8 letra të panjohura të Skënderbeut me sulltanët dhe me Papën

8 letra të panjohura të Skënderbeut me sulltanët dhe me Papën

Skënderbeu

Mbi jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut, sipas disa studiuesve, janë shkruar mbi 1500 vepra në formën e jetëshkrimeve dhe librave të ndryshëm. Numri i studimeve të botuara me raste përvjetorësh në gazeta dhe revista në gjuhë shqipe dhe të huaja është aq i madh sa nuk mund të japim as me afërsi një vlerësim për to. Nëpër arkivat e ndryshme në dhjetëra shtete në botë ka një numër shumë të madh dokumentesh të botuara ose edhe që presin studiuesit e ndryshëm për të bërë publikimin e tyre.

Në botimet e disa studiuesve shumë herë është shkruar “Po paraqesim një dokument të pa njohur më parë” dhe pastaj vazhdohet me komente për dokumentin. Sipas mendimit tim, është një gjë shumë e vështirë të gjendet ndonjë dokument i panjohur sepse arkivat janë kthyer mbarë e prapë me mijëra herë qysh nga koha e Skënderbeut. Por sipas mendimit tim, më e drejtë do të ishte të thuhej “po botojmë një dokument që mendojmë të mos jetë i botuar më parë”. Sepse mund të ketë dokumente të pabotuara por, dokumente të panjohura, është shumë e vështirë të gjenden.

Në këtë libër që po botojmë me rastin e 550 vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, do ju prezantojmë disa dokumente që për shumë njerëz dhe studiues mund të jenë të panjohura më parë, së paku në gjuhën shqipe. Botimi me figurë i dokumenteve ose anastatik siç ju pëlqen disave ti quajnë, krijon mundësinë e korrigjimit të gabimeve që studiuesit joshqiptar bëjnë rëndom gjatë përpunimit të dokumenteve që kanë të bëjnë me historinë e vendit tonë. Edhe pse një kontribut fare modest, po ju paraqesim disa dokumente nëpërmjet këtij botimi, me shpresë se mund të hedhim pak dritë mbi veprën e Heroit tonë Kombëtar.

Sivjet mbushen 550 vjet nga vdekja e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Me rastin e kremtimit të këtij përvjetori në Trojet tona Kombëtare dhe në diasporë ku banojnë shqiptarë, po kryhen aktivitete të shumta dhe të shumëllojshme, në kujtim të kësaj ngjarjeje dhe për të bërë të njohur në botë edhe më shumë emrin e këtij burri shteti me përmasa botërore. Me këtë rast, mendova që të sjell para publikut disa dokumente të pabotuara më parë, që bëjnë fjalë për letërkëmbimin e tij me Sulltan Muratin II dhe me Sulltan Mehmetin II.

Gjatë kërkimeve në fondin e dorëshkrimeve të vjetra në Bibliotekën Mbretërore të Napolit (Biblioteca Nazionale "Vittorio Emanuele III" di Napoli, già Reale Biblioteca Borbonica), kemi vënë re që gjendeshin disa dokumente që kishin të dhëna për Shqipërinë. Përveç materialeve që po kërkonim, në treguesin e fondeve, kishte edhe një përmbledhje me letërkëmbime të Skënderbeut dhe një album me harta të shek. XVII, që kishin të dhëna për vendin tonë.

Me rastin e këtij përvjetori, kontrolluam se çfarë përmbante ky dokument dhe cila ishte rëndësia e tij për historinë e Shqipërisë. Mbasi jemi konsultuar me specialistë të kësaj periudhe historike në Tiranë dhe në Prishtinë, ata ishin të mendimit që duhet ishte publikuar edhe më parë ky dokument.

Mbas kërkimeve në librat ku janë publikuar dokumente dhe fonde për Historinë e Shqipërisë, nuk gjetëm që emri i këtij fondi dhe i këtij dokumenti të ishte i shkruar në ndonjë publikim. Për këtë arsye ju vumë punës për transkriptimin (rishkrimin) e përmbajtjes së tij. Me ndihmën e punonjësve të paleografisë së kësaj biblioteke, bëmë një transkriptim  të plotë të tij.

Na dukej e pamundur që ky dokument me një rëndësi të tillë të mos ishte publikuar më parë. Dhe kishim pasur një farë të drejte. Një kopje e këtij dokumenti, i shkruar nga një tjetër kopjues, me disa ndryshime gjendej në Arkivin Sekret të Vatikanit dhe ishte publikuar më përpara nga studiues të tjerë në revistën “Hylli i Dritës” *)Italo Sarro, “Hylli i Dritës”, Nr. 3, Shkodër 2010, f. 147. Edhe në librin e Marin Barletit “Historia e Skënderbeut” dhe në disa libra të tjerë ishin të përfshira disa prej të dhënave të këtij dokumenti, të shkruara me ndryshime të theksuara.

Për të patur një arsyetim më të drejtë mbi këto letra, morëm nga Arkivi Sekret i Vatikanit kopjen që gjendej aty. Ajo ishte e ruajtur mirë, mund të lexohej kollaj dhe transcriptimi mund të bëhej pa ndonjë vështirësi. Për habinë tonë, vumë re që në revistën “Hylli i Dritës”, transcriptimi i kësaj letre kishte disa ndryshime me kopjen origjinale. Lexuesi mund të bindet për këtë duke bërë krahasimin midis kopjes origjinale që po publikojmë dhe shkrimit në revistën “Hylli i Dritës”. 

Në Arkivin Sekret të Vatikanit morëm edhe një letër të Skënderbeut nisur nga kisha e Shën Mërisë në Kepin e Rodonit me datë 29 tetor 1463. Kjo letër ruhet në fondin Cam. Ap. Div. 30. ff. 143r-v. Letra është e shkruar në gjuhën latine dhe është e vulosur me vulat e noterit dhe të Skëndërbeut. Aty shkruhet se Martin Muzaka caktohet si ndërmjetës në komunikimin midis shtetit të Skendërbeut dhe shtetit të Papës.



Transcriptimin e kësaj letre nuk e kemi bërë por kemi vendosur përkthimin e sajë në gjuhët italjane dhe shqipe. Lexuesi mund ta lexojë letrën edhe në original, nëse ka dyshime për saktësinë e përkthimeve.

Vendosëm të bëjmë një botim anastatik të këtyre letrave për këto arsye:

Së pari, dokumenti i Bibliotekës Mbretërore të Napolit, nuk ishte publikuar asnjëherë më parë. Punonjësit e kësaj biblioteke nuk kishin asnjë të dhënë se dikush para nesh të ishte marrë me botimin e plotë apo të pjesshëm të tij.

Së dyti, dokumenti që gjendet në Arkivin Sekret të Vatikanit nuk është publikuar në mënyrë anastatike, por vetëm i transkriptuar. Përveç kësaj, përmbajta e kësaj kopje të publikuar na rezultoi që ka ndryshime me atë që po publikojmë nga biblioteka e Napolit, të cilat do t’i shpjegojmë më poshtë në këtë punim.

Së treti, nga studimi i “Historisë së Skënderbeut” të Barletit dhe të veprave të tjera që do të trajtohen më poshtë, nuk mund të informohemi se nga cilat burime i kanë marrë ata të dhënat që përshkruhen në veprat e tyre. Në shumicën e rasteve, as Barleti, as botuesit e tjerë nuk bëjnë shënime sqaruese për të dhënë burimin e informacioneve që japin. Por nga leximi me kujdes i veprës së Barletit, del plotësisht e qartë se ai është mbështetur mbi dokumente arkivore për të shkruar veprën, edhe pse burimet nuk i ka shënuar. Bile, ai arrin deri aty sa kritikon historianët e kohës që nuk kanë shkruar kronika për aktivitetin e Skënderbeut në luftimet në ndihmë të Ferdinandit të Napolit. Duke folur në lidhje me këtë temë, ai ka shkruar: “Prandaj unë, që ta them haptazi të vërtetën, nuk mund të mos çuditem në këtë rast dhe të mos zemërohem me mosmirënjohjen e shkrimtarëve kundrejt burrave të famshëm, të cilët, megjithëse kësaj lufte i kanë dalë hakut me zell të madh nga çdo anë, për Skënderbeun s’gjej të kenë thënë asnjë fjalë, sikur ai të mos kishte qenë mbështetja më e madhe e kësaj lufte dhe shpëtimtari dhe çlirimtari i vetëm, që të flas kështu, i asaj mbretërie dhe shpagimtari i vetëm i lirisë mbretërore.”*)Marin Barleti, Historia e Skënderbeut, botim i tretë, Tiranë 1983, f. 524

Nga paragrafi i mësipërm, në mënyrë jo direkte, kuptohet se ai për të shkruar “Historinë e Skënderbeut” është mbështetur mbi dokumente, të cilat i ka përdorur dhe del krejtësisht e qartë, se për të shkruar librin e tij, Barleti, nuk ka shkruar një roman, siç është akuzuar në disa shkrime të kritikëve të librit të tij, por ka prezantuar një biografi historike, të mbështetur fort mbi dokumente, edhe pse, ndoshta sipas metodave që janë përdorur në atë kohë, ai nuk i ka vendosur fusnotat për referencat e dokumenteve nga i ka marrë të dhënat.

Besoj se edhe letrat për të cilat po flasim në punimin tonë, ai i ka pasur të shkruara në origjinale dhe nuk janë marrë në formën e gojëdhënave, nga bashkëkohësit dhe bashkëluftëtarët e Skënderbeut.

Së katërti, në dosjen arkivore që ruhet në Napoli ne nuk mund të marrim informacion se ku ndodhet origjinali i tij, dhe prej nga është kopjuar kopja që ruhet aty. Sipas historianëve që kanë shkruar për Skënderbeun, ai ka zotëruar 4 gjuhë të huaja. Ne nuk e dimë se në çfarë gjuhe kanë qenë të shkruara këto letra në origjinalet e tyre. Ky letërkëmbim mund të jetë bërë në gjuhët osmanishte, latine, greke, sllave apo italiane. Kjo është shumë e rëndësishme, nëse marrim në konsideratë që përkthimi nga njëra gjuhë në tjetrën në atë kohë ka qenë një punë jo e lehtë dhe për këtë arsye dokumentet mbas përkthimeve, nuk ruajnë besnikërisht formën origjinale të tyre por u nënshtrohen shpesh herë perifrazimeve, apo edhe plotësimeve. Gjatë përkthimit të një dokumenti ruhet pak a shumë ideja kryesore ose mendimi i shprehur në variantin origjinal, pa bërë përkthimin besnik të dokumentit. Dhe ne nuk jemi në gjendje të japim një vlerësim të saktë se sa janë ato të përafërta me origjinalin por vetëm mund të hamendësojmë. Edhe Barleti nuk e ka shkruar burimin e informacionit se nga cila gjuhë i ka përkthyer.

Në komentin e revistës “Hylli i Dritës”, në hyrje të publikimit të kopjes nga Arkivi Sekret i Vatikanit është shkruar se “letrat e transkriptuara janë përkthim i lirë i atyre që janë cituar nga Marin Barleti në librin “Historia e Skënderbeut”, mbasi të dhënat dhe përmbajtja përkojnë me njëra tjetrën”. (Le lettere transcritte sono la libera traduzione di quelle riportate da Marino Barlezio nella “Vita di Scanderbeg”, perché date e contenuti coincidono.) *)Italo Sarro, “Hylli i Dritës”, Nr. 3, Shkodër 2010, f. 147

Ne nuk jemi të këtij mendimi sepse në disa botime të tjera kemi gjetur të shkruar përmbajtjen e këtij dokumenti dhe ngjashmëria është më e madhe me këto se me ato të Barletit.

Nuk jemi në gjendje të themi se nga janë marrë kopjet që po paraqesim të fotografuara, sepse ato nuk janë njëlloj komplet, as me kopjen e publikuar të Arkivit Sekret të Vatikanit, as me variantet e tjera të publikuara. Nëse kopjet që po paraqesim ne janë “një përkthim i lirë i atyre që janë cituar nga Marin Barleti”, i bie që ne po paraqesim në gjuhën shqipe një dokument i cili në origjinal mund të ketë qenë i shkruar në gjuhën osmanishte ose greqishte dhe më vonë është përkthyer nga Barleti në gjuhën latine, pastaj më vonë është përkthyer nga kopjuesit e tij në gjuhën italiane. Ne po e paraqesim të përkthyer nga gjuha italiane në atë shqipe. Pra i bie që dokumenti të jetë i përkthyer tre herë mbas variantit origjinal, dhe specialistët e përkthimit e dinë fare mirë se çfarë ndodh në raste të tilla. Ndryshimi midis origjinalit dhe përkthimit të fundit mund të rezultojë shumë i madh.

Së pesti, nga një studim dhe krahasim i vëmendshëm i faqeve të transcriptuara të të dy kopjeve të dokumenteve arrihet me lehtësi në konkluzionin që kopjuesit e dokumentit nuk kanë kopjuar të njëjtin dokument të shkruar në gjuhë italiane por kanë përkthyer një dokument prej një gjuhe tjetër në gjuhën italiane. Për ne, për momentin, mbetet e panjohur se nga cila gjuhë është përkthyer dokumenti nga kopjuesit, por duket qartazi se ata nuk kanë bërë një kopjim por një përkthim dhe bie poshtë pretendimi se ky dorëshkrim është kopje e shkrimeve nga libri i Marin Barletit, “Historia e Skënderbeut”. Në librin “Historia e Skënderbeut” të Marin Barletit, botimi i tretë, (f.122-129), i ka plot 7 faqe, dallim ky, jo vetëm i dukshëm, por edhe mjaft domethënës. Përse?! Sepse shkruesit e këtyre dorëshkrimeve, mbas gjasës, mund të mos e kenë njohur atë fjalim në detaje. Në dorëshkrimet që ne po paraqesim, ai fjalim   ka vetëm 20 rreshta. Në librin e  M. Barletit fillimi i fjalimit është : “Etër dhe princër fort të nderuar”, ndërsa tek Dorëshkrimet e paraqitura   është: “Zotërinj të lartë dhe Etër të nderuar”. Thuajse e njëjta përmbajtje, por me rendin e fjalëve të ndryshëm.

Edhe pjesa tjetër e tekstit, ato 20 rreshta që i kanë dokumentet e paraqitura, kanë ngjashmëri me fjalimin e Skënderbeut, të shkruar prej M. Barletit, por fjali të njëjta nuk ka. Madje, në ndonjë rast ka edhe dallime të papajtueshme. Për shembull, tek dokumentet dorëshkrime, Skënderbeu u kërkon princërve të mbledhur në Lezhë që, nëse nuk duan të luftojnë kundër Sulltanit, të paktën të rrinë mënjanë, duke mos i ndihmuar turqit. Ndërsa tek varianti i M. Barletit nuk haset askund ky mendim.

Letra që sulltan Murati II i dërgon Skënderbeut, f. 165-168, ka 3 faqe, ndërsa ajo që është shënuar në dokumentet dorëshkrim, ka vetëm 34 rreshta.

Nuk ka asnjë arsye të mendohet që të kopjohet dhe të rishkruhet me dorë një punim që është i botuar në mijëra kopje në shtypshkronjë dhe të mos ruhet një kopje origjinale e librit nga shtypshkronja. Jemi më tepër të prirë të mendojmë se kopjet e këtyre letrave, qoftë kopja nga Napoli, qoftë ajo nga Vatikani, janë marrë nga kopje të letrave origjinale, ndoshta edhe të dëmtuara nga koha, dhe nga ky shkak, kemi ndryshime në të tëra format e publikuara. Letra e nisur nga Kepi i Rodonit të cilën po e paraqesim, është e shkruar në gjuhën latine dhe nuk është kopje por është letër origjinale e ruajtur në Arkivin Sekret të Vatikanit.

Besojmë se lexuesit mund të kenë interes të shikojnë kopje të këtyre dorëshkrimeve dhe mund të nxjerrin ndonjë konkluzion për burimin se nga janë marrë.

 

Të dhëna për gjendjen e dokumenteve të paraqitur
Njëri dokument është marrë nga Biblioteka Mbretërore e Napolit, fondi Ms. I, E, 17, faqet 14v deri 25v. Kopja që po paraqesim, është e ruajtur në gjendje shumë të mirë, pothuajse pa asnjë dëmtim. Është e shkruar në 25 faqe para (r, recto) dhe prapa (v, verso).

Shkrimet janë vendosur në këto faqe:
1. Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut drejtuar Princërve shqiptarë dhe Regjentëve të Venedikut, viti 1443, f. 14v deri 15 v;
2. Letra e Muratit II për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 16 qershor (viti këtu nuk është shënuar por besohet të jetë 1444), f. 15v deri 16 v;
3. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Muratin II, 14 korrik 1444, f. 16 v deri 18 r;
4. Letra e Mehmetit II për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 11 maj 1461, f. 18 r deri 20 v;
5. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Mehmetin II, 30 maj 1461, f. 20 v deri 21 v;

6. Letra e Mehmetit II për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 22 qershor 1461, f 21 v deri 21 r;
7. Letra e Mehmetit II për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 7 maj 1463, f. 22 v deri 22 r;
8. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Mehmetin II, 25 qershor 1463, f. 23 v deri 25 v.
Kopja që ndodhet në Arkivin Sekret të Vatikanit, është marrë nga fondi Arm. II, Miscellanea, faqet nga 642 v deri 657 v.

Letërkëmbimi në këtë kopje ishte vendosur në këto faqe:
1. Fjalimi i Gjergj Kastriot Skënderbeut drejtuar Princërve shqiptarë dhe Mëkëmbësve të Venedikut, viti 1443, f. 642r-643r.;
2. Letra e Muratit për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 16 qershor 1444, f. 643r-645r;
3. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Muratin, 14 korrik 1444, f. 645r-648v;
4. Letra e Muhametit për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 2 maj 1461, f. 649r-650r;

5. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Muhametin, 30 maj 1461, f. 650v-652r;
6. Letra e Muhametit për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 22 qershor 1461, f. 652r-653r;
7. Letra e Muhametit për Gjergj Kastriot Skënderbeun, 7 maj 1463, f. 653r-654v;
8. Letra e Gjergj Kastriot Skënderbeut për Muhametin, 25 qershor 1463, f. 654v-657v.

(Vijon në numrin e ardhshëm)

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK