Presidenti Bajram Begaj ka reaguar lidhur me protestat ku thotë se dhuna s’është mjet për të shprehur pakënaqësinë, por as forca e policisë s’mund të kalojë kufijtë e ligjit.

Ai shpreh gatishmërinë për të dëgjuar shqetësimet e çdo qytetari dhe mbetet i hapur për dialog me ta. Thirrja e tij kryesore mbetet për vetëpërmbajtje e përgjegjësi nga të gjitha palët.

“Presidenti i Republikës ndjek me shqetësim përshkallëzimin e tensioneve gjatë protestave dhe u bën thirrje të gjitha palëve të veprojnë me përgjegjësi e vetëpërmbajtje.

E drejta për protestë paqësore është themel i demokracisë dhe detyrim i shtetit për ta garantuar. Por dhuna nuk mund të jetë mjet i shprehjes së pakënaqësisë, as përdorimi i forcës nga policia nuk duhet të dalë jashtë kufijve të ligjit dhe proporcionalitetit.

Në këtë moment, vendit  i duhet më shumë përgjegjësi. Kushtetuta dhe ligji duhet të mbeten kufiri i të gjithëve, pa përjashtim.

Mbetem i gatshëm të dëgjoj te gjitha shqetesimet.

Zyra ime është dhe do të mbetet e hapur për çdo të ri e çdo qytetar që dëshiron të shprehet, të dialogojë dhe të kontribuojë për të mirën e vendit”, shkruan ai në Facebook.