Në prag të 7-8 Marsit, drejtuesi politik i PS për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim edhe me gratë dhe vajzat e Kamzës, të cilat i uroi edhe në prag të festës së 8 Marsit. Ai tha se gratë dhe vajzat janë themeli i një Kamze të fortë, por edhe i një Tirane dhe i një Shqipërie të fortë.
“Takimi i parë i qytetarit të ri të Kamzës me shtetin janë çerdhja, kopshti dhe shkollat, ndaj dua ta falenderoj Rakipin që i ka dhënë rëndësi fëmijëve, sepse ndihma më e madhe që mund t’i jepet një nëne është ta ndihmosh që fëmijët të shkojnë në çerdhe, kopshte dhe shkolla dinjitoze. Nuk janë as gishtat përpjetë, as grushtat lart, ato çka e ndihmojnë një nënë, por një institucion ku fëmija rritet me dashuri, me të njëjtin dashuri dhe kujdes që ka edhe në shtëpi. Kush harron të tashmen dhe kush ngatërron që të punojë për zgjedhjet e ardhshme dhe jo për gjeneratën e ardhshme, do t’i humbë edhe zgjedhjet, edhe gjeneratën e ardhshme. Kush punon për gjeneratën e ardhshme dhe ka besim se fëmija është themeli i një Kamze të fortë, i një Tirane të fortë, i një Shqipërie të fortë, ai do të fitojë edhe zgjedhjet e ardhshme, por mbi të gjitha gjeneratën e re”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku i Tiranës, Veliaj vlerësoi gratë dhe vajzat e Kamzës, të cilat kanë sakrifikuar për të krijuar familje të mrekullueshme.
“Kam një respekt të jashtëzakonshëm për vajzat dhe gratë e Kamzës, sepse nga hiçi kanë krijuar një vatër, një shtëpi dhe kanë krijuar një komunitet të jashtëzakonshëm si ky që kemi në Kamzë. Mua më bëhet zemra mal që, si kryetar i Bashkisë dhe drejtues politik i Qarkut, të shikoj dëftesat dhe renditjen e nxënësve. Më vjen mirë që në qarkun tonë nxënësit dhe nxënëset e Kamzës janë ‘on top’. Fakti që sot nxënësit më të mirë në gjimnaze dhe studentët më të mirë të universiteteve janë nga familjet dhe nga sakrificat e grave dhe nënave e gjysheve të Kamzës, është një kompliment shumë i madh dhe është një shpërblim shumë i madh i kësaj sakrifice”, tha Veliaj.
Në fund, ai u bëri thirrje vajzave dhe grave të Kamzës që, siç kanë ndërtuar me mund e me sakrifica familjen e tyre, të jenë krah Partisë Socialiste për të kthyer në histori suksesi Kamzën.
“Kur ti shikon skena të atyre që djegin shtëpinë e tyre, pyetja për çdo demokrat duhet të jetë: Këta që djegin shtëpinë e tyre, do ta rregullojnë shtëpinë time? Këta që hipin mbi Range Rover dhe makina të shtrenjta, do t’ju flasin për varfërinë, kalaqafë në parkimin e partisë, këta që nuk rregullojnë dot gropën dhe asfaltin te partia e tyre, këta që nuk vënë dot një vijë parkimi, dhe makinat i parkojnë mullar, këta do të sjellin rend, dhe do të sjellin disiplinë dhe do të sjellin rregull dhe do të sjellin pastërti dhe do të merren këta me shtëpitë tona që djegin shtëpinë e tyre? Ndaj, për sa kohë që provën e keni që me Rakip Sulin këtu, me Lindita Nikollën, modelin e gruas socialiste në krye të Parlamentit Shqiptar, thirrja është për çdo dibrane, çdo kuksiane, çdo krutane, çdo matjane, çdo lezhjane, siç kemi ndërtuar me thonj, me sakrifica me mund dhe me djersë familjet tona, këtu në Kamzë, për ta kthyer në histori suksesi, ashtu do të duhet me mund, me përpjekje, me dashuri dhe me pasion ta ndihmojmë Rakipin në datën 14 maj, PS, gocat tona në Këshillin Bashkiak, që të vazhdojnë punët e mira për Kamzën dhe Shqipërinë”, përfundoi Veliaj.
Lajmi kryesor: