore”, Begaj vlerësoi figurën e Kardinal Ernest Simonit si një simbol të qëndresës, besimit dhe sakrificës, një “martir i gjallë”.

“Historia juaj është dëshmi e gjallë se asnjë regjim nuk mund të shfarosë besimin dhe dinjitetin njerëzor. Historia juaj, Kardinal Ernest Simoni, na mëson se besimi nuk matet në kohë të qeta, por në kohë sprove dhe se dinjiteti i njeriut nuk varet nga rrethanat, por nga qëndrimi që ai mban përballë tyre”, u shpreh Begaj në mesazhin për 70-vjetorin e shugurimit të Kardinal Simonit, ku nderoi edhe sakrificën e klerikëve gjatë diktaturës dhe të 38 martirëve katolikë të lumturuar.

Ai theksoi se falë kësaj sakrifice dhe përkushtimi Shqipëria sot është model i bashkëjetesës fetare, një nga vlerat më të çmuara dhe më të bukura që kemi.

“Kjo harmoni ndërfetare është përgjegjësi e përditshme dhe pasuri që duhet ta ruajmë, ta kultivojmë dhe ta përcjellim me krenari te brezat e ardhshëm. Por kjo liri nuk erdhi vetë. Ajo ka emra, ka histori, ka sakrifica. Dhe një nga këta emra është pa dyshim Kardinali Ernest Simoni”, u shpreh Begaj.

Një mesazh të veçantë nderimi Presidenti përcolli për Papa Françeskun, i cili e lartësoi këtë figurë dhe ia tregoi botës këtë “martir të gjallë” që kapërceu vuajtjet e diktaturës pa urrejtje, pa hakmarrje dhe me përulësi.

“Vendimi për ta ngritur në dinjitetin e Kardinalit ishte një akt i thellë mirënjohjeje dhe vlerësimi jo vetëm për një njeri, por për një histori, dëshmi e gjallë qëndrese, shprese, besimi dhe dinjiteti njerëzor”, tha ai duke shtuar se në momente si ky, ku historia, besimi dhe njeriu takohen, kujtojmë se madhështia nuk qëndron te fuqia apo fama, por te përulësia. “Zakoni shqiptar na mëson se njeriu bëhet i madh jo kur merr, por kur jep; jo kur sundon, por kur shërben; jo kur flet shumë, por kur vepron drejt; jo kur dorëzohet, por kur ka forcë për të qëndruar për të drejtën; jo kur tregon hipokrizi, por kur tregon integritet”, tha Begaj.

Ndërsa falënderoi autoritetet fetare dhe drejtuesit e Firences, të pranishëm në meshën dhe ceremoninë për 70-vjetorin e shugurimit meshtarak të Kardinalit Ernest Simoni, ai përmbylli:

“Le të jetë kjo ditë jo vetëm një nderim për të kaluarën, por edhe një angazhim për të ardhmen, për të ruajtur vlerat, për të mbrojtur dhe për të ndërtuar një shoqëri më njerëzore, më të drejtë, më të paqtë dhe më të lirë në mendim, besim e veprim”, ishte mesazhi i Begajt.