Dita Ndërkombëtare e Gruas në Kosovë u shoqërua me mesazhe nga drejtuesit e institucioneve, të cilët theksuan rolin e grave në ndërtimin e shtetit, demokracisë dhe shoqërisë.
Presidentja Vjosa Osmani tha se historia e Kosovës është dëshmi se gratë kanë qenë pjesë kyçe e rrugës drejt lirisë dhe shtetësisë.
“Rruga jonë drejt lirisë dhe shtetësisë nuk u shkrua vetëm nga burrat. Ajo u formua nga gratë dhe burrat që qëndruan krah për krah; nga gratë që udhëhoqën rezistencën paqësore kur zërat tanë u heshtën, nga gratë që duruan dhe rezistuan në orët më të errëta të luftës; dhe nga gratë që, kur heshtja zëvendësoi tingullin e armëve, u bënë forca morale pas drejtësisë dhe rindërtimit të institucioneve me vizion dhe përkushtim të palodhur. Forca e tyre është busulla morale e vendit tonë”, u shpreh Osmani, duke theksuar rolin e grave në rezistencë, në luftë dhe në rindërtimin e institucioneve pas saj.
"Avancimi i të drejtave dhe lidershipit të grave nuk është thjesht çështje drejtësie. Është thelbësor për shëndetin e demokracive tona, ruajtjen e paqes dhe mbrojtjen e dinjitetit njerëzor. Duhet të mbetemi të qartë në qëllimin tonë dhe të palëkundur në përkushtimin tonë. Zërat e grave nuk duhet kurrë të heshtin ose injorohen. Lidershipi i tyre nuk duhet trajtuar si opsional dhe pabarazia nuk duhet pranuar si status quo. Sepse kur gratë udhëheqin, shoqëritë bëhen gjithmonë më të forta. Kur barazia është reale, paqja bëhet më e qëndrueshme. E ardhmja për të cilën aspiruojmë është një e ardhme ku çdo ambicie e gruas njihet si legjitime, kontributi i saj vlerësohet dhe lidershipi i saj kuptohet për atë që është me të vërtetë, i domosdoshëm” tha ajo.
Edhe kryeministri Albin Kurti dha një mesazh për këtë ditë, duke theksuar se barazia kërkon veprim konkret. Sipas tij, në Kosovë po bëhen hapa për fuqizimin e grave nëpërmjet punësimit, mbështetjes ekonomike dhe rritjes së pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje.
“Mbi 12 mijë gra janë mbështetur në punësim, është rritur pronësia e grave dhe janë krijuar mekanizma më të fortë mbrojtjeje, të cilat i cilësoi si hapa konkretë drejt barazisë në vend, në mënyrë që të drejtat e grave të mos mbeten vetëm në ligje dhe deklarata, por të garantohen me drejtësi reale në jetën e përditshme kolektive dhe në përvojën individuale të secilës”, ka shkruar Kurti.
Ajo tha se kjo ditë është edhe një moment për të kujtuar sakrificën dhe kontributin e grave në çdo periudhë të historisë së Kosovës, duke bërë thirrje që çdo grua dhe vajzë në vend të trajtohet me dinjitet dhe respekt.
Komente












