80 poetë shqiptarë në
një antologji në Belgjikë

80 poetë shqiptarë në <br />një antologji në Belgjikë
BELGJIKE - Botohet në Belgjikë për herë të parë një antologji e madhe e poezisë shqipe në jubile të 100 vjetorit të Pavarësisë. Poetët janë përzgjedhur nga gjithë hapësira mbarëshqiptare, nga Shqipëria e Kosova, nga Maqedonia e Mali i Zi, Presheva e Çamëria, nga Arbëreshët e Italisë e diaspora jonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada, Gjermani, Francë, Greqi e Belgjikë. *Foto, përshtatësi në frengjisht i antologjisë, Francis Chenot

80 poetë nga më të njohurit, Migjeni, Esat Mekuli, Ali Podrimja, Fatos Arapi, Ismail Kadare, Agim Vinca, Xhevair Spahiu, Azem Shkreli, etj, nga ata që u përballën me diktaturën, me bëma dhe me poezi, Trifon Xhagjika, Vilson Blloshmi e Genc Leka, Arshi Pipa e Visar Zhiti, Flora Brovina e Jamarbër Marko, etj, dhe nga diaspora, Martin Camaj e Lek Pervizi, Kolec Traboini, Lindita Arapi, Ferdinand Laholli, Romeo Çollaku, etj. Kjo antologji vjen si meritë e punës pasionante të përkthyesit të saj, Vasil Çapeqi, i cili tashmë jeton në Belgjikë, e bashkëpunëtorit të tij belg, përshtatësit të poezive në gjuhën frënge, poetit dhe gazetarit Francis Chenot, si dhe e shtëpisë botuese “Taillis Pré”. Botimi ka në kopertinë dhe shqiponjën e Flamurit tonë.

Përkthyesi Vasil Çapeqi shkruan në parathënien e antologjisë se “..prej një shekulli, Shqipëria është i vetmi vnd i botës që rrethohet nga të gjitha anët prej bashkëkombësve të vet. Por ngjarjet e kohëve të fundit a nuk tregojnë se kufijtë shtetërorë, edhe kur ata fizikisht nuk ndryshojnë, nuk janë më ata që ishin më parë? Perdja e hekurt e Shqipërisë komuniste nuk është më, Kosova është shtet i pavarur që prej 17 shkurtit të 2008, rënia e Murit të Berlinit dhe krijimi i Bashkimit Evropian i bënë gjithashtu më pak të rreptë kufijtë ballkanikë”, thotë përkthyesi ndërsa tregon se për këtë antologji, iu desh të bëjë një udhëtim planetar, sa real aq edhe fantastik, nga ku rezultoi një fat i përbashkët i poetëve shqiptarë, kudo që ata janë ndodhur, ai i qendrestarëve të vërtetë.

“Të burgosur ose të internuar, të pushkatuar, masakruar prej shtetit të tyre dhe të injoruar apo të dëbuar prej regjimeve të huaja, ose të këputur nga malli për Atdheun e braktisur…”, këto janë poetët shqiptarë, thotë përkthyesi Vasil Çapeqi.

Ndërsa përshtatësi i poezive në gjuhën frënge, gazetari Francis Chenot thotë: “është e vërtetë se në Ballkan, më shumë se gjetiu, shpesh kufijtë nuk korrespondojnë me realitetin e popujve dhe të gjuhëve. Flitet shqip në Shqipëri, sigurisht, në Kosovë (ku shqiptarët përbëjnë padyshim shumicën), në Maqedoni, në Mal të Zi, në disa lugina te jugut të Serbisë, në Çamëri në veri të Greqisë… Shkurt, në atë çka thirrej qëmoti Arbëri. Shtojmë këtu arbëreshët e Kalabrisë, këta shqiptarë që braktisën perandorinë otomane në shekujt e XV-të dhe të XVI-të. Janë më në fund, të gjithë shqiptarët e diasporës, në Evropën Perëndimore dhe në Amerikën e Veriut. Bëhet fjalë pra për poezi shqiptare – llojshmëria e tyre imponon numrin shumës – të cilat janë krijuar gjatë shekullit të kaluar...”, thotë Chenot, duke theksuar se këta poetë paraqesin një numër karakteristikash të përbashkëta: kujtesën e miteve greke dhe ilirë, dashurinë për atdheun dhe një aftësi për t’i qëndruar çdo lloj forme të diktaturave.

Antologjia është një sukses për poezinë shqipe, i udhëtimit të saj nëpër botë dhe një nderim për Shqipërinë dhe shqiptarët.

kopertina e antologjise
(Foto, kopertina e antologjisë)

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi